4.7 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Cili është mendimi i Jusuf el Kardavit mbi çështjen e planifikimit familjar

Më të lexuarat

Cili është mendimi juaj mbi çështjen e planifikimit familjar, duke pasur parasysh se disa e konsideruan atë çështje të kahmotshme (e vjetër), ndërkaq disa të tjerë çështje e kohës moderne si rezultat i përpjekjeve për të luftur shtimin e popullatës në botën islame, kuptohet në kohën kur numri i popullatës në vendet e Perëndimit është në ulje drastike?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Falënderimi i takon vetëm All-llahut, Salavatet dhe selamet e Tij qofshin mbi të dërguarin e All-llahut, Muhammedin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, mbi familjen e tij, shokët dhe gjithë ata të cilët pasuan me dinjitet udhëzimin e tij.

Nuk ka dyshim se ideja e planifikimit familjar është ide e vjetër (e kahmotshme). Njerëzit qysh në kohërat e mëhershme janë interesuar që të kenë familje me më pak anëtarë (fëmijë). Arabët qysh herët thonin: “Familja me më pak anëtarë është njëra nga dy lehtësimet (mirëqeniet e këndshme).” Begati është konsideruar ose pasuria e shumtë ose familja me më pak anëtarë.

Disa prej njerëzve shprehnin dëshirë për familje (anëtarë) të shkëlqyer. Në Spartën e vjetër zgjedhnin vetëm fëmijët të cilët shfaqnin fuqi të jashtëzakonshme; ata, për të vërtetuar një gjë të tillë, i merrnin fëmijët meshkuj dhe i vënin nën nxehtësinë e diellit: ata të cilët i qëndronin nxehtësisë, fitonin meritën e ngeljes në jetë, ndërkaq të tjerët, ata që nuk i qëndronin vapës, vriteshin. Arabët (para shpalljes së Islamit), për dallim nga Spartakët, i vritnin bijat e tyre: “Dhe kur të pyeten ato vajza të varrosura të gjalla. Për çfarë mëkati ato janë mbytur.”

Krahas femrave, arabët ishin të njohur edhe për vrasjen e disave nga meshkujt e tyre. Kur’ani famëlartë një gjë të tillë e përmend në kontekst të mëkateve të kryera nga njerëzit injorant: “Ju mos i mbytni fëmijët tuaj nga frika e varfërisë, se Ne ua sigurojmë furnizimin atyre dhe juve, e mbytja e tyre është mëkat i madh.”

Muslimanët, një formë të tillë e njohën përmes “azlit” (ejakulimit të mashkullit jashtë organit gjenital femëror – coitus interruptus). Mashkulli ejakulonte jashtë organit gjenital të femrës, me qëllim që ajo të mos mbetej shtatzënë. Kjo metodë ishte mjaft e njohur. Sahabiu Xhabir ibën Abdull-llah thotë: “Ne ishim prej atyre të cilët zbatonim ejakulimin jashtë organit gjenital femëror (azlin), ndërkaq Kur’ani vazhdonte të shpallej.” Hadith i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.

Një formë e tillë e ejakulimit më shumë kishte për të ndodhur me femrat shërbëtore, se sa me gratë e lira (të kurorëzuara), siç transmetohet në hadithin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ku ai kishte ndaluar të ejakulohej jashtë organit gjenital femëror te gratë e lira (të kurorëzuara), pos me lejen e tyre.

Ky njëherit është edhe mendimi i një numri të konsideruar të imamëve dhe fukahave, të cilët thonë: “Nuk është i lejuar ejakulimi jashtë organit gjenital femëror, te gruaja e lirë (e kurorëzuar), pos me lejen apo pëlqimin dhe marrëveshjen me të.”

Azli – forma e të ejakuluarit jashtë organit gjenital femëror – u bë metodë mjaft e njohur në atë kohë.

Në kohën moderne kjo çështje mori një formë krejt tjetër: tani kjo ështe më masive se sa që ishte më parë. Në të kaluarën çështja e tillë kishte karakter individual – njeriu shprehte vullnetin e tij të kryente azlin dhe çështja mbaronte – ndërkaq, në kohën moderne kjo çështje filloi të merr përmasa më të gjëra, filloi të merr një koncept të një filozofie të përgjithshme, edhe atë qysh në shekullin nëntëmbëdhjetë, çështje e njohur në shkencën e ekonomisë dhe filozofisë ekonomike, e cila shikon me shikim skeptik ndaj popullatës. Kjo teori është e njohur si teoria e Robert Maltos, e cila kishte shikim skeptik ndaj popullatës dhe e cila pohonte se shtimi i popullatës bëhet në mënyrë permanente gjeometrike, gjegjësisht: 1, 2, 4, 8, 16, 32, 64, 128, ndërsa të ardhurat finansiare shtohen sipas mënyrës permanente matematikore, dhe se e tërë kjo don të thot se pas një kohe të ardhurat për jetesë dhe furnizim do të pakësohen, se në një kohë të ardhme do të ndodhë uria dhe njerëzit do të mbysin njëri-tjetrin.

Kjo teori, sikur të kishte gjetur zbatim, me siguri do të rezultonte me zhdukjen e planetit Tokë nga banorët e saj – njerëzit, sepse njerëzit do të vritnin njëri-tjetrin.

Ne, muslimanët, pa dyshim posedojmë një koncept krejt ndryshe nga ai i Robert Maltosit, apo atyre që mendojnë si ai. Në idenë e tyre ekonomike ekziston problemi i ashtuquajtur “Problemi i mungesës së dendësisë” – problem i cili manifestohet me të ardhurat e rralla dhe të kufizuara, ndërkaq në anën tjetër do të ekzistonin njerëz me numër të pakufizuar.

Ne themi: Jo, të ardhurat nuk janë të rralla, ato ekzistojnë prej se kur All-llahu krijoi tokën dhe e begatoi atë, në të caktoi aftësitë e saj, siç përmendet edhe në Kur’anin famëlartë. All-llahu i Madhëruar për çdo krijesë të Tij në sipërfaqen e tokës siguroi dhe garantoi rriskun (furnizimin), çdo gjë që është në qiell e në tokë i bëri të jenë në shërbim të dobisë së njeriut dhe vetëm atij t’i jenë nënshtruar: “All-llahu është Ai që i krijoi qiejt dhe tokën, dhe Ai lëshoi prej së larti ujë (shi), e me të nxjerr fruta si ushqim për ju, dhe për të mirën tuaj u vuri në shërbim anijet, të lundrojnë nëpër det me urdhërin e Tij, e në shërbimin tuaj i vuri edhe lumenjtë. Pastaj, Ai është që nënshtroi detin, që prej tij të hani mish të freskët, e prej tij të nxirrni stoli që i bani (i vishni), e i sheh anijet si çajnë (lundrojnë) në të (me ushtimë e çajnë ujin në det). Ua nënshtroi që të shfrytëzoni nga begatitë e Tij dhe ashtu të falënderoni (Zotin).”

Bile edhe fuqinë e diellit e bëri të nënshtruar dhe në shërbim të njeriut:

“Dhe Ai ju dha gjithatë që e kërkuat (që kërkoi nevoja juaj) dhe, edhe në qoftë se përpiqeni t’i numëroni të mirat e All-llahut, nuk do të mundë të arrini t’i përkufizoni (në numër). Vërtet, njeriu është i padrejtë dhe shumë përbuzës.”

Andaj, problemi nuk është në të ardhurat e vogla, përkundrazi, ato janë të shumta, por është në padrejtësinë dhe përbuzjen e madhe të njeriut. Nisur nga kjo, Islami refuzon filozofinë e përgjithshme e cila bazohet në atë se furnizmi është i vogël (i pamjaftueshëm). Një e treta e planetit Tokë është pothuajse rreth e përqark me detra dhe oqeane. Njeriu ende nuk ka arritur të zbulojë të gjitha gjallesat dhe gjërat që ekzistojnë në to. As shkenca moderne nuk ka arritur të zbulojë tërë atë që ekziston nëpër ujërat e tillë, në të cilat njeriu do të mund të zbulonte gjëra ushqimore. Njeriu nuk arriti të zbulon zhvillimin e gjërave as nga ana e sasisë, po as nga ana e llojit. Si p.sh. në vend se të mbillte një herë, me anë të mjeteve moderne do të ketë mundësi të mbjell dy herë në vit; nëse në një fushë mbjell 4 kallinj grurë, përmes mjeteve moderne në këtë hapësirë do të kishte mundësi të mbjell 10 kallinj. Kjo me anë të mjeteve moderne dhe me anë të përmirësimit të ekstrakteve dhe farave pjellore. Të gjitha këto gjëra do të shërbenin në rritjen e të ardhurave jetësore të njerëzve, si dhe do ta ndihmonin jetën.

Edhe biseda mbi planifikimin familjar do t’i përngjante një filozofie të tillë. Do të kisha shpresuar shumë, që të gjitha filozofitë të bëjnë pjesë në atë që ne e quajmë “Interpretim komploti” – çdo gjë që ndodhë, bëhet kundër muslimanëve. Është e vërtetë se ekzistojnë njerëz të tillë, të cilët nuk dëshirojnë që muslimanët të shtohen; ata ndiejnë frikë të jashtëzakonshme nga rritja e numrit të muslimanëve, e në veçanti Perëndimi. Muslimanët në Gjermani, Francë dhe Rusi janë në rritje e sipër, për dallim nga banorët tjerë të këtyre vendeve, numri i të cilëve është në ulje drastike. Disa prej tyre kanë vetëm nga një apo dy fëmijë, e disa aspak nuk shprehin vullnet për lindje. Disa bile edhe nuk martohen; andaj nataliteti është gjithmonë në rënie e sipër. Ata janë në frikë, mendojnë: “Ne jemi duke u pakësuar, ndërsa muslimanët janë duke u shtuar; kjo do të thotë se pas 20 apo 30 viteve muslimanët do të jenë shumicë nëpër vendet tona”. Bile edhe në ish-Bashkimin Sovjetik, në disa fletregjistre ka ekzistuar kujdesi i veçantë ndaj rritjes së numrit të muslimanëve, të cilët pas një kohe ndoshta bëhen shumicë e cila do të qeveriste me vendin e tyre.

Ne themi: Në disa raste rritja e numrit të anëtarëve të familjeve muslimane është e duhur dhe e kërkuar, siç është rasti me vëllezërit tanë palestinez. Shumë prej tyre u vranë nga arma e çifutëve, mirëpo themi atë që ia thanë gratë muslimane Haxhxhaxhit, në momentin kur ai u kërcënua duke u thënë se do t’i shfarosë, kur ato thanë: “Ti shfaros, por All-llahu mbjell.” Vëre dhe thuaj: “Ku është fuqia e krijesës, në krahasim me fuqinë e Krijuesit?!” Vritne o çifutë cilin të doni. Vritne Muhjiddin Sherifin apo Jahja Ajashin ose Shikakiun, por do të lindin nënat muslimane dhe do të sjellin në këtë botë edhe më shumë Muhjidinë e Ajashë, do të sjellin edhe më shumë.

Në disa raste rritja e numrit të anëtarëve të familjes është e duhur, e në veçanti kur dimë se prej qëllimeve esenciale të martesës në Islam është krijimi i familjes.

Nuk ka dyshim se martesa posedon një sërë qëllimesh, e ndër to edhe prehinë dhe qetësinë: “Dhe bëri mes jush dashurinë dhe mëshirën.”

Ndër qëllimet tjera numërohet edhe lidhja miqësore me njerëz tjerë, siç haset edhe qëllimi i krijimit të familjes (pasardhësve), siç thotë All-llahu i Madhëruar: “All-llahu krijoi për ju bashkëshorte nga vetë lloji juaj, e prej bashkëshorteve tuaja – fëmijë e nipa dhe ju furnizoi me (ushqime) të mira. A besojnë ata të pavërtetën, e të mirat e All-llahut i mohojnë?”

Dhe thotë: “Tash e tutje bashkohuni me to dhe kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu..”

Komentatorët e Kur’anit janë të mendimit se fjala “…kërkoni atë që ua ka caktuar All-llahu” ka për qëllim fëmijët dhe familjen.

Rrisku nuk mund të arrihet ndryshe, pos sipas ligjeve të All-llahut. Është e vërtetë se All-llahu ka garantuar rriskun, siç thotë edhe Vet: “Nuk ka anjë gjallesë në tokë që All-llahu të mos ia ketë garantuar furnizimin e saj, Ai e di vendbanimin dhe vendstrehimin e saj (pas vdekjes). Të gjitha (këto) janë në librin e njohur (Levhi Mahfudhë).”

Mirëpo, siç u tha Omeri atyre të cilët ishin ngujuar në xhami pas namazit të xhumasë, e i thanë: “Ne jemi të mbështeturit në All-llahun”, fjalën e tij të shkëlqyer dhe të përjetshme: “Le të mos ndërpret asnjëri të kërkuarit e rriskut, e të thotë: ‘O Zot, më sjell riskun’, ndërsa e dinë se qielli nuk lëshon ari e as argjend, por kur të mbaron namazi, ju vazhdoni të kërkoni të mirat e All-llahut”.

Rrisku ekziston, mirëpo njerëzit janë të detyruar që ta kërkojnë atë, të vrapojnë në të arriturit e tij; ta kërkojnë në mbrenditë e tokës, të përpiqen që ta zgjerojnë fushën e rriskut të tyre; ta kërkojnë ate në mënyrë sa më të bukur, në sasi dhe lloj. Një gjë e tillë është e kërkuar nga njeriu.

Udhëheqësi:

I nderuari Dr. Jusuf El-Kardavi. T’ja nisim nga fillimi. Çështja e planifikimit familjar. A thua si do të kishte mundësi të bëhet një koordinim mes bashkëshortëve rreth planifikimit të familjes, dhe kush është ai që posedon të drejtën e sjelljes së konkluzës mbi këtë çështje?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Një çështje e tillë do të ishte e drejtë e të dy palëve, gjë të cilën e vërteton edhe vetë hadithi i Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në të cilin ai ndaloi të kryhet azli (ejakulimi jashtë organit gjenital femëror), pos me lejen e gruas së lirë (të kurorëzuar).

Jeta bashkëshortore ngrihet mbi bazën e mirëkuptimit dhe ndihmës reciproke. Një gjë të tillë e vërejmë edhe në fjalët e All-llahut fuqiplotë, konkretisht mbi çështjen e gjidhënies, gjë e cila është më e vogël se çështjet tjera që kanë të bëjnë me bashkëshortësinë: “E nëse pas një konsultimi dhe pëlqimi (prindërit) shfaqin dëshirën për ndërprerjen e gjirit, nuk është ndonjë mëkat për ta.”

Pas një konsultimi dhe pëlqimi reciprok të të dy palëve (prindërve), medoemos që një çështje e tillë të përfundojë përmes pëlqimit dhe konsultimit të dy bashkëshortëve. Nëse ndodhë që njëri të ketë dëshirë ndryshe nga tjetri, ata me siguri se do të duhet të përpiqen për t’u takuar diku në mes. Ndodh që bashkëshorti të shpreh dëshirë për kënaqësi me bashkëshorten e vet për një kohë sa më të gjatë, gjatë së cilës ai nuk do të dëshironte fëmijë, posaqërisht kur bashkëshortët janë të rinjë. Islami nxit njerëzit që të martohen në moshë sa më të re, por, për fat të keq, në kohën moderne njerëzit po e vonojnë martesën shumë. Në qoftë se ndodh që bashkëshortët të jenë të martuar herët, kjo nuk do të thotë se ata do të duhej që menjëherë të fillojnë procesin e shtimit të familjes (të kenë fëmijë), përkundrazi, le të kënaqen mes vete, dhe nuk pengon asgjë po qe se ata pëlqejnë që një gjë të tillë (lindjen e fëmijëve) ta vonojnë. Ndodh që bashkëshortja të jetë studente me obligime univerzitare, andaj edhe dëshiron që lindja e fëmijëve të pret një kohë, derisa të jetë e përgatitur për shtatzëni, lindje, gjidhënie dhe edukim. Medoemos duhet që mes bashkëshortëve të ekzistojë pëlqimi dhe konsultimi reciprok, ta dëgjojnë njëri-tjetrin.

Në librin e imam Gazaliut “Ihjau ulumud-din” hasen shumë gjëra të sjelljes ideale me All-llahun, kujdesin e veçantë ndaj gjërave të lejuara (hallall) dhe të ndaluara (haram). Po në këtë libër, imam Gazaliu përmend edhe çështjen e azlit, të cilin ai nuk e konsideron haram, po as që e konsideron për mekruh (vepër të papëlqyer). Një gjë të tillë e konsideron sipas nijjetit (qëllimit). Sipas tij, ekzistojnë qëllime të mira dhe qëllime të prishura. Prej qëllimeve të mira Imam Gazaliu konsideron edhe ruajtjen e bukurisë së gruas, kujdesin e kënaqësisë së saj, si dhe kënaqësinë e bashkëshortit të saj. Sipas tij, ekzistojnë gra të cilat pas lindjes e humbin formën e trupit të tyre, ndërsa në anën tjetër, ekziston mundësia që bashkëshorti përkatës të mendojë për martesë me ndonjë femër tjetër. Nuk është gjë e keqe po qe se gruaja shfaq kujdes të veçantë për ruajtjen e bukurisë së saj, me çka e mbron edhe bashkëshortin e saj. Një gjë të tillë Imam Gazaliu e konsideroi për vepër të mirë dhe të pranuar sipas Islamit. Sheriati islam nuk ndalon një gjë të tillë, përkundrazi, ai bile edhe e konsideroi si një ndër shkaqet të cilat i mundësojnë njeriut qetësinë dhe moslodhjen në të kërkuarit e të ardhurave për jetë. Është e vërtetë se të kërkuarit e furnizimit familjar jetësor është gjë e domosdoshme, dhe se ajo konsiderohet edhe një lloj i xhihadit, mirëpo nëse ndodh që të kërkuarit e tillë ta ketë lodhur shumë njeriun, e drejtë e tij është që të kërkojë një jetë më të matur, jetë të palodhshme, jetë ku nuk do ta humbë trupin dhe shpirtin, ku natën bie i lodhur e në mëngjes gdhihet i pafuqishëm, jetë përplot brenga dhe dhimbje. Jo, e drejtë e tij është që të jetojë një jetë të matur dhe të begatshme.

