1.8 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

“SHBA-të do t’u propozojnë palestinezëve kryeqytet në Ebu Dejs”

Më të lexuarat

Henije: Hamasi ka marrë informacion se SHBA-të do t’u ofrojnë zyrtarëve palestinezë një kryeqytet apo entitet në Ebu Dejs pranë Kudsit

GAZA (AA) – Kryetari i Byrosë Politike të Hamasit, Ismail Henije, bëri të ditur se kanë marrë informacion se SHBA-të do t’u ofrojnë zyrtarëve palestinezë një kryeqytet apo entitet në Ebu Dejs pranë Kudsit dhe se prej këtu, nëpërmjet një ure, do të lidhen me Mesxhid-i Aksanë”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në fjalimin e tij gjatë takimit për zhvillimet e fundit lidhur me pajtimin mes drejtuesve dhe udhëheqësve fisnorë palestinezë të mbajtur në Gaza, Henije tha: “Hamasi ka marrë informacion se SHBA-të do t’u ofrojnë zyrtarëve palestinezë një kryeqytet apo entitet në Ebu Dejs pranë Kudsit”.

Lidhur me përmbajtjen e propozimit, ai bëri të qartë se plani përfshin ndërtimin e një ure midis Ebu Dejsit dhe Aksasë dhe ndarjen e Aksasë në tre pjesë të ndryshme.

Duke reaguar për vendimin e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Kudsin, Henije shtoi: “Vendimi i Trumpit për Kudsin është një pjesë e luftës për asgjësimin e kauzës palestineze. Vendimi ka implikime për riformësimin e gjithë rajonit. Vendimi u mor jo vetëm për gjendjen e Palestinës, por dhe për ndryshimin e plotësishëm të gjurmëve të rajonit”.

Henije paralajmëroi se vendimi do të ndikojë negativisht edhe në raportet palestinezo-jordaneze.

“Flitet për një shtet alternativ mes Jordanisë dhe Palestinës. Flitet për një konfederatë në të cilin do të banohet. Kjo përbën themelet e një shteti alternativ”, theksoi shefi i Hamasit.

Ai njoftoi se kanë biseduar me Mbretin e Jordanisë Abdullahun II lidhur me çështjen e Kudsit dhe rreziqet e krijimit të një shteti alternativ.

“Palestinezët kërkojnë qëndrim të prerë për mospranimin e asnjë shkeljeje politike për Kudsin dhe Palestinën”, shtoi ai.

“Heqja dorë nga çfarëdo e drejtë lidhur me çështjen e Kudsit do të ketë reflektime të rrezikshme në të gjithë umetin islam”, tha Henije, duke i bërë thirrje popullit palestinez për intifadë ndaj vendimit të SHBA-ve lidhur me Kudsin.

Ai gjithashtu vuri në dukje se ka mirëpritur protestat e botës islame në shenjë reagimi ndaj vendimit të SHBA-ve.

Ndërkohë, duke theksuar angazhimin e Hamasit për pajtimin kombëtar, Henije paralajmëroi se zbatimi i ngadalshëm i marrëveshjes së pajtimit mund të ketë pasoja serioze.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit