13.1 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Plumbi në benzinë shkakton kriminalitet?

Më të lexuarat

Duke punuar në laboratorin e tij më 1921, Thomas Midgley kërkonte të ushqente me karburant një të nesërme më të lumtur. Ai krijoi tertatilin e plumbit – një përbërës që i bëri motorët e makinave më eficentë se kurrë.

Por a solli plumbi që ai i shtoi benzinës diçka shumë më të keqe? A qe ai shkaku i një dallge rritjeje kriminaliteti që zgjati për shumë dekada dhe që filloi të ulej vetëm pasi elementi helmues u hoq nga mjedisi ynë?

Për shumë kohë gjatë shekullit të 20, krimi u rrit dhe u rrit dhe u rrit. Sa herë që një sekretar për Çështjet e Brendshme në Britani – apo homologët e tij në vendet e tjera, – merrnin postin – zyrtarët u tregonin atyre grafikë dhe mërmërisnin duke kërkuar ndjesë se nuk kishin asgjë në dorë për të ndaluar rritjen e kriminalitetit.

Pastaj, rreth 20 vjet më parë, tendenca u përmbys – dhe njësi të shumta matëse për krimet e rëndësishme shënuan rënie që vijoi gjatë dhe gjatë. Kriminaliteti ka rënë në kombet ku qeveritë kanë ndjekur politika krejtësisht të ndryshme nga fqinjët e vet.

Nëse kombi juaj mbyll më shumë kriminelë në burg se sa mesatarja, krimi ka rënë. Nëse burgos më pak… krimi ka rënë gjithashtu. Askush nuk e di me siguri se pse ka ndodhur kjo. Por janë disa njerëz që besojnë se ishte heqja e plumbit nga benzina dhe se ky ishte faktor kyç.

Plumbi thithet në kocka, dhëmbë dhe gjak. Ai shkakton dëmtim veshkash, pengon rritjen trupore, shkakton dhembje mesi, anemi dhe mund të dëmtojë sistemin nervor. Më shumë se një shekull më parë, një komision i rekomandoi qeverisë së Britanisë që gratë nuk duhet të lejohet të punojnë në industri të lidhura me plumbin për shkak të dëmeve që u shkakton ky element organeve riprodhuese. Nga vitet 1970, studimet tregonin se fëmijët helmoheshin nëse mbanin në gojë thonj me të cilët patën gërvishtur sasi të vogla boje me përmbajtje plumbi në shtëpi apo shkollë.

Studimet treguan se ekspozimi ndaj plumbit gjatë shtatzënisë redukton përmasat e kokës te bebet. Te fëmijët apo te të rriturit, plumbi shkakton dhembje koke, dëmton rezultatin e testit të inteligjencës dhe mund të krijojë sjellje agresive disfunksionale.

Nëse dëshiron të kuptosh shkaqet e krimit – dhe të jesh i ashpër me to – atëherë duhet ta fillosh me plumbin, thotë dr. Bernard Hesh (Gesch), një psikolog në Universitetin e Oksfordit, i cili ka studiuar efektet e dietës dhe faktorëve të tjerë mjedisorë mbi kriminelët.

“Plumbi është një neurotoksinë shumë e fuqishme, – thotë Gesh. Ajo ka një seri efektesh në tru që janë demonstruar nga qindra studime të ndryshme biologjike. Plumbi ndryshon formimin e trurit. Ai redukton materien gri në zona përgjegjëse për gjëra të tilla si kontrolli i impulseve dhe funksionet ekzekutive – d.m.th. të menduarit dhe të planifikuarit”. Në fjalë të tjera – helmimi me plumb sjell vendime të këqija. Teoricienët e plumbit thonë se helmimi ka një efekt të mëvonë në kohë, i cili nuk mund të kuptohej deri së fundmi.

Në fillim të viteve 1990, ekonomisti dhe konsulenti për strehimin Rik (Rick) Nevin ishte duke peshuar nëse ia vlente që SHBA të shpenzonte shuma të mëdha parash për të pastruar bojën me plumb nëpër shtëpitë e vjetra të qyteteve amerikane. Në atë kohë, të gjithë e dinin se plumbi shkaktonte probleme të mëdha për trurin dhe kërkonte shumë vite që të dilte nga trupi.

Dhe kjo gjë e shtyu Nevinin të mendonte. A mundej që akumulimi i plumbit me kalimin e kohës të shkaktonte ndryshime në sjellje, të cilat në fund bëheshin kriminale? Nevini llogariti rritjen dhe rënien e pranisë së plumbit nga nafta dhe krahasoi kurbën me historinë moderne të krimeve të dhunshme. Ajo që zbuloi ishte befasuese.

Kur sasia e plumbit në mjedis u rrit, Nevin tregoi një rritje korresponduese në krimin e dhunshëm dy dekada më vonë. Dhe pastaj sasia e plumbit në mjedis ra, krimi i dhunshëm ra gjithashtu, sërish 20 vjet me vonesë.

A ishte ky një rezultat statistikor i çuditshëm? A kishte ndonjë provë që plumbi aktualisht ka shkaktuar krime?

Katërmbëdhjetë vjet më parë, prof. Xhesika Volpau-Rejes (Jessica Wolpaw-Reyes), ekonomiste në Masaçusets, ishte shtatzënë dhe po bënte atë që shumë nëna në pritje bëjnë – po mësonte mbi rreziqet ndaj shëndetit të fëmijës së saj të palindur. Ajo filloi të lexojë mbi plumbin në mjedis dhe, njësoj si Nevin para saj, filloi të peshojë lidhjen e plumbit me krimin.

“Çdokush po përpiqej të kuptonte se pse krimi po ulej”, – rikujton ajo. – Kështu unë desha të testoj nëse kishte ndonjë lidhje shkakësore mes plumbit dhe krimit të dhunshëm dhe mënyra se si unë e bëra këtë ishte që të shihja heqjen e benzinës me plumb nga SHBA në vitet 1970, për të parë nëse ajo kishte lidhje me ecurinë e reduktimit të krimeve në vitet 1990”.

Ajo mblodhi të dhëna mbi plumbin nga çdo shtet, përfshirë shifrat për shitjen e benzinës. I vendosi në grafik normat e krimit në çdo zonë dhe pastaj përdori teknika statistikore të zakonshme për të përjashtuar faktorë të tjerë që mund të shkaktojnë krimin. Rezultatet e saj mbështetën hipotezën e lidhjes së plumbit me krimin.

“Ka një lidhje shkakësore thelbësore, – thotë ajo. Unë mund të shoh variacionet nga një shtet në tjetrin. Shtetet që përjetuan rënie veçanërisht të shpejtë apo veçanërisht të hershme në normat e plumbit përjetuan rënie veçanërisht të shpejtë apo veçanërisht të hershme në normat e kriminalitetit njëzet vjet më vonë”.

Ajo thotë se kërkimi i saj identifikoi nivele të ndryshme krimi në shtetet me nivel të lartë apo të ulët plumbi. Kërkimi origjinal i Nevin vuri në dukje helmimin me plumb në fëmijëri dhe rritjen e probabilitetit që njerëzit e kësaj gjenerate të kryenin krime në moshën e adoleshencës. Të dhënat e Volpau-Rejes dukej se tregonin se ligjet kundër ndotjes në SHBA e përmbysën këtë tendencë në nivel shteti.

“Plumbi ndryshon cilët jemi ne, – thotë ajo. – Nëse dëshiron të thuash, Xhesika, unë nuk besoj te historia jote, atëherë përgjigjja ime është se ti duhet të nxjerrësh një histori tjetër për të shpjeguar se pse ne kemi gjetur këtë lidhje mes nivelit të plumbit në vitet 1970 dhe 1980 dhe krimeve në vitet 1990 dhe 2000. Për më tepër duhet të jesh në gjendje të tregosh se pse kjo marrëdhënie tashmë po shfaqet edhe në studime për bullizmin (sjelljen agresive të fëmijëve ndaj njëri-tjetrit), problemeve në sjelljen e fëmijëve, krimin mes adoleshentëve, vetëvrasjet dhe abuzimet me drogat. Duhet të më tregosh një histori se pse të gjitha këto janë të lidhura rastësisht”.

Që nga ajo kohë, të dhënat për teoricienët e plumbit janë bërë gjithnjë e më të detajuara. Nevit dhe mbështetësit e tij parashikuan se normat e krimit do të ulen në kombe të tjera njëzet vjet pas ndalimit të benzinës me plumb dhe teoria e tyre duket se është vërtetuar në Europë.

Benzina me plumb u hoq nga Britania më vonë se sa në Amerikën e Veriut – dhe normat e kriminalitetit filluan të bien më vonë se sa në SHBA dhe Kanada.

Teoricienët e plumbit thonë se të dhënat që kanë mbledhur dhe llogaritur nga çdo komb tregojnë të njëjtën tendencë 20-vjeçare – sa më herët të hiqet plumbi nga mjedisi, aq më herët do të fillojë të ulet krimi.

Dr. Bernard Gesh thotë se të dhënat tashmë sugjerojnë se plumbi mund të jetë përgjegjës për 90 për qind të normës së rritur të kriminalitetit gjatë shekullit të 20 në të gjithë botën

“Shumë njerëz mund të thonë se korrelacioni nuk është shkak-pasojë”, – thotë ai. “Por duket se sa më i lartë të jetë ekspozimi, aq më ekstrem është sjellja. Natyrisht nuk po them se plumbi është i vetmi shpjegim pse norma e krimit po ulet – por natyrisht është faktori më i rëndësishëm. Vetëm në rast se dikush na thotë ne se truri nuk është i përfshirë në vendimmarrje, atëherë plumbi nuk ka pse të merret si faktor te krimi”.

Po pse kjo teori nuk është universalisht e pranuar?

E pra ajo mbetet një teori për shkak se askush nuk mund të helmojë qëllimisht mijëra fëmijë për të parë nëse ata bëhen kriminelë më vonë në jetë.

Teoricienët e plumbit thonë se kjo nuk ka rëndësi për shkak se problemi i madh janë kriminologët dhe politikëbërësit që nuk shohin dot përtej hundës së vet.

Por Roxher Methju (Roger Matthews), profesor i kriminologjisë në Universitetin e Kentit, e hedh poshtë këtë. Ai thotë se krimologët biologjikë janë jashtë realitetit.

“Unë nuk shoh ndonjë lidhje, – thotë ai. Nëse kjo shkakton ndonjë lloj efekti, pse duhet që këto efekte të jenë kriminale? Gjërat që i shtyjnë njerëzit drejt krimeve janë shumë të ndryshme si fenomene, jo në natyrën e lëndës së tyre në tru. Problemi mbi këtë teori është se shumë nga këta [kërkues] nuk janë as së largu të interesuar në gjërat kryesore. Ka një histori të gjatë kjo që njerëzit janë përpjekur të lidhin biologjinë me krimin – se disa njerëz i kanë sytë shumë pranë njëri-tjetrit, apo kanë një kromozon tepër etj. Këto lloj teorish zhvlerësohen sërish dhe sërish. Por vijojnë të shfaqen. Është si bari i keq”.

Gesh nuk është dakord dhe thotë se debati mes biologëve tashmë po lëviz më tutje, për të parë se si të përmirësohet ushqimi për të luftuar sjelljen antishoqërore.

“Një nga problemet e të dhënave të drejtësisë penale është se shumë pak faktorë janë të mirë për të parashikuar normat e krimit. Por plumbi është”.

Volpau-Rejes thotë se të dhënat tashmë janë kaq të mira sa ajo po zbulon se policia dhe politikëbërësit në SHBA po i marrin ato seriozisht.

“Nuk mendoj se plumbi është e gjithë historia, por duke parë ekspozimin e gjerë mbarëbotëror dhe provat që ne kemi se si plumbi prek sjelljen, ka kuptim ta shohim se plumbi është një pjesë e rëndësishme e historisë. Të gjithë ne që lindëm në vitet ‘60 apo ‘70 u ekspozuam ndaj niveleve shumë të larta të plumbit – por jo të gjithë ne jemi kriminelë të dhunshëm. Por nëse dëshiron të gjesh se kush do të kryejë një krim më vonë, unë mendoj se ekspozimi i tyre ndaj plumbit kur kanë qenë fëmijë do të jetë i nevojshëm për të më ndihmuar mua të hamendësoj. Natyrisht që nuk do të ketë parashikim të saktë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit