Rrëfehet se një komandant ushtarak humbi betejën dhe ia mbathi nga sytë këmbët, duke u fshehur në një mal. Atje, ai u njoh me një burrë të mençur, i cili – siç thuhej – merrte vesh nga çdo gjë e kësaj bote. Komandanti e pyeti:”A s’më thua zotrote, cili është komandanti më i lavdishëm ushtarak në rang botëror?”
I mençuri ia ktheu:”Po, ai jeton pas tre malesh, në shtëpinë e pestë dhe ngjyrën e lëkurës së fytyrës e ka të kuqe.”
Menjëherë, komandanti në fjalë mori udhën, pasi donte të mësojë prej tij si të bëhej i lavdishëm. Me të mbërritur te shtëpia e përshkruar, trokiti derën, e cila kur iu hap, e la pa gojë. Personi që i doli para ishte një fukara në kulm, i cili i frikësohej hijes së tij, e jo më të ishte komandanti më i lavdishëm në botë.
Pasi u sigurua se nuk kishte gabuar shtëpi, komandanti mori udhën e kthimit krejt i zhgënjyer. Me të mbërritur tek burri i mençur, iu çorr i mërzitur:”Paske pasur kohë për tu tallur me mua zotrote?! Të kërkova të më prezantosh me komandantin ushtarak më të lavdishëm në botë, kurse ti më çove tek një fukara që i trembet hijes së tij!”
I mençuri i tha:”Ti je takuar me të vërtetë me atë që kërkoje, por ai nuk deshi të jetë i tillë. Ai nuk e di vlerën dhe talentin e vetes.”
Urtësia:
Shumë prej nesh posedojnë talete dhe dhunti të rralla, por frika i ka gozhduar, duke e humbur shansin të bëhen “komandantët më të lavdishëm në botë”.