“Po e vrava unë”, kështu tha 51-vjeçari Agim Ajdinaj, duke pranuar se ka vrarë bashkëjetuesen e tij Khadija Bencheick pas disa orësh marrje në pyetje nga hetuesit, raportojnë mediat italiane.
Ai tha se prej kohësh situata ishte bërë e padurueshme, pazi ziheshin për arsye të kota.
Ajdinaj u la sot nën masën e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa nipi i tij Lisand Ruzhdija, 27 vjeç, i akuzuar si bashkëpunëtor në copëtimin e trupit të marokenes dhe transportimin në Gardoni, është lënë i lirë pas rrëfimit të Ajdinaj, se ishte ai që kreu vrasjen.
Trupi i gruas i masakruar në disa pjesë u gjet i braktisur në një zonë me ullishte në Valeggio sul Mincio, në lokalitetin Gardoni (Verona), mbrëmjen e 30 dhjetorit.
Sot, gjykatësja e gjykatës në Verona, Paola Vaça ka shpallur të ligjshëm arrestimin e Ajdinajt dhe nipit të tij.
Megjithatë, masa e arrestit me burg u vendos vetëm për 51-vjeçarin, ndërsa nipi i tij u lirua nga qelia. Ai do të hetohet në gjendje të lirë.
Ndërkohë, këtë të hënë, karabinierët kanë vijuar hetimet në banesën ku jetonte 51-vjeçari shqiptar dhe gruaja marokene, që ndodhet pranë stadiumit ”Bentegodi” në Verona. Dyshohet se gruaja është vrarë mbrëmjen e 29-dhjetorit teksa flinte.
46-vjeçarja jetonte në Itali prej më shumë se 20 vitesh ku ka punuar si kujdestare dhe si pastruese. Agim Ajdinaj ishte bashkëjetuesi i saj prej 1 viti pasi marokenia ishte ndarë nga ish-burri. Ngjarja po hetohet në pistën e mosmarrëveshjeve në çift mes 51-vjeçarit dhe viktimës.