2.6 C
Pristina
Tuesday, November 19, 2024

“Puthje franceze me bishtin prapa”

Më të lexuarat

Makron kërkon që të ketë një marrëdhënie serioze, por kur mbërriti të hënën në Uashington, (vizita e parë e një udhëheqësi të huaj për këtë administratë presidenciale amerikane), kishte me vete një agjendë të tijën, politike dhe personale.

Samanta Vinograd, CNN – Çdo javë unë ofroj një përmbledhje të shqyrtimeve që mund të kalojnë në tryezën e presidentit amerikan. E modeluar sipas përmbledhjes ditore të presidentit, që përgatitet çdo ditë nga Drejtori Informativ Kombëtar, përmbledhja ime javore përqendrohet mbi çështjet për të cilat duhet të informohet presidenti para se të ndërmarrë një vendim.

Ja përmbledhja e kësaj jave:

Puthje franceze me bishtin prapa

Presidenti francez Emanuel Makron nuk e ka fshehur dëshirën për t’ju joshur. Ju është qepur pas që nga takimi i parë në Bruksel, vitin e shkuar, që vazhdoi me ftesën në Francë për ditën e Bastijës. Ai do që të ketë një marrëdhënie serioze, por kur mbërriti të hënën në Uashington, (vizita e parë e një udhëheqësi të huaj për këtë administratë), kishte me vete një axhendë të tijën, politike dhe personale.

Makroni po përballet me kohë të vështira në Francë. Miratimi i publikut ka arritur pikën më të ulët që kur mori pushtetin, me vetëm 40% të francezëve që kanë mendim pozitiv për të. Vlerësimi ka rënë me 12% që nga ky Dhjetor. Rënia vazhdon gjithnjë e më fort për shkak të reformave të ndjeshme në sektorin publik.

Ai e ka përshkruar marrëdhënien me ju si “të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë”, por e di që në Francë nuk jeni shumë popullor (Ata që ju vlerësojnë pozitivisht atje janë 14%, sipas sondazheve). Kështu që, kur të kthehet, do të përpiqet të tregojë se nga kjo vizitë ka marrë diçka në këmbim për kohën, përpjekjet dhe durimin që ka investuar në marrëdhënien tuaj të pathyeshme. Makroni do të dojë t’ju tregojë se ai, ashtu si dhe Franca, po bëhen çdo ditë e më shumë si fuqia drejtuese e kontinentit. Makroni është lodhur me pozicionimin si mediator global, siç ndodhi me palestinezët, sirianët, rusët dhe libanezët, dhe do të kërkojë që ju ta njihni këtë rol të tijin, nga niveli personal.

Makroni ka një listë të gjatë planesh në axhendën e tij, si:

Rusia – T’i themi gjërat siç janë. Makroni nuk ësht pa ndikim kur vjen puna për Rusinë. Ai ka kërkuar dialog me Rusinë për sa i përket Sirisë, dhe Franca ka folur hapur kundër ndërhyrjeve ruse në zgjedhjet franceze, kundër veprimtarive të paligjshme në Ukrainë, si dhe ka përkrahur Britaninë e Madhe në rastin e helmimit të Sergei Skripalit dhe vajzës së tij. Makroni mund të kërkojë të bashkoheni me të e të vazhdoni të ndëshkoni sjelljen e keqe të Rusisë nëpër botë, ndërkohë që do të mbështesë dialogun në lidhje me përshkallëzimin e tensioneve në Siri. Franca mund të bëjë më shumë. Franca nuk ka vënë sanksione ndaj oligarkëve rusë, siç bëri administrata Trump kohët e fundit. Mund t’i përdorni këto takime për t’i bërë thirrje të ndërmarrë masa presioni kundër Rusisë, qofshin financiare, diplomatike apo të tjera. Vendosja e sanksioneve nga fronte të shumta mund të japë ndryshim domethënës, jo thjesht simbolik.

Siria – qëndro në Siri: Makroni mund të besojë se rruga për në Damask bëhet nëpërmjet dialogut me Moskën, por ai s’do që SHBA-të t’i tërheqin njësitë ushtarake nga Siria, të paktën jo që tani. Ai ka kërkuar merita për faktin se ju ka bindur t’i mbani forcat amerikane në Siri. Është e qartë që do të dojë të duket sikur i ka marrë disa vendime vetë. Do të dojë të ripohojë vlerën e misionit amerikan në Siri, dhe kjo mund të jetë një kohë e mirë për të sqaruar – privatisht, pastaj publikisht – se cilat janë vijat e kuqe të koalicionit për përdorimin e armëve kimike në të ardhmen. Franca mbetet partnere në fushatën kundër ISIS-it dhe ju duhet t’i kërkoni Makronit privatisht që të ofrojë më shumë nga burimet e Francës në Siri, ashtu dhe në vende të tjera, meqë Franca ka pësuar disa sulme të frymëzuara nga ISIS.

Iran – kjo marrëveshje është më mirë se pa marrëveshje fare. Makroni e ka kritikuar vendimin tuaj për t’u tërhequr në mënyrë të njëanshme nga marrëveshje si ajo e Parisit për ngrohen globale. Ai do t’ju shtyjë të shmangni anulimin e marrëveshjes me Iranin më 12 Maj. Ai e di se kërkesat e administratës për ta ndryshuar marrëveshjen nuk janë përfunduar me palët e tjera, dhe që afati përfundimtar për certifikimin amerikan është vetëm disa javë larg. Ai do ta përmendë marrëveshjen me Iranin kur t’i drejtohet kongresit me një fjalim gjatë kësaj jave. Të dielën pranoi se nuk ka plan B nëse tërhiqemi nga marrëveshja, kështu që gjasat janë që do të përpiqet shumë t’ju bindë se kjo marrëveshje është më mirë se të mos kesh marrëveshje fare. Mundësitë janë që ai të vijë në Uashington i pajisur me lëshime nga vendet e tjera që janë pjesë e marrëveshjes. (Gjermania e Anxhela Merkelit mund të përqendrohet shumë në këto pika kur t’ju takojë të premten.) Sanksionet e reja europiane kundër Iranit mund të jenë pjesë e paketës europiane për ta ruajtur këtë marrëveshje.

Tregti – miq me përfitime: Pasi vizitoi Berlinin të enjten, që ta përafronte qëndrimin e tij me të Merkelit, Makroni do të përpiqet t’ju bindë të hiqni dorë nga shpalljet e masave të njëanshme për marrëveshjet tregtare, si tarifat e çelikut dhe aluminit, që për pak sa nuk nisën një luftë tregtare para se të shpalleshin përjashtimet. Ndoshta ai do të përpiqet t’ju bëjë të zgjeroni përjashtimin e BE-së nga tarifat, dhe ndoshta do të përpiqet të kërkojë një deklaratë publike për këtë çështje.

Merkeli do të jetë me ju në Shtëpinë e Bardhë edhe disa ditë pas vizitës së Makronit. Gjasat janë që do t’i kenë bashkërenditur qëndrimet e tyre mbi këto çështje.

Kim Jong Un ka një listë kërkesash në samit 

Pasi Koreja e Veriut njoftoi se do t’i ndalonte testet bërthamore e madje do të mbyllte terrenin e testimeve , gjithandej pati ngazëllim, sidomos në Twitter. Ne mendojmë se ky veprim nuk ishte pajtues dhe as me mirëbesim. Kimi e ka bërë këtë njoftim sepse nuk ka më nevojë për teste. Ai e ka çuar programin bërthamor aty ku e donte. Deklarata origjinale nga Koreja e Veriut thoshte se “tashmë që është vërtetuar gjendja e plotë e armëve bërthamore, mund të mos kemi më nevojë për teste të rrezes së mesme e ndërkontinentale, dhe terreni i testimeve bërthamore në veri të vendit e ka përmbushur misionin”.

Koha kur u dha ky njoftim u duk sikur Kimi po shfaqte vullnetin e tij të mirë para samitit me presidentin Koreano-Jugor këtë javë, por nuk është flamur i bardhë paqeje. Është një lëvizje për të parapërgatitur rrugën që Koreja e Veriut të njihet si fuqi bërthamore. Ku do të dalë Koreja e Veriut me këtë?

Testet, të cilat nuk nevojiten më, janë pezulluar. Por programi bërthamor, jo.

Ky njoftim i Kimit si dhe afrimi i tij me Koreano-jugorin Mun, me lojëra olimpike e popin Korean, kanë qenë deklarata miqësore. Përpara takimit që do të bëhet të premten në zonën e demilitarizuar, dy udhëheqësit Koreano jugorë kanë vendosur një linjë të drejtpërdrejtë telefonike midis dy zyrave të tyre, për herë të parë.

Sigurisht që Mun do të dojë që samiti të jetë i suksesshëm. Ai ka investuar shumë personalisht për këtë arritje diplomatike. Por me gjithë këtë momentum që në dukje është pozitiv, mbetet pyetja se çfarë po kërkon Kim Jong Un?

Është e rrezikshme të hamendësohet se një udhëheqës paranojak si Kim Jong Un, që është angazhuar në shumë veprimtari dashakeqe, të ketë vendosur papritur ta hapë vendin për botën pa kërkuar asgjë si këmbim. Edhe nëse ka nisur të besojë se përqendrimi te rritja ekonomike kombëtare është rruga më e mira, çdo gjë është negociatë, të gjithë duan diçka, edhe Kim Jong Un.

Ai ndoshta e sheh këtë samit me Munin dhe me ju, z.President, si pjesë e një loje më të madhe. Prandaj, duhet të vlerësojmë se çfarë ka lista e tij e kërkesave.

Kimi vendos Kimin të parin: Në radhë të parë, Kim Jong Un do t’ia dijë vetëm për veten. Ai do të kërkojë të sigurohet që do të jetë i paprekshëm në rast të një ndryshimi regjimi, ose të ndonjë gjëje më të keqe. Edhe nëse vendos të heqë predhat bërthamore nga vendi i tij, do të duhet t’i jepet një siguri totale që s’është një dinakëri për ta rrëzuar nga pushteti. Mos harroni që ne mendojmë se nuk ka dalë ndonjëherë nga Koreja e Veriut, që nga viti 2011, dhe deri në udhëtimin e fundit që bëri në Kinë, në vitin 2018, për shkak të paranojës së thellë se mos organizohet një vrasje. Nëse Mike Pompeo nuk i ka dhënë Kimit siguri kur e ka takuar në fundjavën e pashkëve, Kimi do të dalë ta kërkojë një të tillë para se të bëjë lëshime të vërteta.

Ai do të jetë mbreti i ballos bërthamore: E kemi parë se sa i dashuruar është Kimi me vëmendjen që kur nisi turneun e reklamimit këtë Janar. Është e qartë që ai ka nevojë të dëshpëruar për vëmendje. Njohja botërore si fuqi bërthamore ka kohë që është pjesë e kërkesave të tij. Nëse do të pranojë të kompletoj çmontimin e programit bërthamor, do të dojë të pranojë se pavarësisht kufizimeve, ai arriti ta përmbushë zotimin për kapacitetin bërthamor, që u ka shpëtuar shumë të tjerëve. Ai nuk do të dorëzojë gjë nëse e gjithë bota nuk e pranon që ai arriti t’i ndërtojë.

Ai do të rimëkëmbë llogarinë bankare:Nuk ka dyshim që snaksionet ndërkombëtare, të caktuara nga administrata Trump, e kanë kufizuar aftësinë e Kimit për të financuar projekte të reja. Janë ngrirë me miliarda dollarë tregti dhe Kimi ka vese të shtrenjta, që nga mallrat e luksit e deri te ushtria. Në një vend ku 70% e 25 milionë banorëve nuk e kanë të sigurt ushqimin dhe ku kequshqyerja është e përhapur, Kimi shpenzon shumë për mbrojtjen. Buxheti i fundit i Koresë së Veriut, që mbase ka qenë më shumë propagandë se buxhet, thotë se shpenzimet për mbrojtjen arrijnë në 15.8% të GDP, por analistët thonë se vlera e vërtetë është shumë më e lartë. Koreja e Veriut ka një nga ushtritë më të mëdha në botë që janë në gjendje gatishmërie.Kimi ka folur gjithashtu për reforma si hapja e zonave ekonomike ku të tërheqë investues të huaj (sanksionet e bëjnë të pamundur). Kimi do të dojë të hiqen disa nga sanksionet dhe t’i zëvendësojë me ndihmë të drejtpërdrejtë ekonomike, që të vazhdojë jetën e luksit dhe të ushqejë pasionet e tij: ushtrinë, resortet e skive dhe vizitat e personave të famshëm.

Do që të jetë bashkuesi në krye:Kimi ka folur për bashkimin e gadishullit në të shkuarën (ndoshta në ndonjë imagjinatë mizore të tijën), dhe teksa shkon në samitin midis koreve dhe takohet me ju, mendojmë se do të dojë masa për t’i përafruar dy koretë. Këto masa mund të kërkojnë bashkime familjes të ndara nga lufta dhe një fund zyrtar të vetë luftës. Që të përmbushë dhe nevojën për lëvdata,Kimi do të dojë të njihet botërisht si njeriu që bashkoi gadishullin Korean.

Nuk ka më puro kubaneze

Kubanezët përjetuan një kalim pushteti historik javën e shkuar. Raul Kastroja ia kaloi presidencën pasardhësit që zgjodhi vetë, Miguel Diaz-Canel, i cili u votua nga Asembleja Kombëtare e Kubës (parlamenti, dhe fitorja e tij s’ishte aspak e vështirë, pasi ishte i vetmi kandidat). Por kjo është sa për dukje, sepse Raul Kastroja s’ka ndërmend të shkojë gjëkundi. Ai mban ende pozitën më të rëndësishme në vend, si kryetar i Partisë Komuniste, ndaj fundi i Kastrove në presidencë nuk do të thotë që politikat e tyre do të lihen mënjanë. Kreu i Partisë Komuniste në Kubë është “forca udhëheqëse e shoqërisë dhe shtetit”. Vendimet i merr partia, jo presidenti.

Në fjalimin e lamtumirës (që zgjati vetëm 90 minuta, ndryshe nga monologu i gjatë i të vëllait, Fidelit), Kastroja tha se Diaz-Canel do të shërbente për dy mandate 5-vjeçare dhe në vitin 2021 do të merrte drejtimin e Partisë Komuniste, kështu që Kastrot do të jenë të paktën edhe tre vite në drejtim të Kubës.

Diaz-Canel dhe shumica e anëtarëve të qeverisë kanë lidhje shumë të forta me Kastrot, kështu që Diaz-Canel nuk pritet të shfaqë ndonjë lëvizje të guximshme. Lidhjet e tij me Kastron kanë ekzistuar prej shumë vitesh. Ai ka qenë përgjegjës për sigurinë gjatë Luftës së Ftohtë.

Kastroja solli disa reforma në Kubë, si lejimi për të udhëtuar, hapja e marrëdhënieve diplomatike me SHBA-të me presidentin Obama, dhe vendime të tjera pozitive për socialist. Këto reforma, si dhe të tjerat në të ardhmen, kanë kërkuar gjithmonë miratimin e Partisë Komuniste. Kështu që edhe nëse Diaz-Canel kërkon të provojë ndonjë gjë ë re, ambiciet e tij do të kontrollohen nga partia.

Pavarësisht kalimit të pushtetit, e ardhmja e popullit të Kubës mbetet ende e lidhur me Kastrot. Pyetja është nëse Raul Kastroja do të pranojë të bëjë liberalizime politike apo lëvizje të tjera për rendin ligjor. Pa miratimin e tij, Diaz-Canel nuk ka asnjë kapital politik dhe as shtigje të tjera për të bërë ndonjë gjë më ndryshe nga ç’kemi parë deri tani.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit