Si mund t’i priten burimet “terrorizmit” në Rusi? Kësaj pyetjeje përpiqet t’i japë përgjigje në bisedë me DW, Eberhard Schneider, politolog dhe anëtar i Qendrës së BE për Rusinë.
Deutsche Welle: Ditët e fundit në Volgograd u vranë në atentate më shumë se 30 vetë. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e atentatit. Cilët doras diskutohen për një akt të tillë?
Eberhard Schneider: Besoj se ekziston një lidhje me të vetëemëruarin Emir të Emiratit Kaukaz, Doku Umarov. Para një gjysmë viti ai i deklaroi këto atentate terroriste, për t’i dëmtuar Lojërat Olimpike.
Në rajonin e Soçit, ku do të zhvillohen Lojërat Olimpike 150 vjet më parë jetonin rreth një milionë çerkezë. Ky është një popull kaukazian i besimit islamik, i cili i bëri për shumë vite rezistencë carit. 400.000 çerkezë ranë në luftë, 400.000 të tjerë u dëbuan. Umarovi ka shpallur një hakmarrje dhe revansh për këtë kohë.
Kësaj i shtohet: Umarovi është çeçen. Deri në vitin 2007 ai luftoi para së gjithash për shkëputjen e Çeçenisë nga Rusia. Prej vitit 2007 ai e ka ndryshuar pozicionimin. Ai është më tepër i interesuar për përhapjen e fesë islame. Ky është një interpretim fondamentalist i Kuranit. Element kryesor i këtij interpretimi është që besimtarët duhet t’i përgjigjen luftës si detyrim fetar kur ajo është e domosdoshme.
Çfarë rëndësie ka varfëria e madhe e Kaukazit?
Njëri nga shkaqet për aktet terroriste ndodhet në tensionet ekonomike dhe sociale në republikat e Kaukazit. Në Çeçeni ndërkohë ka qetësi, por trazirat janë spostuar në republikat fqinje të Dagestanit. Papunësia këtu është 70 për qind. 40 për qind e të rinjve jetojnë nën minimumin e ekzistencës. Situata ekonomike duhet të përmirësohet, për ta tharë në plan afatgjatë bazën sociale për “terroristët”.
Si duhet të sillet tani Putini?
Po të isha në vendin e Putinit, do të përpiqesha të ndërtoja një “fe islame” të tipit rus – pra një fe të moderuar islame, që orientohet te Rusia. Ai duhet t’i ndërmarrë të gjitha përpjekjet, në mënyrë që të mos shpërndahet edhe më tej “vahabizmi” në Rusi.
Aktualisht ai po përhapet në gjithnjë e më shumë xhami, po përhapet midis imamëve, para së gjithash në Kazakistan. Në kohët sovjetike, feja luftohej nga shteti. Pas shpërbërjes së BS, xhamitë konstatojnë se u mungojnë imamët. Pra ato iu drejtuan sërish botës së jashtme islamike. Dhe Arabia Saudite, prej nga vjen “vahabizmi”, ishte shumë e gatshme që të ndihmojë me përgaditjen e imamëve.
Pra dora e fortë e Putinit nuk e zgjidh patjetër punën?
Është mënyra e tij për t’u shprehur me fjalë të fuqishme. Por vetëm fjalët nuk të bëjnë dobi. Ai duhet të përmirësojë para së gjithash situatën socialekonomike. Ku venë të rinjtë, kur nuk gjejnë më punë? Ata shkojnë te “terroristët”, sepse atje e gjejne veten…
SHBA e kanë siguruar Rusinë se do ta ndihmojnë. Çfarë kuptimi ka kjo?
Amerikanët mund të ndihmojnë në radhë të parë me informacione. Rusët nga ana e tyre i ndihmuan amerikanët në atentatin në Boston. Për fat të keq, autoritetet amerikane nuk i vlerësuan si duhet informacionet që morën nga Moska. /dw/
*Artikulli është sjellë nga Deutche Welle, ai nuk reflekton edhe qendrimin e redaksise kohaislame.com