Tre të vdekur dhe katër të plagosur, ku një prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë për jetën, është bilanci i një aksidenti të rëndë të ndodhur në aksin rrugor Shkodër-Velipojë.
Sipas burimeve, të konfirmuara nga policia, viktimat janë pjesëtarë të një familjeje, babai, vajza 5 vjeçe dhe foshnja 8-muajshe, ndërkohë që vajza tjetër e viktimës është në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Shkodrës.
Kryefamiljari Edmond Gjergji (Preka), i cili humbi jetën, po udhëtonte me makinën e tij tip “Alfa-romeo” me familjen e tij nga Velipoja në Shkodër në momentin që është përplasur me një tjetër automjet, tip Fuoristradë.
Mësohet se aksidenti ka ndodhur pranë Kishës së Velipojës dhe sipas informacioneve të policisë në aksident janë përfshirë dy makina, të cilat janë përplasur kokë më kokë.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe ato zjarrfikëse,për tu ardhur në ndihmë personave të mbetur në automjete.
Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe të shkakut të aksidentit.