Dr. Said Harib, zv.kryetar i Shoqatës “Dubai për memorizimin e Kuranit”, thotë:
“Në mesin e atyre që fituan në konkursin e Kuranit ishte edhe një fëmijë i vogël nga një shtet i ish Bashkimit Sovjetik. Ai ishte rreth 12 vjeç dhe recitimi i tij tërhoqi vëmendjen e të gjithë të pranishmëve.
Pas konkurrimit e pyetëm: Si arrite të mësosh përmendësh Kurani e Madhërishëm?? Dhe kush ta mësoi ta lexosh Kuranin me texhvid?
Ai tha: Babai.
Ne i thamë: Kush ia mësoi Kuranin babait tënd?
Ai tha: Gjyshi.
U çuditëm! E pyetëm se si arriti gjyshi yt t’i mësonte babait tënd Kuranin gjatë periudhës së sundimit të sistemit komunist ateist, i cili i ndëshkonte ose i vriste direkt muslimanët e përkushtuar në fe.
Ai tha: Babai im më ka thënë se gjyshi im e merrte atë (kur ai ishte i vogël) me vete në një vend larg fshatit, i mbyllte sytë me një leckë, vazhdonte rrugën me gomar deri sa hynim në hyrjen e një shpelle në mal e cila nga brenda ishte e gjerë. Me të mbërritur brenda në shpellë, ia hiqte leckën nga sytë, dhe nga një vend aty nxirrte pllakat mbi të cilat ishin gdhendur (shkruar) suret e Kuranit dhe ia mësonte ato atij. Pasi mbaronte mësimin ia lidhte prapë sytë me leckë, dhe bashkë me të kthehej në fshat.
Kështu e mësoi babai im Kuranin Fisnik
Ne e pyetëm vogëlushin se përse gjyshi i tij ia mbulonte sytë babait të tij.
Ai tha: Gjyshi im vepronte kështu sepse kishte frikë se mos strukturat e sistemit komunist ateist binin në gjurmët e tyre, e arrestonin të birin dhe e torturonin aq shumë sa ai do t’u tregonte vendin ku mësohej fshehurazi Kurani në shpellë.”
O Allah, ku jemi ne sot në krahasim me ata?
Allahu thotë: “Vërtet, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe Ne do ta ruajmë atë me siguri”.
Kjo është një ngjarje që e bën me turp secilin nga ne që jeton shumë vite në krah të xhamisë dhe nuk shkon të falë namazet apo të mësojë përmendësh Kuranin Fisnik.
E çuditshme është puna me atë person, që edhe pse sot anë mbanë vendit ka qendra për mësimin e Kuranit, nuk mendon një ditë që të mësojë qoftë edhe një sure derisa të takojë Zotin e tij.
E çuditshme është puna me kujdestarët, prindërit të cilët i kushtojnë shumë rëndësi ofrimit të rrobave dhe ushqimit më të mirë, ndërkohë neglizhojnë aspektin shpirtëror (besimin) dhe edukativ të fëmijëve të tyre.
O Allah, na mëshiro, na i pastro zemrat, bëje Kuranin pranverë në zemrat tona, na bëj prej atyre që e mësojnë Kuranin dhe meditojne në argumentet dhe mësimet e tij, o Zotëruesi i madhështisë dhe nderimit!