-1 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Koment – FETO, një lëvizje okupatore globale

Më të lexuarat

Analizë në kuadër të serialit radiofonik “Perspektiva Globale” nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara…

 

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Në shkrimin tonë të mëparshëm folëm për ngjarjet e 15 Korrikut, për atë se çfarë është FETO-ja dhe për mënyrën se si organizata i rrit anëtarët e saj duke i shkëputur ata nga familjet e tyre, nga shoqëria dhe vlerat islame të pranuara përgjithësisht. Tërhoqëm vëmendjen se pas një procesi edukativ të gjatë dhe të vështirë, anëtarët e kësaj organizate transformohen në robotë të aftë për të bërë gjithçka që t’ia arrijnë qëllimit.

Metoda organizative e FETO-s

Pasi riformatizohen në mënyrë të fshehtë dhe me një besim “të shenjtë”, FETO-ja i dërgon pionierët e saj në vende të tjera për t’u përhapur e shumuar edhe atje. Strukturimi i tyre në këtë shtete ngjason me organizimin e këtij grupi përgjatë viteve të para të tij në Turqi. Ata nisin të organizohen duke u shfaqur sikur të jenë institucione plotësisht civile dhe humanitare, duke hapur shkolla e themeluar OJQ. Qëllimet e tyre gjatë këtij procesi janë dy: Të rekrutojnë në organizatë anëtarë të rinj nga vendet ku fillojnë të operojnë, si dhe t’i edukojnë ata sipas mënyrave të tyre për t’i instaluar më pas në aparatet shtetërore më strategjike të vendeve në fjalë. Kështu, ata do të marrin në dorë timonin e këtyre shteteve fshehurazi, pa u dukur fare. Po të shikoni me vëmendje, do të vëreni se të diplomuarit nga shkollat e FETO-s infiltrohen (penetrojnë) dalëngadalë në shërbimet informative, institucionet policore e ushtarake, kryeministri, presidencë, bankën qendrore dhe organe të tjera strategjike në të gjitha vendet. Kush nuk i njeh metodat e organizatës terroriste FETO – meqenëse anëtarët e saj infiltrohen në këto institucione duke u shfaqur si liberalë, socialistë, të krishterë, laikë (apo cilado qoftë ideologjia politike e vlefshme në atë vend dhe institucion) – s’do të arrijë ta kuptojë këtë situatë. Ndërsa kur ta kuptojnë, në shumicën e rasteve do të jetë tepër vonë.

A është FETO-ja kërcënim vetëm për Turqinë?

Si për faktin që e konsideron dhe pozicionon liderin e saj si “imam të universit” ashtu edhe për orvatjet e saj për t’u organizuar në të gjitha shtetet e botës, kuptohet fare qartë se FETO-ja nuk është një rrjet që synon vetëm Turqinë. Siç bëhet e ditur, ajo është e pranishme dhe organizuar në mbi 170 vende. Është e pamundur të thuhet me saktësi se në sa vende është e organizuar ajo, pasi strukturat e saj ngrihen në fshehtësi dhe me emra të panjohur e të ndryshëm, kurrsesi me emra tashmë të deshifruar. Në të shumtën e rasteve, këto s’janë as vende myslimane. Duke qenë se Turqia është në dijeni të qëllimit të fshehur të kësaj organizate dhe i ka marrë/po i ndërmerr masat e nevojshme, ajo përbën tashmë një kërcënim më të madh për vendet që nuk e njohin fytyrën e vërtetë të saj. Në disa shtete, FETO-ja vazhdon ende të organizohet me pamjen e institucioneve civile dhe vullnetare në mënyrë gënjeshtare, të hapë shkolla për të rekrutuar ithtarë të rinj për besimet heretike të saj. Përvoja tepër e hidhur e Turqisë, të cilën ajo e fitoi duke e paguar me gjak dhe shumë shtrenjtë, shërben si një mësim i hapur për ata që kanë dëshirë ta marrin, për të mos paguar çmime edhe më të larta.

Vallë a mori fund kërcënimi i quajtur FETO?

Vetëm pak vite më parë, ditët e sotme ishin të paimagjinueshme. Për shkak të perandorisë së frikës që pati krijuar FETO-ja, njerëzit e kishin të pamundur madje edhe të flisnin për eksperiencat e tyre apo të zbulonin komplotet të cilave qenë detyruar nga FETO-ja t’u ekspozoheshin. Duhet bërë shyqyr për këto ditë njëherë.

FETO-ja merrte forcë nga vullneti i mirë i njerëzve, të cilët i besonin pamjes së saj të jashtme dhe ofronin mbështetje të madhe për organizatën. Sot dihen taktikat e kamuflimit të kësaj organizate kameleon, i njihen planet dhe njerëzit janë të vetëdijshëm për besimin heretik të saj, me të cilin ajo përligj e arsyeton vdekjen, vrasjen apo çdolloj komploti. Përfitimi më i madh për Turqinë dhe tërë botën është kjo ndërgjegje e ngritur me kosto shumë të larta.

Falë përpjekjeve mbinjerëzore të Turqisë e popullit turk dhe vetëdijes së formuar në lidhje me organizatën, kapacitetet institucionale të saj u shpërbënë në shumë vende të botës. Në sajë të zhvillimit të vetëdijes shoqërore dhe rënies së kapaciteteve të organizatës, ajo tani s’ka më as fuqi dhe as aftësi për të ngritur një sistem duke bërë grusht shteti. Edhe pse nuk ka më kapacitet për të krijuar sistem, organizata megjithatë është ende e aftë të shkatërrojë dhe asgjësojë. Robotët xhelatë, telekomanda e të cilëve është në duart e liderit të organizatës në Pensilvani, vazhdojnë të lëvizin si bomba me sahat apo kamikazë në të gjitha shtetet ku FETO-ja operon. Siç u pa edhe në rastin e atentatit ndaj ambasadorit Andrey Karlov, i cili u vra nga një terrorist i FETO-s për të krijuar armiqësi ndërmjet Turqisë dhe Rusisë, kjo organizatë ka ende kapacitete të mjaftueshme për të kryer vrasje, krime terroriste. Pra, kërcënimi në fjalë vazhdon ende jo vetëm në Turqi, por edhe në të gjitha vendet ku ajo ushtron aktivitet. Në shumë shtete të botës, anëtarët e saj janë akoma të pranishëm si celula të fjetura në pritje të direktivave, në qendrat më të rëndësishme të sistemeve politike.

Së fundmi, po, është zbuluar programi dhe identifikuar programuesi i robotëve xhelatë me pamje njerëzore dhe fytyrë engjëllore. Por këta robotë xhelatë janë mes nesh, sepse aktivitetet i kryejnë në mënyrë sekrete dhe fshehin identitetin e tyre. Përveç kësaj, ka qindra-mijëra njerëz të infektuar nga ky program toksik në mbarë botën. Nevojiten hulumtime të reja dhe kreative nga psikologë, sociologë, mjekë dhe klerikë nga e gjithë bota që këta robotë me pamje njerëzore, sektori nevralgjik dhe vullneti i të cilëve janë në duart e liderit terrorist në SHBA, të bëhen sërish njerëz të lirë, autonomë dhe të pavarur. E ardhmja e çdo personi, vendi dhe shoqërie nuk është e sigurt për sa kohë që s’gjendet një zgjidhje e cila do t’i rikthente robotët xhelatë në një njerëz. Nga ana tjetër, robotët xhelatë nuk janë aspak statikë. Ata kanë aftësi të rinovohen e përshtaten me çdo mjedis dhe të punojnë në harmoni maksimale me shumë aktorë lokalë, kombëtarë e globalë. Sot, ata janë duke punuar në integritet e harmoni të plotë me aktorë ndërkombëtarë dhe shërbime informative globale të caktuara. Ndaj këta aktorë mendojnë se robotët xhelatë do t’u binden gjithmonë. Mirëpo duke marrë në konsideratë historinë e kësaj organizate, është shumë e qartë se ajo nuk krijon asnjëherë marrëdhënie të përhershme me ndonjë vend dhe se e rëndësishme për të është vetëm agjenda e saj. Rrjedhimisht, FETO-ja përbën kërcënim në terma kohorë afatgjatë gjithashtu për aktorët globalë dhe shërbimet e inteligjencës që mendojnë se po e përdorin atë. Është verbëri dhe ëndërr në diell të mendosh që robotët xhelatë, të cilët kanë tradhtuar familjet, shoqërinë e atdheun e tyre, do t’u shërbejnë besnikërisht aktorëve globalë, agjencive të inteligjencës apo vendeve ku ata jetojnë.

Turqia dhe bota i detyrohen shumë Presidentit Rexhep Tajip Erdogan për formimin e vetëdijes botërore në lidhje me këtë çështje duke i bërë ballë me guxim një okupacioni të tillë që kërcënonte Turqinë dhe botën, duke rrezikuar seriozisht jetën e tij dhe atë të familjes së tij, qoftë edhe sikur ai të mos kishte bërë asgjë tjetër.

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit