-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

“Superdrejtori” që ia aprovoi vetes mbi 30 udhëtime jashtë vendit

Më të lexuarat

Enis Berisha në kohën kur ishte drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave (ARRH) kërkesat për udhëtime zyrtare jashtë vendit vetë i aprovonte, gjë e cila përbën konflikt të pastër interesi. Pas një mal shkeljesh, ai është kandidat për anëtar të Bordit të Telekomit të Kosovës.

Enis Berisha në kohën kur ishte drejtor i përgjithshëm i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës (ARRH) vetë bënte kërkesë për udhëtime zyrtare jashtë vendit, vetë i aprovonte.

Gazeta “Zëri” gjatë një hulumtimi ka siguruar të dhëna se si Berisha ia kishte aprovuar vetes mbi 30 kërkesa për udhëtime zyrtare jashtë vendit, të cilat kapin vlerën prej rreth 23 mijë eurove. Madje në njërin nga dokumentet shihet se Berisha në shkurt të vitit 2016 kishte bërë kërkesë për udhëtim zyrtar në Bruksel, përderisa kërkesa do të duhej të miratohej nga kryesuesi i Bordit. Por, meqë institucioni në atë kohë nuk kishte bord, Berisha ia kishte miratuar kërkesën vetes pa e marr një aprovim nga zyrtarët tjerë kompetentë të institucionit. “Mbi 30 vizitat jashtë vendit të ish-drejtorit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave prej vitit 2014-2016 i kanë kushtuar buxhetit mbi 23 mijë euro”, kanë thënë burimet.

Mediet po ashtu kanë raportuar më herët për një mal shkeljesh të ish-drejtorit të ARRH-së, Enis Berisha. Ky përpos pagës së drejtorit për dy vjet e shtatë muaj është paguar edhe si anëtar i Bordit të këtij institucioni, ndonëse bordi nuk ka qenë funksional.

Paga mujore e anëtarit të Bordit ka qenë 490 euro, ndërsa në total gjatë asaj periudhe Berisha ka marrë në mënyrë joligjore rreth 18 mijë euro.

Por këtu nuk kanë përfunduar përfitimet e Berishës pasi ai ka marrë edhe pagën e drejtorit edhe 3 muaj e gjysmë pasi i kishte përfunduar kontrata e punës. Atij i ka përfunduar kontrata më 15 korrik të 2016-s, por ka vazhduar të mbajë këtë post deri më 1 nëntor të 2016-s. Vetëm për këta tre muaj e gjysmë ish-drejtori i ARRH-së është pasuruar me jo më pak se 4865 euro.

Për shkak të këtyre dyshimeve për keqpërdorime “Zëri” ka siguruar edhe një dokument, në të cilin dëshmohet se Njësia e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës në vitin 2017 ka nisur hetimet ndaj Enis Berishës për këto çështje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit