3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Koalicioni PAN shpenzoi 1.7 milion për fushatë zgjedhore, LVV 360 mijë euro

Më të lexuarat

Demokraci Plus (D+) dhe Organizata Çohu kanë bërë publikimin e raportit të monitorimit të kostos së fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Ky raport ka bërë matjen e shpenzimeve në 23 komuna të Kosovës, katër televizione, tetë portale, pesë gazeta ditore, shpenzimet e vëzhgimit të zgjedhjeve si dhe gjobat e shqiptuara nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Genc Nimoni nga Organizata Çohu ka thënë se ky raport ka matur shpenzimet e koalicioneve dhe subjekteve politike: Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovë dhe të tjera (PAN); Lidhjes Demokratike të Kosovë, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa (LAA), si dhe; Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Sipas tij, të dhënat e prezantuara nuk janë të krahasuara me raportet financiare të subjekteve politike të dorëzuara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për shkak të mohimit të qasjes në këto dokumente nga KQZ dhe vet subjektet politike, edhe pse të njëjtat pas dorëzimit në KQZ, konsiderohen si dokumente zyrtare dhe publike.

“Të gjitha këto subjekte kanë marrë kërkesa të shkruara në përfundim të afatit ligjor për dorëzimin e raporteve në KQZ. Të gjitha pa përjashtim e kanë injoruar një kërkesë të tillë dhe nuk janë përgjigjur në lidhje me thirrjen për t’i publikuar financat e fushatës së tyre”, ka thënë Nimoni.

Matja e shpenzimeve të subjekteve politike, është bazuar në çmimet e përafërta të tregut, duke i krahasuar shpenzimet e subjekteve politike në njërën anë, me ofertat e kompanive private në anën tjetër. Në këtë raport përfshihen shpenzimet e subjekteve politike, kandidatëve të tyre dhe simpatizantëve të cilat janë bërë gjatë fushatës zgjedhore, duke përfshirë ditën e zgjedhjeve.

Në anën tjetër, Isuf Zejna nga D+ ka deklaruar se nga analizimi i të dhënave të raportit, shihet se dy koalicionet e mëdha PAN dhe LAA kanë pasur shpenzimet më të mëdha gjatë kësaj fushate, përderisa LVV ka shpenzuar brenda kufizimeve ligjore prej 50 centë për votues.

Në të gjitha kategoritë koalicioni PAN ka shpenzuar 1,717,155 euro, koalicioni LAA 1,094,076 euro, ndërsa LVV 359,929 euro.

“Nga këto të dhëna të vlerësimit të shpenzimeve, të cilat jo domosdoshmërisht paraqesin tërësinë e shpenzimeve të subjekteve politike, pasi që ato kanë pasur edhe shpenzime të tjera të cilat nuk ka qenë e mundur të monitorohen. Shumat e sakta sa kanë paguar subjektet politike nuk mund të dihen pa u ofruar qasje në raportet financiare, mirëpo duke i analizuar të dhënat e monitorimi vërehet se nga vlera e tregut të atyre shpenzimeve dy subjektet më të mëdha kanë bërë shkelje të legjislacionit duke shpenzuar mbi kufizimin e përcaktuar”, ka thënë Zejna.

Sipas tij, kur këtyre shpenzimeve t’i shtohen kategoritë e pa monitoruara, si këshilltarët e fushatës, shpenzimet e transportit, rrjetet sociale, pagesat për organizatorët e tubimeve, pagesat për vendosjen e materialeve elektorale në terren, këto shuma mund të rriten ndjeshëm.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit