I arrestuari deklaroi fillimisht se babai i tij ra nga biçikleta
Fatos Thaçi ndërroi jetë pas tri ditësh në Spitalin Ushtarak, ku qëndroi në gjendje kome
policiaDjali vret të atin, pasi ky i fundit debaton me të për borxhet që kishte krijuar për të blerë drogë, por tenton të fshehë krimin, duke u shprehur në polici se ai ishte rrëzuar nga biçikleta. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak ditë më parë në Tiranë, kur 23-vjeçari ka goditur të atin me grusht, duke e lënë në gjendje kome, ndërkohë që mëngjesin e djeshëm, Fatos Thaçi ka ndërruar jetë. Madje, deklarata e djalit, Ardian Thaçi, është përforcuar në polici edhe nga nëna e tij, por më pas policia zbuloi se gjithçka ishte ndryshe. Policia tha se fillimisht e regjistroi ngjarjen si aksidentale, por pas hetimeve, ku u konkludua se viktima ishte rrahur nga djali i tij, ky i fundit është arrestuar për plagosje të rëndë, me pasojë vdekjen dhe ka pranuar përpara grupit hetimor autorësinë e krimit.
Sherri për borxhet
Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes Thaçi, e cila ndodhet në rrugën “Petro Cani” Tiranë. Ka qenë ora 10:00 e paradites së 12 shkurtit, kur Fatosi është konfliktuar me djalin e tij, për shkak të disa borxheve. Mësohet se 23-vjeçari njihet si përdorues i lëndëve narkotike dhe si pasojë ai kishte marrë para borxh te disa persona. Ky fakt e ka shqetësuar Fatosin, i cili mjaft i zemëruar i ka kërkuar llogari për çështjen e borxheve djalit. Ardiani është zemëruar shumë për mënyrën e të folurit nga i ati dhe besohet se ka qenë nën varësinë e hashashit dhe alkoolit në momentin e sherrit. Palët kanë shkëmbyer fyerje me njëri-tjetrin. Në gjaknxehtësi e sipër, 23-vjeçari e ka qëlluar me grusht në kokë dhe si pasojë e goditjes, Fatosi ka rënë në tokë pa ndjenja. Bashkëshortja e viktimës, Bihanja, është përpjekur që ta sjellë në normalitet, por ka qenë e kotë. Fatosi nuk shfaqte asnjë shenjë reagimi. Të ndodhur në kushte të tilla, familja Thaçi e kanë nisur të dëmtuarin me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak. Mjekët janë përpjekur që t’i japin të gjithë ndihmën e nevojshme, por ka qenë e kotë. Viktima ka qëndruar në gjendje kome nga data 12 shkurt 2014 deri në datën 15 shkurt 2014 në Spitalin Ushtarak Tiranë, ku rreth orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm ka ndërruar jetë.
Hetimet e policisë
Për ngjarjen e rëndë është njoftuar policia, e cila ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave. Fillimisht Bihanja dhe Ardiani thanë për grupin hetimor se viktima kishte rënë nga biçikleta. Si pasojë e kësaj, ai kishte marrë plagë serioze në pjesën e kokës. Fillimisht, oficeri i policisë, që u mor me hetimet, e regjistroi ngjarjen si aksident me biçikletë. Pas grumbullimit të provave të tjera, si dhe pas verifikimit të saktësive të dëshmive të djalit të viktimës, ekspertët nisën të dyshonin. Ata e kanë pyetur Ardianin se ku ka qenë në momentin e aksidentit. Ai nuk ka qenë në gjendje që t’u japë shpjegime oficerëve të policisë, duke ngjallur dyshime për hetuesit. Pas zbardhjes së disa fakteve, policia doli në konkluzionin se Fatos Thaçi ishte vrarë nga i biri. Hetuesit kanë rimarrë në pyetje Ardianin dhe Bihanen, të cilët kanë deklaruar para policisë gjyqësore se Fatosi është rrahur nga 23-vjeçari. Ata kanë treguar gjithashtu edhe dinamikën e ngjarjes së rëndë. Në këto kushte, policia ka vendosur të arrestojë autorin e dyshuar të krimit. Ai akuzohet për veprën penale të “plagosjes së rëndë me dashje, me pasojë vdekjen”.
I dënuar me kusht
Ndërkaq, autori i krimit rezulton se është person me precedentë penalë. Ai është arrestuar me 19 shkurt 2013 nga Policia e Tiranës, e cila e ka kapur në flagrancë me 4 porcione hashash. Gjatë kontrollit në banesën që jetonte me qira, në një kuti janë gjetur pesë qese me lëndë narkotike dhe disa fara, të cilat janë sekuestruar si provë materiale. Gjithashtu, atij i janë bërë analizat, nga ku është konkluduar se Ardian Thaçi ishte përdorues i saj. Ai tha përpara gjykatës se lënda e gjetur në banesë nuk ishte për shitje, por për përdorim vetjak. Fakti që ishte e cilësisë së dobët kishte bërë që Ardiani të mos e konsumonte. Ndërkaq, Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 2 vjet shërbim prove, për veprën penale të “shitjes dhe prodhimit të lëndës narkotike”. Përpara trupit gjykues ai është shfaqur i penduar për veprën penale që ishte akuzuar. Gjithashtu, gjykata ka kërkuar që Ardian Thaçi të mos shoqërohet me persona të dënuar, si dhe t’i nënshtrohet trajtimit ndaj narkotikëve, ndërkohë që pak ditë më parë, gjatë sherrit të momentit vrau aksidentalisht të atin.