MELBURN (AA) – Kleriku më i lartë i Vatikanit që akuzohet ndonjëherë në skandalin e abuzimit seksual të Kishës Katolike Romake, kardinali australian George Pell, do të gjykohet për abuzim seksual të fëmijëve në kishën katolike në të cilën ka shërbyer gjatë viteve të 70-ta, raporton Anadolu Agency (AA).
Sot në Gjykatën Themelore të Melburnit u mbajt seanca rreth akuzave për abuzim seksual ndaj kardinalit Pell, këshilltarit të lartë financiar të Papa Françeskut.
Gjykatësja Belinda Wallington vendosi për gjykimin e klerikut katolik, duke thënë se ka mjaft prova që mbështesin disa akuza ndaj tij.
Mbi 30 dëshmitarë janë dëgjuar në muajin mars gjatë disa seancave paraprake, në të cilat nuk dihet se çfarë akuza janë drejtuar për kardinalin Pell.
Megjithatë, në seancat publike, Pell është akuzuar për abuzime seksuale në një katedrale dhe në një kinema dhe pishinë në shtetin Victoria gjatë viteve të 70-ta.
Nga ana tjetër, akuzat që shkaktuan gjykimin e Pell mbahen të fshehta me vendim të gjykatës.
Kardinali Pell, i cili u paraqit në seancë së bashku me avokatin e tij Robert Richter, i mohoi akuzat.
Ndërkohë, Phil Nagle, i cili thotë se është një nga viktimat e abuzimit seksual të klerikut katolik, duke folur për AA, gjykimin e Pellit e quajti si një “ditë historike”.
Ai tha se vendimi i gjykatës tregon se abuzuesit mund të nxirren para drejtësisë pavarësisht se sa të fortë mund të jenë.
“Jemi të rehatuar që kardinali do të gjykohet për disa akuza dhe do të dalë para trupit gjykues. Gjithnjë kishim shqetësime se akuzat nuk do të pranoheshin”, tha Nagle, i cili, megjithatë, e cilësoi si “zhgënjim” rrëzimin e disa akuzave.
“Në përgjithësi, rezultati është i gëzueshëm. Nuk japim numër, por ai do të gjykohet për mbi gjysmën e akuzave”, u shpreh ai.
Nesër në Gjykatën e Qarkut do të merret vendimi se kur do të gjykohet kleriku 76 vjeçar Pell, të cilit i është konfiskuar pasaporta dhe është liruar me kaucion.