Presidenti Recep Tayyip Erdogan bëri të ditur se Turqia ka zhvilluar luftën më efikase kundër organizatës terroriste DAESH.
I ndodhur për një vizitë zyrtare në Angli, Presidenti Erdogan iu drejtua të pranishmëve në një mbledhje të organizuar në institucionin e mendimit (think tank) “Chatham House” në Londër.
Erdogan theksoi se shoqëria ndërkombëtare nuk gjeti gjuhë të përbashkët në luftën kundër terrorizmit, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Turqia ka zhvilluar luftë më efikase kundër DAESH-it. Ne kemi dëbuar 6 mijë e 200 persona të dyshuar për lidhje me organizatat terroriste. Ata që dalin kundër luftës tonë ndaj organizatës separatiste terroriste PKK/PYD-YPG, e cila përpiqet të formojë korridor të terrorit përgjatë kufirit, gjoja janë aleatë, janë vendet kundër terrorit”.
Duke e vënë në dukje se Turqia është vendi më i sinqertë për sa i përket tërësisë territoriale të Sirisë, kreu i shtetit turk tha: “Rruga e vetme për kthimin e 3,5 milionë refugjatëve sirianë në shtëpitë e tyre është që ky vend të jetë i sigurt”.
Erdogan shtoi se në çështjen e luftës kundër terrorit presin përkrahjen e të gjitha vendeve, përfshirë edhe të Anglisë.
“Ndërkohë që ne jemi duke u orvatur me kriza në rajonin tonë, në Perëndim është duke u zhvilluar një proces i rrezikshëm. Njerëzit në zemër të Evropës po tjetërsohen për shkak të besimit të tyre”, bëri të ditur Erdogan.
Ai shtoi se Turqia është duke e ndjekur një politikë të jashtme ndërmarrëse dhe të ndërgjegjshme, ndërsa tha se “Turqia radhitet në krye të vendeve në çështjen e ndihmave humanitare. Nëse krahasohet me të ardhurat kombëtare Turqia ndodhet në krye të vendeve që japin më së shumti ndihma. Jemi vendi më bujarë në botë”.
Duke e vënë në dukje se Turqia është përfshirë në rrugën e përpjekjeve gjatë zgjidhjes së krizës së Sirisë, Presidenti tha: “Jemi përfshirë në mënyrë aktive në procesin e Gjenevës. Me anë të operacioneve Mburoja e Eufratit dhe Dega e Ullirit kemi spastruar nga elementët e terrorit 4 mijë kilometra katror. Operacionet tona antiterrori po vazhdojnë gjithmonë duke kushtuar kujdes të veçantë për të mos u dëmtuar civilët. Forcat e regjimit dhe terroristët nuk tregojnë këtë kujdes”.
Erdogan tha se është e dobishme që të përfitohet nga kontributet konstruktive të Iranit në çështjen e vendosjes së stabilitetit në rajon dhe shtoi: “Marrëdhëniet e mira që do të vendosen me Iranin janë të rëndësishme edhe nga aspekti i të ardhmes së Irakut. Planveprimi në lidhje me çështjen e programit bërthamor të Iranit është një sukses demokratik. Në raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike bëhet e ditur se Irani i përmbahet planit”.