Muhamed Muhtar ndërroi jetë në Bengazi pasi vuante nga sëmundje të lidhura me moshën e shtyrë
TRIPOLI (AA) – Muhamed Muhtar, djali i vetëm i luftëtarit të lirisë, Omer Muhtar (1858-1931), i cili për 20 vjet udhëhoqi rezistencën popullore të Libisë kundër forcave okupatore italiane, ndërroi jetë në moshën 97-vjeçare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas burimeve të fisit Al-Manfah të Al-Muhtar, i biri i ikonës së rezistencës libiane ndërroi jetë sot pasdite në shtëpinë e tij në qytetin verilindor të Libisë, Bengazi.
Të njëjtat burime njoftuan për AA se Muhtar (1921-2018) ka ndërruar jetë pasi vuante nga sëmundje të lidhura me moshën e shtyrë, për të cilat ai ishte trajtuar në Libi dhe jashtë saj.
Në vitet e para të tij, i biri Muhtar kaloi 18 vite në Egjipt, ku kreu arsimin e tij formal në shkollën Al-Shatibi të Aleksandrisë.
Ai gjendej në Egjipt në vitin 1931 kur mori lajmin për vdekjen e babait të tij, i cili u ekzekutua me varje nga forcat pushtuese italiane.
Kush ishte Omer Muhtar?
Omer Muhtar ishte kryesues i rezistencës ndaj italianëve në Libi. Ai vullnetarisht iu bashkangjit rezistencës së filluar nën kryesimin e oficerëve osmanë dhe Ahmed esh-Sherif es-Senusit pas hyrjes së italianëve në Libi në vitin 1911.
Ndërkaq, pas largimit përfundimtar të qeverisjes osmane nga Libia, Muhtar filloi një lëvizje të re kundër politikave kolonizatore të fashistëve që erdhën në pushtet në Itali në vitin 1922, duke organizuar fiset në forca guerile, për t’u shkaktuar humbje të rënda forcave italiane. Rezistenca zgjati deri në vitin 1931.
Muhtar ra në duart e italianëve pasi u plagos në një përplasje më 11 shtator të vitit 1931, ndërsa pas gjykimit në një gjykatë ushtarake, po të njëjtin vit u ekzekutua në Saluk.