Catherine Ashton nesër, para shefave të diplomacive të vendeve të BE do të raportojë se Serbia ka plotësuar të gjitha kushtet që të mundë të fillojë negociata. I ka ftuar ata që t’i fillojnë këto negociata, njofton Tanjug.
“Ashtu siç kam bërë edhe në qershorin e shkuar dhe ashtu siç tregon ky raporti, sot ju ftoj të pranoni se Serbia i ka përmbushur të gjitha pikat thelbësore të Marrëveshjes së Prillit (të Brukselit)”, shkruan në fjalimin që Ashton e ka përgatitur për takimin e nesërm të Këshillit për Punë të Përgjithshme në Bruksel.
“Nëse pajtoheni me këtë konstatim, shpresoj se do të pajtoheni që konferenca e parë ndërqeveritare zyrtarisht ta hapni me Serbinë më së largu në janarin e vitit 2014”, porosit Ashton.
Në dokumentin pesë faqesh në të cilin përshkruhet përparimi në zbatimin e Marrëveshjes së parë për normalizim marrëdhëniesh Beograd – Prishtinë në detaje përshkruhet e gjithë ajo që është arritur deri më tani në shumë fusha, filluar nga mbajtja e zgjedhjeve lokale deri te policia e funksionimi i vendkalimeve të integruara kufitare (IBM).
Kur bëhet fjalë për gjyqësinë, Ashton ka thënë se “ka mjaft punë rreth gjykatës në rajonin e Mitrovicës dhe se do të caktohet numri i saktë i kuadrove gjyqësore në atë gjykatë”.
“Në Kosovë do të ekzistojë një Gjykatë supreme dhe një e Apelit e në Mitrovicë një Gjykatë themelore dhe një prokuror themelor në të cilin kuadrot gjyqësore serbe do të integrohen përgjithmonë në gjyqësinë kosovare”, shkruan në dokument.
“Nga kjo që u tha, është qartë se Serbia ka përmbushur të gjitha detyrimet kryesore, sidomos me atë që ka pranuar edhe një prokuror themelor për rajonin e Mitrovicës”, ka thënë Ashton.
“A do të thotë kjo se puna është kryere e rasti është mbyllur? Natyrisht se jo”, ka thënë Ashton dhe ka konstatuar se normalizimi nuk mund të bëhet brenda natës dhe se duhet kohë që të realizohet e tërë Marrëveshja.
Do të vazhdoj që me të dy palët të punoj në zhvillimin e mëtejmë të këtij procesi, thotë Ashton, fund të këtij raporti