Ish-presidenti amerikan, Barack Obama paralajmëroi kundër asaj që e quajti përdorim i papërgjegjshëm i medias sociale.
Obama dha një intervistë të rrallë që kur u largua nga detyra në janar të këtij viti.
Obama foli në një intervistë me princin Harry për BBC-në.
Ai tha se përdorimi i papërgjegjshëm i mediave sociale po shkakton dëme, pasi po shkatërron aftësinë e njerëzve për të kuptuar çështje komplekse.
Po ashtu Obama tha se media sociale po përhap dizinformacion.
Obama tha se ata që janë në pushtet, duhet të bëjnë kujdes kur postojnë mesazhe online, duke paralajmëruar se mediat sociale po shtrembërojnë diskursin civil.
Ish-presidenti tha se e ardhmja duket shqetësuese, pasi njerëzit nuk po merren me faktet, por po lexojnë dhe dëgjojnë vetëm ato gjëra që përforcojnë pikëpamjet e tyre.
“Një nga rreziqet e internetit është se njerëzit mund të krijojë realitete krejtësisht të ndryshme. Ata zhyten vetëm ne informacione që përforcojnë paragjykimet e tyre”.
“Pyetja është se si ne ta shfrytëzojmë këtë teknologji në atë mënyrë që të lejojë shumëllojshmërinë e zërave, shumëllojshmërinë e pikëpamjeve, por nuk çon në një ballkanizim të shoqërisë”, tha Obama.
Pasuesi i tij, Donald Trump është një përdorues aktiv i rrjeteve sociale, por Obama nuk e përmendi atë me emër.