Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias nis sot pasdite një tur ballkanik ku do të vizitojë Serbinë, Kosovën dhe Maqedoninë.
Me gjithë raportimin e gazetës “Protothema” se në këtë tur përfshihet dhe Shqipëria, Ministria shqiptare e Jashtme konfirmoi që Kotzias nuk do të vizitojë Tiranën.
Fillimisht shefi i diplomacisë greke do të udhëtojë për në Beograd, ku vizita e tij ka në thelb forcimin e marrëdhënieve dypalëshe. Më pas ai viziton Prishtinën.
“Megjithëse Greqia nuk e ka njohur Kosovën, vizita e Nikos Kotzias ka një mesazh pozitiv edhe në këtë nivel. Është njëkohësisht një lëvizje e vullnetit të mirë ndaj Tiranës”, shkruan “Protothema”.
Ndërkohë, fokusi më i madh do të jetë për vizitën e tij në Shkup.
Sipas raportimeve, Kotzias bashkë me homologun e tij Dimitrov do të përmbyllin marrëveshjen për zgjidhjen e çështjes së emrit, e cila më pas do të firmoset nga kryeministrat përkatës./abcnews.al