4.4 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

NATO përshëndet përparimin e FSK

Më të lexuarat

Në deklaratën përfundimtare të samitit të NATO-s, e cila tashmë u është shpërndarë gazetarëve, janë disa paragrafe që flasin edhe për Kosovën. Shefat e shteteve të NATO-s nga ky samit, kanë mbështetur fuqishëm edhe një herë përpjekjet e misionit të KFOR-it për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë. Po ashtu, mbështesin edhe punën e KFOR-it për të siguruar, në bazë të mandatit që ka, lirinë e lëvizjes në tërë territorin e Kosovës.

Liderët e NATO-s me këtë deklaratë, kanë përshëndetur edhe përparimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe kanë thënë se shikojnë në të ardhmen për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë të NATO-s me këtë forcë.

Në Çikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës është duke vazhduar dita e dytë e samitit të liderëve të NATO-s, në të cilin po diskutohen disa operacione të kësaj aleance, sikur edhe planet për transformimin strategjik të saj, në mënyrë që të përballet me sfidat në të ardhmen.
Ndërsa, në deklaratën e miratuar Kosova përmendet edhe në pjesën e bashkëpunimit të NATO-s me Bashkimin Evropian, ku thuhet se misioni i KFOR-it në Kosovë, po bashkëpunon ngushtë me EULEX-in dhe me përfaqësuesit e lartë të BE-së, raporton REL.
Shefat e shteteve të NATO-s, po ashtu i kanë bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës, që të vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur të gjitha problemet në mënyrë paqësore nëpërmes dialogut, dhe të shfrytëzojnë rolin e Bashkimit Evropian, në lehtësimin e këtij dialogu.
Ata u kanë bërë thirrje edhe që të implementojnë marrëveshjet e arritura deri më tani, e sidomos marrëveshjen për menaxhimin e integruar të vendkalimeve.
Ky samit i ka dërguar sinjal të gjitha vendeve të rajonit të Ballkanit, se NATO-ja mbetet e përkushtuar për këtë rajon, dhe e konsideron atë si një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën e NATO-s, dhe është porositur që të vazhdohet politika e dyerve të hapura, pra, që të ndihmohen ato shtete të rajonit, të cilat aspirojnë që të anëtarësohen në NATO.
Shefat e shteteve të NATO-s, janë duke vazhduar samitin në Çikago, ndërsa të hënën pritet të miratohen edhe planet për përfundimin e misionit në Afganistan, misioni i cili, në këtë moment, është më i madhi për nga numri që ka aleanca./BS/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit