4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Pendesa e munguar

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Lajmi për ikjen e vejushës së ish-diktatorit Hoxha nga kjo botë bart vulën e lajmit që përhapet me shpejtësinë e dritës. Edhe kur nuk është i vërtetë si lajm, sërish të sjell në vëmendje një të keqe që e përjetuam dhe po e përjetojmë të gjithë në këto 27 vite në postdiktaturë- mungesën e një pendese nga ajo apo të tjerë drejtues të diktaturës që ikën nga kjo botë pa dëshmuar asgjë nga krimet ku morën pjesë apo në rastet kur ishin dëshmitarë për 45 vite me radhë. Në asnjë intervistë, në asnjë dokument apo letër të shkruar prej saj, Nexhmije Hoxha nuk ka pranuar të flasë deri më sot për krime. Madje, as nuk ka pranuar t’i shohë si gabime.

Ajo ka dalë në media duke folur për demokracinë, për dashurinë, për politikën, për ngjarje pa vlerë, për detaje që tregonin vetëm injorancën dhe ligësinë e saj të thellë, ndërkohë që nuk arriti kurrë të shprehte as më të voglën pendesë për ata mijëra shqiptarë të pushkatuar pa gjyqe apo me palogjyqe, për ata mijëra të burgosur dhe internuar.

Në këtë mungesë pendese të saj dhe dhjetëra të tjerëve që janë gjallë apo që nuk rrojnë më, media ka pjesën e vet të fajit, që nuk vuri në qendër të saj historitë e atyre që u dhunuan e syrgjynosën, duke mos arritur ta ringrenë dot vetveten edhe pas shumë vitesh në Liri. Në këto vite ka pasur gazetarë që kanë këmbëngulur për muaj e muaj që ta kishin zërin e saj apo të të tjerëve në studio, por jo për ta pyetur rreth të vërtetave të tmerrshme të krimeve.

Dikush mund ta justifikojë këtë mungesë pyetjesh lidhur me audiencën. Por ky është justifikimi më banal, pasi një gazetar që nuk ka synim dhënien e së vërtetës, ka humbur marrëdhënien me profesionin e tij dhe është veçse një mëditës që merr pagën, si një punëtor i çfarëdoshëm, por njëkohësisht edhe i pamoralshëm. Por pendesa e munguar, e njëkohësisht moszbardhja e plotë e krimeve, ka ndërtuar një relativizim të së keqes që ka ndodhur, duke prodhuar një brez që herë-herë e sheh të shkuarën në komunizëm si diçka tërheqëse.

Sidomos, nisur edhe nga veset e një shoqërie në liri, në jo pak raste është ringritur miti i kohës së shkuar si “një kohë pa drogë, pa vjedhje, pa vrasje, etje, etj”. Por, në fakt, kjo është një gënjeshtër më shumë, pasi deri në vitin 1990 ne kishim të bënim me një shoqëri tërësisht të izoluar, ndërkohë që lajmet negative nuk jepeshin. Në median që kontrollohej tërësisht nga ideologjia komuniste jepeshin vetëm arritjet nga njëra anë dhe vigjilenca popullore që asgjësonte armiqtë e klasës.

Sepse Partia nuk lejonte lajme që kishin të bënin me vese, sepse duhej të besoj se nën udhëheqjen e partisë nuk kishte të meta dhe se defektet vetëzgjidheshin në kolektive. Këto mashtrime të ngulitura thellësisht, të mbetura të pazbardhura edhe për shkak të kulturës së shumë gazetarëve, kanë ndikuar në kthimin e nostalgjikëve të diktaturës, që duket se ndiheshin më mirë të urdhëruar, sesa duke menduar vetë në Liri. E duke qenë se “të menduarit”-, siç thotë sociologu francez Pierre Bourdieu, në librin e tij “Mbi televizionin”- po bëhet gjithnjë e më shumë “një luks”, atëherë nostalgjikët do të vijojnë të besojnë në atë sistem.

Por, moszbardhja e së djeshmes kriminale nuk është thjesht çështje historie. Në këto vite ne nuk kemi dashur ta pranojmë se, ajo e shkuar vijon të jetë diktuese në mënyrën se si sillemi, se si mendojmë, se për çfarë shqetësohemi. Ajo e shkuar vijon të jetë dominuese në institucionet e mendimit, të cilat presin vetëm të marrin miratimin e pushtetit, duke u bërë njësh kulturalisht me ideologjinë që i përcaktohet. Duke shtuar këtu presionin e pushtetit për të shmangur gjithnjë e më shumë mendimin kritik, ne sot jemi në krizën e përcaktimit të vetvetes.

Dhe jemi në krizë jo vetëm për veten, por sidomos në edukimin e fëmijëve. Natyrisht, nga “nexhmijet” ne nuk kemi pse të presim asnjë lloj pendimi. Atyre kemi gabuar që ua kemi kërkuar këtë gjë, sepse në çdo hap ata kanë treguar se kanë besuar në të mirën e krimeve që kanë kryer dhe se dyert e pendesës janë të padukshme për ta. Por, ama, media dhe studiuesit e rinj duhet medoemos të kontribuojnë në leximin e së shkuarës. Jo për të ndëshkuar ndokënd. Por për të kuptuar se si një e keqe ideologjike mund të shndërrojë njeriun në adhurues të krimit dhe të zhdukjes së mendimit dhe njerëzores.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit