Përfaqësuesja e Kroacisë fitoi në penallti (3-2) ndaj Danimarkës pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultat 1-1.
Kështu kroatët u kualifikuan në çerekfinale të Kampionatit Botëror ‘Rusia 2018’.
Ndeshja filloi me golin e Mathias Jorgensen në minutën e parë, por përgjigjja e kroatëve ishte shumë e shpejtë.
Mario Mandzukic shënoi në minutën e katër duke barazuar kështu rezultatin.
Në vazhdim kroatët rrezikuan me anë të Ivan Rakitic (29′) dhe Dejan Lovren (39′), kurse danezët me Martin Braithwaite (27′) dhe Christian Eriksen (42′).
Pjesa e dytë ishte me pak shanse për gol dhe kështu rezultati mbeti i pandryshuar dhe skuadrat shkuan në vazhdime.
Në vazhdime loja kryesisht u zhvillua në mesfushë dhe të dy skuadrat ishin të kujdesshme në fazën mbrojtëse, në përjashtim të minutës së 115-të ku Mathias Jorgensen rrëzoi në zonën e rreptësisë një lojtar kroat dhe kështu gjyqtari ndali lojën për penallti.
Por, nga pika e bardhë nuk arriti të shënojë Luka Modric pasi gjuajta e tij u ndal nga portieri Kasper Schmeichel dhe kështu fituesi u kërkua në penalltitë finale.
Në penallti fitoi Kroacia, ndërsa në çerekfinale kroatët do të luajnë ndaj Përfaqësueses së Rusisë që fitoi Spanjës në penallti.