-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

BE përpjekje të përbashkëta me vendet e Ballkanit rritin kontrollin mbi luftëtarët që kthehen nga Siria

Më të lexuarat

Vendet e Ballkanit po forcojnë masat e sigurisë dhe po futin sanksione të reja për të kontrolluar lëvizjen e e shtetasve të tyre që luftojnë në Siri.

Bashkimi Evropian po shqetësohet gjithnjë e më shumë lidhur me luftetarët islamikë nga rajoni që iu bashkuan luftës në Siri dhe po kthehen tani në vendet e tyre, nga frika se ata mund të sjellin një element më të radikalizuar dhe më të rrezikshëm në Evropë.

“Dukuria është veçanërisht shqetësuese,” i tha The Associated Press ministri i brendshëm francez Manuel Valls.

Zyra e Koordinatorit të Kundër-Terrorizmit Gijë dë Kerçov shpërndau një notë për ministrat e BE javën e shkuar, duke kërkuar për “përdorim më të mirë të informacionit të pasagjerëve të linjave ajrore ne dispozicion të nëpunësve të sigurimit që ata të ndjekin gjurmët kur dhe si rebelët lëvizin në Siri” dhe një seri masash të tjera, duke përfshirë “goditjen ligjore mbi rrjetet e rekrutimit,” bashkëpunimin me vendet e treta, përfshirë Turqinë dhe mbikqyrjen e aktiviteteve në internet.

Ministrat e BE kanë rënë dakord për “një qasje më të integruar mbi shkëmbimin e informacionit si dhe zbulimin dhe ndjekjen e “lëvizjeve xhihadiste” dhe bënë thirrje për një “futje të shpejtë të një strategjie të re evropiane për të luftuar radikalizmin.”

Bashkimi Evropian e sheh situatën si një kërcënim të madh sigurie.

“Ata nuk janë ca luftëtarë romantikë të lirisë,” tha shefja e kundër-terrorizmit e Britanisë Helen Ball.

Rreth 2.000 luftëtarë nga Evropa besohet se luftojnë në Siri me forcat rebele, një rritje që nga pranvera, kur numri i përllogaritur ishte në 600 deri 800. Rreth 500 luftëtarë nga vendet e Ballkanit, “duke theksuar kontributtin nga vende të vogla si Bosnja dhe Kosova,” besohet të jenë të përfshirë, sipas zyrtarit të BE cituar nga AP.

Zyrtari vuri në dukje se qenë “80 deri 100” luftëtarë nga Kosova. Duke folur për SETimes, policia e Kosovës konfirmoi se disa shtetas të Kosovës janë përfshirë në luftimet në Siri, por zyrtarët thanë se numri është “i vogël”.

Në 4 dhjetor, media e Kosovës raportoi se policia në aeroportin e Prishtinës kapi një luftëtar shqiptar të Kososvës që kthehej nga Siria, i cili vinte nga Turqia. Policia e Kosovës nuk e konfirmoi as e mohoi arrestimin. Specialistët po analizojnë rreziqet e mundëshme ndaj sigurisë së vendit, bashkëpunimin e ngushtë me zyrën e prokurorisë për hapa të mëtejshëm.

“Ka informacion për disa të kthyer, i tha SETimes policia e Kosovës në një deklaratë. “Fakti që disa njerëz nga Kosova janë përfshirë në luftimet në Siri, përbën shqetësim se rreziku mund të rritet për shkak se këta vullnetarë mund të sjellin në Kosovë këta elemente apo atë frymë.”

Megjithatë, policia e Kosovës vlerësoi se shteti nuk ndeshet aktualisht me një rrezik të nivelit të lartë të terrorizmit, megjithëse “Kosova nuk është imune [ndaj tij], si çdo vend tjetër.”

Legjislacioni i Kosovës nuk ka sanksione për shtetasit që janë përfshirë në konflikte të armatosura jashtë vendit, megjithatë, siç vuri në dukje Seb Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Politikës Ballkaniker në Prishtinë, disa shtete kanë konsideruar arrestimin e atyre që kanë shkuar të luftojnë në Siri.

“Diçka e tillë mund të bëhet…ose një ligj i ri mund të hartohet,” i tha Bytyçi SETimes.

Në 5 dhjetor, Bosnje dhe Hercegovina (BiH) miratoi amendamentet për kodin e vet penal që ndalon nisjen nga BiH të shtetasve për të fushat e huaja të luftimit. Amendamenti i propozuar nga ministri për sigurinë Fahrudin Radonçiç parashikon dënime burgu për të gjithë ata që organizojnë, rekrutojnë, nxisin apo marrin pjesë drejtpërsëdrejti në konfliktet e armatosura jashtë BiH.

Sipas Agjencisë së Shërbimit Sekret të BiH, rreth 350 shtetas të BiH luftojnë aktualisht në Siri.

Sipas amendamentit, ata që rekrutojnë luftëtarë dhe organizojnë lëvizjen e tyre nga BiH në fushat e huaja të luftës do të marrin dënimin më të lartë, 10 vjet burg, ndërsa luftëtarët vetë mund të marrin një minimum prej 3 vjet burg pasi ata të kthehen në vend.

“Unë e mbështes plotësisht këtë amendament,” i tha SETimes Mehmed Bradariç, një anëtar i komitetit të parlamentit të BiH për mbrojtjen dhe sigurinë. “Ata njerëz përbëjnë rrezik për familjet e tyre së pari dhe pastaj rrezik për mbarë shoqërinë. Ka institucione të zbatimit të ligjit në BiH që duhet t’i sjellin këta njerëz para drejtësisë. Ne nuk duhet të merremi me këtë nga muaji tjetër, si me të gjitha gjërat, por tamam tani, sot.”

Autoritetet në Serbinë fqinjë po propozojnë gjithashtu masa ligjore për të sanksionuar shtetasit e tyre që luftojnë në Siri. Nën-kryeministri i Serbisë Rasim Ljajiç mbrojti idenë e kriminalizimit si të procesit të rekrutimit të luftëtarëve ashtu edhe të organizimit të nisjes së tyre në Siri.

“Dënimi me pesë vjet burg duhet të sanksionohet për organizatorët dhe me tre vjet për ata që shkojnë,” i tha Lajçiç SETimes.

“Ne duhet të parashikojmë kthimet [e luftëtarëve nga Siria], mënyrat për ta trajtuar këtë, masat parandaluese dhe veçanërisht shkëmbimin e informacionit mbi udhëtimet,” i tha AP ministrja e brendshme belge Zhoel Milke.

Ministrat e brendshëm të BE po vështrojnë të bashkëpunojnë më ngushtë me fqinjën e Sirisë, Turqinë, për ta ndihmuar në përmirësimin e kontrolleve në kufij dhe aeroporte” dhe për të bërë më shumë “për të ndihmuar në parandalimin e radikalizimit të individëve, veçanërisht në kampet e refugjatëve.”

E përditshmja turke Radikalka raportuar se qindra të rinj turq kanë luftuar në Siri, si për fraksionet e opozitës ekstreme përfshirë al-Kaedën, edhe për regjimin. Ata janë tipikisht të rinj, shumë nga ta prej krahinave Adijaman, Bingol, Batman dhe Dijarbakir.

Human Rights Watch i ka bërë thirrje Turqisë të rritë patrullat për të parandaluar lëvizjen ndërkufitare nga grupet e armatosura.

“Bazuar në atë se shumica e luftëtarëve të huaj në këto grupe [ekstremiste] gjejnë kalim në Siri nëpërmjet Turqisë, nga e cila ata gjithashtu kontrabadojnë armë, marrin para dhe furnizime të tjera dhe kthehen atje për trajtim mjekësor, Turqia duhet të rritë patrullat kufitare, të kufizojë hyrjen e luftëtarëve dhe të armëve për grupet që janë gjetur në mënyrë të besueshme të implikuara në shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut,” thoshte grupi mbikëqyrës në një raport të fundit.

Zyrtarët turq që i janë kundërvënë regjimit sirian, kanë kundërshtuar me forcë çdo hamendësim se ata kanë bashkëpunuar me grupet ekstremiste që hyjnë në Siri. Turqia strehon më shumë se 600.000 refugjatë sirianë, duke përfshirë më shumë se 200.000 vetë vendosur në kampet e refugjatëve.

“Ne e kemi pohuar vazhdimisht këtë, unë, kryeministri ynë i shquar dhe institucionet tona përgjegjëse. Turqia nuk ka lidhje me asnjë grup radikal në Siri, veçanërisht al-Nusra,” tha kohët e fundit ministri i jashtëm Ahmet Davutoglu. “Kjo është një propagandë e ndyrë avancuar nga ata që duan të hedhin hije mbi politikat humanitare të Turqisë.”

Analistët në rajon janë dakord se vendet anëtare të BE kanë shqetësime të ligjshme lidhur me shumë vullnetarë nga Evropa dhe vendet e Ballkanit që luftojnë në anën e rebelëve.

“Të ashtuquajturit rebelë janë të lidhur ngushtë, që do të thotë, janë në koalicion me shumë grupe terroriste, kryesisht al-Kaeda,” i tha SETimesVladimir Pivovarov, profesor në Universitetin FON të Shkupit. “Motivet e tyre për të shkuar në Siri janë të ndryshme. Megjithatë, edhe në qoftë se ata nuk janë anëtarë të disa grupeve terroriste, atje ata mund të kooptohen lehtë në ndonjë prej tyre. Kjo do të thotë mundësia më e kollajtë për organizatat terroriste për të përforcuar rrjetin e tyre në truallin evropian.”

Abit Hoxha, kërkues i lartë i sigurisë në Qendrën për Studime të Sigurisë në Kosovë, është dakord.

“Unë besoj se shqetësimi i BE është i drejtë, pasi njerëzit e përfshirë në çdo konflikt janë një sfidë për sistemin në situatat pas fundit të konfliktit,” i tha Hoxha SETimes.

Hoxha tha se ndihma sociale, ekonomike dhe edukuese dhe ngritja e parteneriteteve më të mira me komunitetet fetare, mund të ndihmonte për të kontrolluar eksportin e dhunës nga Siria në BE.

Ekspertët thanë se të gjitha vendet në rajon duhet të sanksionojnë përfshirje të tilla në përleshjet e armatosura, në zbatim të ligjeve penale ku pjesëmarrja në ushtritë e huaja dhe veprimet e huaja ushtarake është e ndaluar.

“Paraprakisht, shërbimet e inteligjencës duhet të vendosin bashkëpunim të ngushtë dhe të shkëmbejnë informacion inteligjence, me qëllim që të parandalojnë kandidatët e ardhshëm nga ikja në Siri dhe për ata që kanë ikur, ata duhet të ndërmarrin masa të kontrollit operacional për ta, sepse ata janë tashmë një problem në vendin e tyre,” tha Pivovarov.

Bytyçi tha se do të ishte e dobishme të bëhej një fushatë e ndërgjegjësimit publik për të informuar njerëzit lidhur me konfliktin e Sirisë dhe rolin e luftëtarëve të huaj.

Në këtë raport kontribuan korrespondentët Drazhen Remikoviç në Sarajevë, Bojana Milovanoviç në Beograd dhe Marina Stojanovska në Shkup.

Cilat janë masat më efektive që rajoni duhet të marrë për të penguar dyndjen e shtetasve lokalë në Siri dhe për të kontrolluar aktivitetin e luftëtarëve që kthehen në vendet e tyre? Ndani mendimet tuaja në seksionin e komenteve./set

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit