Gjatë vitit 2013 në mesin e investimeve të huaja, kanë shënuar rritje edhe investimet zvicerane në Kosovë. Janë 31.6 milionë euro investime nga Zvicra që janë regjistruar gjatë nëntëmujorit të vitit 2013 në Kosovë.
Bëhet fjalë për rritje prej 6 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2012.
“Sipas të dhënave të BQK-së, investimet nga Zvicra gjatë vitit 2012 kanë qenë 43.8 milionë euro, ndërsa në nëntëmujorin e vitit të kaluar 31.6 milion euro. Nëse bëjmë krahasimin për nëntëmujor të dy vjetëve, atëhere nënkupton që gjatë vitit 2013 kemi pasur ngritje të investimeve prej 6 % nga Zvicra, pasi që gjatë të njëjtës periudhë të 2012-s vlera e investimeve ishte 30 milionë euro, ndërsa më 2013 vlera e investimeve është 31.6 milionë euro”, thotë për albinfo.ch Valdrin Lluka, kryeshef ekzekutiv i
Agjencisë për Promovimin e Investimeve në Kosovë (APIK).
Investimet zvicerane sollën edhe 35 kompani të regjistruara në Kosovë.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrim të Biznesit (ARBK), sektorët ku më së shumti ka shprehur interesim për investime janë: ndërtimtaria, sektori financiar, hoteleri dhe turizëm, procesim, veprimtari shërbyese, transport dhe telekomunikacion.
Zvicra është në mesin e shteteve nga të cilat vijnë më së shumti bizneset e regjistruara në Kosovë, prijnë Shqipëria, Turqia, Maqedonia dhe Gjermania.
Valdrin Lluka, udhëheqës i Agjencinë për Promovimin e Investimeve, thotë se edhe gjatë vitit 2014 do ta vazhdojnë me promovimin e Kosovës në konferenca, panaire, B2B si dhe ngjarje të tjera të rëndësishme, të cilat kanë ndikim në tërheqjen e investimeve.
Lluka thotë se Kosova ofron kushte të favorshme për investitorët e huaj, si: fuqia punëtore e re dhe e motivuar, tregu i lirë, taksat e favorshme si dhe procedurat e lehta të të bërit biznes.
“Kosova edhe këtë vit në raportin e Bankës Botërore “Të Bërit Biznes 2014” shënon progresin më të madh në rangimin e kësaj liste, duke u ngritur në pozitën e 86-të nga 189 vende të botës dhe është shpallur si një ndër TOP 5 nga 10 vendet reformatore në botë, duke bërë më së shumti përparim në 3 apo më shumë indikatorë të cilët maten nga raporti “Të Bërit Biznes” i Bankës Botërore”, thotë Lluka.
Duke aluduar në raportin e fundit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, Valdrin Lluka thotë se korrupsioni është më shumë perceptim sesa realitet në Kosovë, transmeton ekonomia-ks.
“Ne si agjenci i garantojmë investitorët e huaj se do t’i përkrahim nga momentin që vijnë në Kosovë e deri te realizimi i investimit të tyre dhe nëse hasin në probleme të korrupsionit, ata duhet të raportojnë te ne menjëherë. Të gjithë investitorët e huaj pajtohen se korrupsioni është më shumë percepcion sesa realitet në Kosovë”, tha Lluka.
Sido që të jetë, në vitin 2012 janë regjistruar një total prej 534 bizneseve të huaja, kurse në vitin 2013 ishin gjithsej 694 biznese të huaja të regjistruara në Kosovë. Kjo flet për një rritje prej 30 për qind të bizneseve të huaja të regjistruara në Kosovë.
Mediat në Prishtinë raportojnë se nga investimet e huaja në Kosovë gjatë periudhës janar – gusht të vitit 2013 kanë arritur të punësohen 834 punëtorë. Numri më i madh prej tyre është punësuar në sektorin e ndërtimtarisë. /Indeksonline/