Kryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq nuk ka vendosur të largohet nga insistimi i tij për ndarjen e Kosovës. Në një intervistë të shkurtër dhënë gazetës beogradase “Vesti Online”, ai ka deklaruar se “është këshilluar nga disa qarqe politikë-bërëse në Vatikan për ndarjen e Kosovës dhe anulimin e vendimit të para 40 vjetëve, kur u vendos kufiri i tanishëm mes Kosovës dhe Serbisë”.
“Duhet të bëhet korrektimi i linjës administrative mes Kosovës dhe Serbisë. Serbia duhet të anulojë vendimin e para 40 vjetëve, kur disa komuna serbe i mbetën Kosovës”. Ndërsa në pyetjen se kush i kishte propozuar korrektimin e kufirit me Kosovën, Daçiq përgjigjet: “disa qarqe diplomatike-politike në Vatikan”.
I pyetur gjithashtu se a nënkupton ndarja e Kosovës njohjen e Kosovës, ai tha: “Nëse nënshkruhet marrëveshja për një ripërkufizim të drejtë, është normale që marrëdhëniet tona të shkojnë drejt një normalizimi të plotë. Nëse ne jetojmë ende me mitet, do të mbesim pa asnjërën, u shpreh ai.
Daçiq gjithashtu ka shtuar se bashkësia ndërkombëtare duhet të pranojë faktin se ka një minoritet serb që nuk dëshiron të jetojë në Kosovën e pavarur dhe nëse shqiptarët kanë të drejtë të mos jetojnë në Serbi, kjo e drejtë duhet t’iu njihet edhe serbëve në Kosovë. Për këtë duhet të bëhet një ripërkufizim i drejtë mes shqiptarëve dhe serbëve.
Daçiq ka vlerësuar se për Serbinë është me shumë rëndësi të mos kapitullojë edhe nëse mbeten pa Kosovën, sepse kjo “i ka ndodhur shpesh në histori” dhe duhet ecur përpara drejtë BE-së.