2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Lutfi Haziri shtron iftar në Gjilan

Më të lexuarat

Kryetari i Komunës së Gjilanit ka shtruar iftar me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, ku ka mbledhur përfaqësuesit e të gjitha institucioneve të nivelit lokal dhe përfaqësuesve të shumtë në nivelin qendror.

Të pranishëm në këtë iftar të përbashkët ishin deputetë, përfaqësuesit e qeverisë, nga Kuvendi Komunal, kryesia e Bashkësisë Islame të Gjilanit e kryesuar nga Naim Aliu, përfaqësuesi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ilmi Krasniqi, nga Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Gjykatës, Prokurorisë, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, KFOR-i Turk, drejtori i OSBE-së, përfaqësues të Universitetit, Spitalit Regjional, përfaqësuesit e partive politike etj.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se ky është muaj i solidaritetit, i paqes, i përkujtimit dhe lutjes për të gjithë ata që nuk janë në mesin tonë dhe atyre që janë në vështirësi të jetës, duke dëshiruar që agjërimi të jetë i lehtë për të gjithë agjëruesit.

“Uroj agjërim të lehtë për të gjithë gjatë gjithë muajit të Ramazanit, me besim të madh që ky muaj e përmbush edhe misionin dhe qëllimin që e ka, jo vetëm të përkujtimit si muaj i madh i ardhjes së Kur’anit për njerëzit e kësaj bote, por edhe muaj i solidaritetit dhe i ndarjes së të mirave në sofrën tonë, për të gjitha familjet kudo që janë. Për ata që janë ndarë nga kjo botë, lutemi bashkërisht që Zoti i plotfuqishëm t’i shpërblej dhe mbroj më të dashurit tanë. Mision i kësaj jete është të lëmë një fjalë të mirë, vepër të mirë dhe një qëllim të mirë”, ka thënë kryetari Haziri.

“Në këtë muaj, por edhe gjithmonë duhet t’i gjendemi përkrah familjeve skamnore, familjeve në nevojë dhe jetimëve. Lutemi që këtë mesazh ta bartim tutje në mënyrë që jeta për çdo qytetarë dhe familje të jetë më e mirë, lutemi që drita e Zotit të bie mbi çdo njeri në këtë vend dhe mëshira e tij të jetë prekja më e madhe që e kërkojmë nga i madhi Zot”, pohoi ai.

Kryetari Haziri më tej ka falënderuar Bashkësinë Islame dhe bashkësitë tjera fetare e institucione të shumta edhe për rolin e tyre në solidaritet, përkujtim dhe nxjerrjen e të mirave për të tjerët.

“Komuna e Gjilanit me angazhim të përbashkët të institucioneve të shumta është duke punuar edhe në mekanizmin e Preventivës kundër çdo lloj radikalizmi dhe ekstremizmi, për t’u përkujdesur për qytetarët e Gjilanit që të mos përfshihen në rrugë të cilat janë të dëmshme për shoqëri. Ka qenë ky organizim i përbashkët i bashkësive fetare e në veçanti i Bashkësisë Islame që e falënderojmë për angazhim konkret në trajtim të rasteve”, ka thënë ai.

Haziri ka dhënë edhe lajmin tjetër që për këtë vit si pjesë e planit të punës është edhe gjetja e lokacionit për ndërtimin e objektit për institucionin e Bashkësisë Islame.

“Është angazhim i përbashkët për ndërtimin e infrastrukturës për të gjitha besimet fetare dhe këtë vit do të punohet konkretisht në gjetjen e lokacionit për ndërtimin e objektit të Bashkësisë Islame në Gjilan, e cila do të ketë më të lehtë punën dhe shërbimin për qytetarët”, ka përfunduar ai.

Kurse, kryetari i Bashkësisë Islame në Gjilan, Naim Aliu, ka falënderuar kryetarin Haziri që I ka bërë bashkë në këtë iftar përfaqësuesit e qeverisjes, shkencës, sigurisë, misionit të OSBE-së dhe gjithë përfaqësuesve të tjerë, që kështu së bashku dhe në harmoni të plotë të jemi edhe në punë dhe angazhime të përditshme.

“Faleminderit kryetar që na ke bashkuar të gjithëve në sofrën e këtij iftari. Kështu të bashkuar dëshiroj që të jemi gjithmonë në punë dhe angazhime të përditshme. Për agjëruesin janë dy gëzime, i pari është gëzimi në iftarin e tij dhe i dyti është takimi me Zotin e tij. Përpos agjërimit që manifestohet te besimtari, është edhe muaj i bashkimit, vllazërimit, i durimit e i mirëkuptimit. Përpos këtij iftari, kryetari Haziri ka treguar kujdesin edhe për udhëheqësit shpirtëror të kësaj feje”, ka thënë mes tjerash kryetari i Bashkësisë Islame të Gjilanit, Naim Aliu.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit