Shqipëria renditet ndër vendet me përdorim të tepruar të antibiotikëve.
Referuar të dhënave të indeksit të shëndetit për konsumatorët për 2017 rezulton se përdoren 22.7 doza antibiotik për një mijë banorë.
Në Europë rreth 36% e fëmijëve pacient marrin antibiotik, ndërsa në vendin tonë kjo shifër është dyfish më e lartë.
Në një kohë kur e gjithë bota po rrezikohet nga rezistenca ndaj antibiotikut edhe në vendin tonë specialistët e shëndetësisë apelojnë që mjekët të mos japin antibiotik pa kriter.
Sipas Studimeve të ISHP në vendin tonë rreth 50% e antibiotikëve që shënohen në receta janë të tepruar.
Referuar të dhënave zyrtare nga Doganat në vendin tonë për 2017 janë importuar rreth 986 milionë lekë antibiotik, prej të cilave 58 milionë leka janë preparate që përmbajnë penicilina dhe derivatet prej tyre ndërsa pjesa tjetër përmbajnë antibiotik.
Gjatë vitit që lamë pas antibiotikët e importuar janë rritur pasi në vitin 2016 janë importuar rreth 795 milionë lekë.
Por ajo që bie në sy është fakti që preparate me penicilinë për 2017 kanë pësuar një ulje të importit si në vlerë financiare ashtu edhe në peshë.
Ndërkohë në vendin tonë prodhohen antibiotikë dhe për vitin 2017 lënda e parë bruto e importuar ka qenë në vlerën e 100 mijë lekë./Pamfleti