Udhëheqësi:

Prej gjërave të cilat e çrregullojnë jetën bashkëshortore – për sa i përket çështjes së lindjes së fëmijëve – konsiderohet edhe çështja e ndërhyrjes së familjes dhe të afërmëve, e në veçanti e gjysheve dhe vjehrrave. A thua a është e mundshme që të ndërhynë anëtarët e familjes (së bashkëshortëve) dhe të afërmit në këtë çështje, apo një çështje e tillë medoemos duhet të lihet në kompetencat e ndjenjave të bashkëshortëve?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Pa dyshim se ndërhyrja e familjes, qoftë familja e gruas apo e burrit, në jetën bashkëshortore, konsiderohet gjë e cila shpie drejt çrregullimit të tyre. Në të shumtën e rasteve ndodh që gruaja të ndihet alergjike ndaj familjes së burrit, siç ndodh që edhe burri të ndihet njëjtë për sa i përket familjes së gruas. Është e domosdoshme që pas ngritjes së jetës bashkëshortore të mos lejohet ndërhyrja e familjes në këtë çështje, pos në rast të përmirësimit mes dy bashkëshortëve (në rast të acarimit të marrëdhënieve bashkëshortore, me ç’rast preferohet ndërhyrja e familjeve të të dy palëve), siç ishte rasti me vetë Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kur ndërhyri mes Fatimes dhe Aliut radijall-llahu anhu me qëllim të pajtimit të tyre. Siç thuhet, i Dërguari i All-llahut, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem kishte hyrë tek e bija e tij, Fatimja dhe e kishte pyetur se ku është burri i saj, Aliu radijall-llahu anhu, ndërsa ajo ishte përgjigjur se kishte dalë për në xhami. I Dërguari i All-llahut, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem shkoi në xhami, ku e gjeti Aliun radijall-llahu anhu duke fjetur, ndërsa mbi të vërejti pluhur. I tha: “Çohu, o njeri i dheut”, dhe pajtoi mes atyre dyve. Nuk ka dyshim se një ndërhyrje e tillë është më se e kërkuar. Ndërkaq, ndërhyrja për nxitje apo çarje të kokës, konsiderohet çështje e cila nuk rezulton me diç tjetër, pos me çrregullim të pashmangshëm të jetës bashkëshortore. Gruaja e cila martohet duhet ta ketë të ditur se meritë e saj e parë është bashkëshorti, ndërsa prindërit bëhen meritë e dytë, kurse e drejta e bashkëshortit bëhet e drejtë e parë, e drejtë e cila e tejkalon të drejtën e prindërve të saj. Për fat të keq, një gjë të tillë shumë njerëz nuk e dinë. Disa prej njerëzve përpiqen që me bijat e tyre të martuara të sillen sikur ato të jenë ende në shtëpinë e tyre. Assesi, ajo duhet llogaritur se është në shtëpinë e burrit të saj, dhe se nga ajo kërkohet që ta respektojë vetëm bashkëshortin e vet. Nuk është e lejuar që familja të ndërhyjë, qoftë në këtë çështje apo në çështje tjera, pos në rast të acarimit të marrëdhënieve bashkëshortore, me qëllim të pajtimit dhe pëlqimit mes tyre.

Udhëheqësi:

Cili është qëndrimi islam ndaj mendimit, i cili tash më ka përfshirë pothuajse shumicën e muslimanëve, e i cili preferon familje me më pak anëtarë, me qëllim të formimit dhe edukimit sa më të mirë dhe sa më të lehtë, edhe atë duke qenë të vetëdijshëm në besimin e tyre se rrisku është në duart e All-llahut?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Muslimani tenton që All-llahu ta furnizon atë me pasardhës të mirë dhe të vyeshëm; një tentim i tij për familje të pastër dhe të mirë është çështje që i përket natyrës së tij njerëzore. Një gjë të tillë e kërkuan edhe vetë të Dërguarit e All-llahut. Ibrahimi alejhis-selam tha: “O Zot, më dhuro një pasardhës prej të mirëve, e Ne e përgëzuam atë me një djalë të butë.”

Dhe tha: “Falënderimi i qoftë All-llahut, i Cili në pleqëri më fali mua Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoti im dëgjon dhe i përgjigjet lutjes.”

Edhe Zekerija alejhis-selam tha: “Të më trashëgojnë mua dhe t’i trashëgojë ata nga familja e Jakubit, dhe bëri ata, o Zoti im, të këndshëm (të vyeshëm)!”

Ajetet e lartëshënuara qartë tregojnë se të kërkuarit e pasardhësve të mirë e të vyeshëm është gjë e natyrës së vetë njeriut. Por a thua të kërkuarit e pasardhësve (fëmijëve) nënkupton vetëm se kuantitetin apo kualitetin? Disa e përmendin hadithin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Martohuni, shtohuni, se unë do të mburrem me ju para popujve të tjerë.”

A thua shuma e tillë është e kërkuar, edhe në qoftë se është e pavlefshme?

Me siguri se hadithi i mëposhtëm do të sillte përgjigjen adekuate, kur i Dërguari i All-llahut tha: “Do të ndodh që ndaj jush të vërsulen popujt tjerë siç vërsulen egërsirat ndaj gjahut të tyre.” Të pranishmit thanë: “O i dërguari i All-llahut, pse atëherë do të jemi pak?” Ai tha: “Jo, ju atë ditë do të jeni shumë, por do të jeni shkumë (të pavlefshëm), sikurse shkuma e vërshimës.”

E vërshima kaplon dhe merr gjithëçka: dru, gjethe, kallinj, gjëra të lehta të cilat nuk kanë kurrfarë peshe, të cilat nuk ngelin dot në thellësi e as nuk përqëndrohen në të, gjëra sipërfaqësore të cilat nuk kanë dobi. Lumi posedon shtratin e tij të caktuar e të drejtë, ndërkaq vërshima nuk posedon as qëllim, po as shtrat të drejtë. Ummeti i cili do të përjeton periudhën e vërshimës dhe shkumës së saj, edhe pse do të jetë shumë, do të jetë sikurse shkuma e cila nuk sjell asnjë dobi. Ne nuk e duam sasinë (kuantitetin), por e duam cilësinë (kualitetin); duam gjenerata që janë të edukuara me edukatë të shkëlqyer, duam prindër të cilët kanë harxhuar tërë mundin e tyre në edukimin e plotë dhe të përsosur të fëmijëve të tyre. Edukata e përsosur kërkon mund të jashtëzakonshëm; kjo nënkupton edukimin trupor (me anë të ushtrimeve trupore), mendor dhe kulturor; pastaj kërkon edukimin shpirtëror, që manifestohet përmes ibadeteve; edukimin moral, të manifestuar në vlerat e larta kulturore; edukimin ushtarak, të manifestuar në trimëri dhe guxim; edukimin shoqëror dhe politik, të manifestuar në interesimin mbi çështjen e tërë ummetit islam. Me siguri se një gjë e tillë kërkon mund të jashtëzakonshëm. Njeriu i cili do të kishte shumë fëmijë, me siguri se do ta kishte vështirë ta plotësojë një kërkesë të tillë edukative. Kjo çështje nuk është e kufizuar vetëm brenda kornizave të rriskut dhe edukatës së mirë. Përgatitja e një personaliteti islam vetëkërkon ndihmën e jashtëzakonshme të shtëpisë dhe shkollës, sepse shkolla nuk mjafton vetëm. Të gjitha këto kërkohen për të formuar një lloj të ri dhe të vyeshëm të njerëzve, të cilët do të mund t’i shërbenin fesë, vetvetes dhe tërë ummetit. Caktimin e numrit të anëtarëve të familjes e quajmë me emrin “Planifikim familjar”, d.m.th. e planifikojmë familjen e ardhme, e planifikojmë periudhën e lindjes së foshnjës së dytë, gjë që do të na ndihmonte në edukimin sa më të mirë të fëmiut të parë. Në disa hadithe përmendet edhe ndalesa nga marrëdhëniet seksuale me gruan gjidhënëse, sepse një gjë e tillë do të ishte konsideruar si mashtrim i foshnjës e cila ende është në gjirin e nënës (sepse me shtatzëninë e re foshnjës së vogël i ndërpritet qumështi i nënës). Kjo formë në Islam njihet me emrin Gajl.

Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e lejoi një gjë të tillë më vonë, duke shfaqur kujdesin e tij të veçantë ndaj sahabëve të tij, për të cilët një gjë e tillë do të paraqiste vështirësi. E kur disa nga sahabet e tij i përmendën se persianët dhe romakët e bëjnë atë dhe nuk u sjell dëm aspak, ai tha: “Sikur të ishte i dëmshëm, do të ishte i dëmshëm për romakët dhe persianët.” Imam Ibën El-Kajjimi thotë: “Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem shfaqi kujdes të veçantë, sepse si do të kishte mundësi që njeriu të ndalohet nga marrëdhëniet seksuale me gruan e tij gjidhënëse, kur periudha e gjidhënies zgjat plot dy vjet?!”

Mirëpo, në kohën tonë moderne kemi mundësi ta realizojmë atë që e preferoi i Dërguari i All-llahut, edhe nëse njeriu nuk ndalet nga gruaja e tij, kuptohet me anë të barërave (tabletave) kontraceptive të cilat e pengojnë shtatzëninë. Gruaja e sotme është e vetëdijshme për tabletat e tilla, andaj edhe i merr ato në mënyrën më të përshtatshme dhe më pak të dëmshme. Disa preferojnë edhe përdorimin e spirales. Mirëpo, më së miri do të ishte që për një gjë të tillë të konsultohet mjeku i cili do të ndërhyn në çështjen e planifikimit familjar; njëherit ai do ta preferonte atë që sjell më së paku dëm, sepse disa nga gratë pësojnë dëme të mëdha nga barërat dhe tabletat kontraceptive, ndërkaq disa jo. Ekzistojnë tableta të cilat janë të dëmshme, ndërsa ka edhe të tilla të cilat nuk janë të dëmshme. Nuk është e lejuar assesi që gruaja ta lidh grykën e mitrës së saj, me qëllim të pengimit të fekondimit qelizor, sepse një gjë e tillë konsiderohet shëmtim në krijesën e All-llahut. Një vepër e tillë konsiderohet vepër e djallit, siç përmend Kur’ani famëlartë, ku thuhet: “Do t’i shmangë (nga e vërteta), do t’i bëjë të shpresojnë në gjëra të kota; do t’i urdhërojë dhe ata do të shqyejnë veshët e bagëtive; do t’i urdhërojë dhe ata do të shëmtojnë krijesat e All-llahut. E kush bën mik djallin, e jo All-llahun, ai ka dështuar sheshazi.”

I Dërguari i All-llahut i mallkoi ata të cilët ndryshojnë apo shëmtojnë atë të cilën e krijoi All-llahu, si p.sh. njeriun apo gjërat tjera. Shëmtimi apo ndryshimi i krijesave të All-llahut, sipas Islamit, bie në veprat e ndaluara (haram), pos në raste të veçanta e të domosdoshme, në raste në të cilat e kërkon nevoja e pashmangshme.

Disa nga gratë më pyetën, kuptohet për rastet e veçanta e të domosdoshme, lidhur me gruan e cila ka gjasë të mbetet shtatzënë, me ç’rast shtatzënia do t’i sjellte dëm të madh, sa që ekziston frika nga humbja e jetës, se a lejohet lidhja e mitrës. Nuk ka dyshim se në këtë rast lejohet lidhja e mitrës, e sidomos kur kemi parasysh moshën e vonuar të gruas. Në këto raste nuk ka pengesë që të zbatohet një veprim i tillë mjekësor. Mirëpo, pa nevojë, një gjë e tillë konsiderohet e ndaluar.

Shikues nga Ebu Dabi:

Dua të pyes dijetarin e nderuar për rastin e gruas e cila ka tre fëmijë, dhe pas fëmijut të tretë ajo ka lidhur grykën e mitrës (e ka bërë veten të paaftë për lindje), duke pasur parasysh se ajo ka lindur në mënyrë jo natyrore, përmes operacionit.

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Në kohën moderne, lindja me anë të operacionit nuk paraqet rrezik, i cili do të nxiste domosdoshmërinë e mosaftësimit për lindje. Kjo nuk paraqet më çështje e cila na bën të lejojmë mosaftësimin përfundimtar të gruas apo lidhjen përfundimtare të mitrës së saj, posaqërisht kur gruaja është në moshë të re. Pastaj, askush nuk mund të di se çfarë do të vie nesër, apo çdo të sjell e nesërmja, e as që di se çfarë fsheh e ardhmja: “S’ka dyshim se vetëm All-llahu e di kur do të ndodhë Kijameti, Ai e di kur e lëshon shiun. Ai e di se çka në mitra (të nënave), nuk e di kush pos Tij se çka do t’i ndodhë (çka do të punojë) nesër, dhe askush nuk e di, pos Tij, se në ç’vend (ose kohë) do të vdesë. All-llahu është më i dijshmi, më i njohuri.”

Gjithashtu, mjekët modern një operacion të tillë e zbatojnë në mënyrë shumë të lehtë; disa prej tyre thonë se në shumë vende të botës ekzistojnë gra të cilat nuk lindin ndryshe, pos me anë të operacionit.

Shikues nga Britania e Madhe:

Jam gjinekolog dhe momentalisht jam i punësuar pranë një spitali në qytetin e Liverpulit. Në disa raste jam i detyruar që të kryej procese vaginoskopike, që kanë të bëjnë me veprimet e mosaftësimit shtatzënor. Me sa e di unë, një gjë e tillë në Islam është e ndaluar, pos në raste të veçanta, mirëpo, çfarë është qëndrimi islam ndaj meje, duke pasur parasysh se unë jam musliman?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Në rast se gruaja e cila kryen një gjë të tillë është jo muslimane, me siguri se kjo çështje do të konsiderohet më e lehtë, sepse feja e saj nuk e obligon atë ashtu siç e obligon Islami muslimanen. Muslimanja posedon fenë e saj, e cila e rekomandon që mos ta shëmtojë apo ndryshojë krijesën e All-llahut, dhe ajo konsiderohet mëkatare në atë rast.

Edhe mjeku musliman, i cili kryen një operacion të tillë (ndaj gruas muslimane), konsiderohet mëkatarë. Gruaja jomuslimane nuk e konsideron veten të ngushtuar për një gjë të tillë për sa i përket fesë së saj.

Mjeku i cili punon nën mbikqyrjen dhe urdhërin e kryesisë konsultative, nuk llogaritet i ngarkuar po qe se zbaton urdhërin e tyre, edhe në qoftë se gruaja është muslimane, sepse pozita e tij aktive nuk i ofron të thotë “Jo”, e sidomos nëse me vështirësi mund të gjen ndonjë punë tjetër. Pa dyshim se një gjë e tillë hyn në dispozitat e domosdoshme të cilat i lejojnë të ndaluarat.

Shikues nga Bosnja:

Barërat kontraceptive, a e pengojnë shtatzëninë, apo e abortojnë atë pasi të jetë përfunduar fekondimi?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

E pengojnë çështjen e shtatzënisë.

Udhëheqësi:

Letër nga një shikuese nga Franca, e cila thotë se, në Francë, ajeti: “Mendjelehtëve (të papjekurve) mos u jepni pasurinë tuaj” është interpretuar se “Mendjelehetët (të papjekurit)” janë gratë?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Disa komentatorë të Kur’anit famëlartë, mbi ajetin e lartëtheksuar: “Mendjelehtëve (të papjekurve) mos u jepni pasurinë tuaj që All-llahu e bëri për ju mëkamje…” theksuan se mendjelehtët e cekur në këtë ajet kanë për qëllim gratë dhe fëmijët. Sipas tyre, nuk është e lejuar që burri t’ia jep pasurinë e vet gruas që ajo të disponojë me të, apo fëmijëve të tij. Në të vërtetë, një koment apo interpretim i tillë është tejet i dobët dhe i refuzuar, sepse fjala “Mendjelehtë” paraqet cilësi të shëmtuar, e sidomos kur kemi parasysh se edhe vetë Kur’ani fisnik e paraqet atë në vend të cilësisë së shëmtuar. Kur’ani famëlartë mbi hipokritët thotë: “Dhe kur atyre u thuhet: ‘Besoni, sikurse besuan njerëzit’, ata thonë: ‘A të besojmë ashtu sikurse besuan mendjelehtit?’ Në të vërtetë ata, dhe mu ata janë mendjelehtit, por nuk e dinë.”

Gjithashtu, mbi çifutët thotë: “Disa mendjelehtë nga njerëzit do të thonë: ‘Çka i ktheu ata (muslimanët) prej kiblës (drejtimit) në të cilin ishin ata (Kudsi)?’ Thuaj: ‘Të All-llahut janë Lindja dhe Perëndimi, Ai e vë në rrugën e drejtë atë që do.”

Mendjelehtësia është cilësi e shëmtuar, andaj njeriu nuk do të mund të qortohet për diç në të cilën ai nuk ka dorë. Gruaja duhet qortuar sepse është femër, ndërsa fëmiju duhet qortuar sepse është ende i vogël?! A thua ç’farë është mëkati i tyre?

Kjo me siguri nuk është në pëlqim apo pajtim me të drejtën islame, e as me vështrimin islam.

Interpretimi i saktë mbi ajetin e lartëtheksuar jep një vështrim tejet të rëndësishëm: ajo se mendjelehtëve nuk duhet assesi t’u jipet pasuria jonë, apo t’u lihet në dispozicion e të bëjnë me të ç’të duan, sepse pasuria llogaritet pronë e ummetit islam, pronë e shoqërisë. Në qoftë se ndodhë që pasuria të harxhohet apo derdhet nga ana e tyre, me siguri se përgjegjësia nuk do të binte vetëm mbi ta, por mbi tërë shoqërinë. Ndaj mendjelehtëve dhe të çmendurve duhet të kemi llogari të veçantë. Në fund, ajeti përkatës nuk ka për qëllim gratë dhe fëmijët, por ka për qëllim të paaftët mentalisht.

Shikuese nga Skotlanda:

Jam shtatzënë në muajin e dytë. A më është e lejuar që të abortoj embrionin para se të kalojnë katër muaj shtatzënie. Jam shtatzënë me fëmiun e katërt, kurse unë dua të mjaftoj me tre që i kam?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

E drejtë e plotë e bashkëshortes është që të jetë e kënaqur me tre fëmijë, kuptohet në pëlqim dhe marrëveshje me bashkëshortin, siç është e drejtë e saj të mos mbesë shtatzënë. Mirëpo, nëse ke mbetur shtatzënë, atëherë duhet të keshë parasyshë se shtatzënia posedon shenjtërinë e saj. Ne nuk duhet që ndaj krijeses së re, të gjallë, të sillemi me armiqësi, krijesë e cila ekziston vetëm se me takimin e spermatozoidit me qelizën vezë. Nga ky moment fillon formimi i njeriut. Sipas shkencave medicinale, vetëm se i ashtuquajturi “Fekondim” paraqet formimin e krijesës njeri, krijesës së gjallë. Andaj, si të sillemi me padrejtësi ndaj asaj krijese e cila ka filluar jetën e saj? Një gjë e tillë nuk është e lejuar, pos në raste të domosdoshme. Imam Gazaliu potencon se që me takimin e spermës së mashkullit dhe qelizës vezë ndodhë fillimi i jetës. Nuk ka dyshim se dëmtimi i embrionit në fillim të shtatzënisë është mëkat me peshë më të vogël, se sa në ditët e mëvonshme. Unë them se këtë krijesë medoemos duhet respektuar; kështu ka dashur All-llahu i madhëruar, andaj le ta lëmë atë në duart e Tij. Por, ta mbysim embrionin e fekonduar assesi; unë e refuzoj çështjen e abortit edhe nëse embrioni ka vetëm një ditë. Aborti nuk mund të jetë mjet prej mjeteve të pakësimit apo planifikimit familjar.

Ekzistojnë raste të veçanta kur gruas i lejohet të abortojë, siç janë rastet e dhunimit. Disa nga motrat e Bosnjës më kanë bërë pyetje për një çështje të tillë. Unë u kam thënë se, nëse nuk mundet gruaja ta bartë barrën e foshnjes që do të lindë, e as familja dhe shoqëria, atëherë asaj i lejohet që të abortojë, edhe atë në 40 ditët e para. Ndërkaq, në raste të domosdoshme do të kishim mundur që këtë afat ta zgjerojmë, siç thonë disa dijetarë se aborti i lejuar është brenda 120 ditëve, ndërsa pas këtij afati, ai konsiderohet krim. Disa thonë se foshnja në barkun e nënës është i deformuar. I deformuar apo i padeformuar, pas katër muajsh çështja ka mbaruar, ai veç më është formuar njeri.

Shikues nga Franca:

Bashkëshortja ime gjatë muajit, në ditë të caktuara, merr medikamente kontraceptive. A është e lejuar një gjë e tillë, duke pasë parasysh se unë kam shtatë fëmijë?

Gjithashtu, dua të kërkoj nga dijetari i nderuar, që t’u drejtohet me disa fjalë vëllezërve tanë muslimanë të cilët martohen me jomuslimane, ndërkaq motrat tona muslimane mbesin të pamartuara deri në moshë të tridhjetave apo katërdhjetave, duke mos hasur në ofertë për martesë.

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Për sa i përket çështjes së marrjes së medikamenteve kontraceptive me qëllim të pengimit të fekondimit, jam i mendimit se një gjë e tillë është e lejuar dhe nuk ka gjë të keqe në të, dhe një gjë e tillë konsiderohet mjet nga mjetet medicinale. Në qoftë se ato nuk e dëmtojnë gruan, nuk ka gjë të keqe që ajo të përdorë ato medikamente me qëllim të planifikimit familjar, posaqërisht kur kemi parasysh vëllaun i cili veç më ka shtatë fëmijë (All-llahu e begatoftë me ta).

Nëse njeriu është i aftë për t’i edukuar shtatë fëmijë në një shoqëri joislame, me siguri se një gjë e tillë do të konsiderohej xhihad.

Ndërkaq, për sa i përket çështjes tjetër, çështja e martesës së një muslimani me jomuslimane, me siguri se kjo paraqet çështje tejet të rëndësishme, posaqërisht në vendet ku muslimanët janë pakicë. Unë rreth çështjes së martesës së një muslimani me jomuslimane kam dhënë fetva të gjërë dhe në detaje, dhe në të kam parashtruar katër kushte, të cilat medoemos duhet plotësuar për t’u martuar me jomuslimane:

1. Të jetë femër e cila i takon fesë krishtere apo çifute (të jetë prej Ehlu-l-kitabëve);

2. Të jetë prej të ndershmeve, siç thotë All-llahu i Madhëruar në Kur’anin famëlartë: “… dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri para jush.” D.m.th. të jetë grua e cila nuk ia dorëzon trupin e saj çdo njeriu. E ku do të gjesh të tillë në shoqërinë e Perëndimit, shoqëri ku femra posa të mbushë 13 apo 14 vjet turpërohet po qe se nuk ka ndonjë shok dashurie, apo turpërohet nëse ende është virgjëreshë. Për këtë, është shumë vështirë për të gjetur grua të ndershme, pos asaj e cila ka bërë çka bërë e pastaj është penduar. Ai që pendohet nga një mëkat, konsiderohet sikur të jetë pa mëkat.

3. Të mos jetë nga popujt të cilët armiqësojnë dhe luftojnë muslimanët, sepse transmetohet nga Ibën Abbasi, se ka thënë: “Nuk është e lejuar martesa me gruan e cila i takon popullit i cili lufton dhe shpreh armiqësi ndaj muslimanëve”. Në rast se një musliman martohet me një grua çifute, ai me siguri në shtëpinë e vet ka futur një spiune izraelite. All-llahu i Madhëruar thotë: “Nuk gjen popull që e beson All-llahun dhe Ditën e Gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre.”

Martesa është akt i cili ngritet mbi parimin e dashurisë, ndërkaq ata të cilët kundërshtojnë All-llahun janë po ata të cilët luftojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Nuk është e lejuar martesa me femrat të cilat e luftojnë dhe kundërshtojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij.

4. Martesa e tillë të mos rezultojë me dëm: as për bashkëshortin, as për familjen (pasardhësit), po as për muslimanet (gratë muslimane).

Omeri radijall-llahu anhu e ndaloi martesën e Hudhejfes radijall-llahu anhu me gruan çifute. Ai i rekomandoi atij që ta lëshojë atë. Hudhejfeja e dërgoi një njeri për ta pyetur emirin e besimtarëve, Omerin radijall-llahu anhu, se a është haram martesa e tij me të, kurse Omeri tha: “Jo, por kam frikë se mos shkakton kjo martesë fitne dhe çrregulli te gratë muslimane”.

Në shoqërinë perëndimore të rinjtë tanë janë në numër të vogël, e nëqoftëse lejojmë që ata të martohen me jomuslimane, ndërkaq për motrat tona muslimane është e ndaluar rreptësisht martesa me jomuslimanin, atëherë kjo jep për të kuptuar se ne ia kemi mbyllur derën motrës sonë muslimane, sepse çdo herë kur një vëlla i yni martohet me një jomuslimane, një motër e jona mbetet e pamartuar. Mu për këtë jemi të detyruar që një gjë të tillë ta ndalojmë. Unë e di se në disa mjedise islame disa nga dijetarët e shquar dhe të aftët e fetvave një gjë të tillë e konsideruan për haram të thuktë, dhe ata ndaluan rreptësisht martesën e një muslimani me jomuslimanen. Them: E drejta plotësisht është me ta, ngase kjo sjell mbrojtjen e muslimanes, e cila mund të ngelë e pamartuar edhe deri në moshën 30 apo 40, ndërkaq është femër e përpiktë, e mbuluar, femër e cila respekton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ndërsa nuk gjen dot të ri për t’u martuar?!

Kjo me siguri është një fitne e madhe, dhe ne duhet medomos të ndalojmë rreptësisht martesën me jomuslimanet, përderisa ekzistojnë motra tona të pamartuara muslimane.

Besimtari musliman nuk është i detyruar që të martojë vetëm se muslimane, por është i detyruar që të martojë një muslimane të vyeshme dhe të mirë (Saliha), siç thotë i Dërguari i All-llahut, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem: “Jeta e kësaj bote është kënaqësi (dëfrim), ndërsa kënaqësia më e këndshme është gruaja e mirë (saliha).”

Ai gjithashtu thotë: “Zgjidh atë që është fetare, të lumshin duart.”

Me muslimanen, duart bëhen të lumtura, syri kënaqet, ndërsa jeta bëhet më e këndshme. E çdo të ndodhë po qe se i riu shkon dhe martohet me një femër jomuslimane, për të cilën nuk di se nga rrjedh, nuk di për familjen e as për prejardhjen e saj? A thua ç’farë do të ndodhë kur me të do të krijon familje? A thua si do të ketë mundësi që fëmijëve të vet t’ua dhuron edukatën islame, apo do t’i le në fenë e saj dhe traditat e popullit të saj?!

Nuk ka dyshim se këtu paraqitet rreziku. Të riut musliman i rekomandohet që në vendet e tilla të mos martohet me tjetër, pos me femër muslimane.

Shikues nga Mbretëria Saudite:

Unë them se planifikimi i familjes sjell dobi të gjithanshme për familjen: dobi për babain, i cili gëzon të drejtën e kënaqësisë me bashkëshorten e tij, njashtu edhe dobi për gruan, e cila do të ketë rast për të pushuar nga shtatzënia në shtatzëni. Planifikimi i familjes sjell dobi edhe për fëmijun, i cili gëzon të drejtën e edukimit dhe dashurisë prindërore; pastaj, foshnja e re has se prindërit e saj janë të brengosur për ardhjen e saj.

Pyetja të cilën dua ta parashtroj ka të bëjë me atë se, sa kam kuptuar, “planifikimi” dhe “caktimi-përkufizimi” janë një. Nga shumë dijetarë tanë kam dëgjuar se caktimi-përkufizimi nuk është i lejuar assesi, ndërkaq planifikimi po. Pse?

Kur’ani famëlartë qartë thekson se foshnja e posalindur duhet të ushqehet me qumësht gjiri dy vite të plota, e me këtë nënkuptojmë se mes çdo foshnje të lindur duhet të ketë tre vjet.

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Unë përmenda se Islami nxit në krijimin e familjes, mirëpo me kushte që për një gjë të tillë të ndihmojnë faktorët dhe rrethanat. Më parë theksova se imam Gazaliu, për sa i përket çështjes së azlit – ejakulimit jashtë organit gjenital femëror – përmend qëllimet e mira dhe të këqija të cilat manifestojnë planifikimin familjar. Prej qëllimeve të këqija (shëmtuara) konsiderohet frika vetëm prej rriskut (furnizimit). Një gjë e tillë me siguri se nuk duhet të jetë shkak. Mirëpo, në qoftë se frikohet nga lodhja e vetes apo shkalimit të tij nëpër rrugë të këqija, me siguri se një gjë e tillë nuk konsiderohet prej qëllimeve të këqija, sidomos kur furnizmi i pamjaftuar bën që njeriu t’i lë mbrapa çështjet e fesë.

Imam Gazaliu përmend edhe frikën e njerëzve nga bijat e tyre. Disa nuk duan fëmijë femra, gjë e cila konsiderohet traditë e periudhës injorante. Islami nuk bën dallim mes fëmijëve, meshkuj qofshin apo femra, ata janë të njëjtë dhe të barabartë, siç thotë All-llahu i Madhëruar: “Vetëm i All-llahut është pushteti i qiejve e i tokës; Ai krijon çka të dojë; Ai i falë vetëm femra atij që do, e i falë vetëm meshkuj atij që do.”

Ndërkaq, ai i cili frikohet nga të furnizuarit me fëmijë femra në vendet e Perëndimit – me frikë nga ardhmëria e tyre – le të kthehet menjëherë në vendlindje, sepse atje më nuk ka mbetë jetë për të. Mirëpo, që njeriu të mos dojë të lindë fëmijë, nga frika e furnizimit me fëmijë femra, me siguri se një gjë e tillë është kundër natyrës së vetë njeriut, e jo vetëm kundër fesë.

E drejtë e njeriut është që ai të tentojë të krijojë familje: “Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit.”

Unë them: Islami nuk përcaktoi që ne të lindim 7 apo 10 fëmijë, e kështu me rradhë, por ne jemi ata të cilët planifikojmë dhe rregullojmë jetën tonë sipas asaj që na përshtatet dhe sipas kushteve dhe rrethanave ekzistuese. Nuk ka dyshim se kushtet dhe rrethanat janë në ndryshim e sipër nga e kaluara. Në të kaluarën njeriu kishte mundësi të jetonte në shtëpinë e familjes shumëanëtarëshe, me gjyshin, fëmijët e vet dhe nipat, që të gjithë në një shtëpi. Çdo vjehër i drejtohej të bijës, duke i thënë: “Ti vetëm lindë, e unë i mbikëqyr dhe edukoj ata”. Ndërkaq, në kohën moderne njerëzit kanë filluar të jetojnë në shoqëri të mbyllura, ku çdonjeri dëshiron dhe tenton të ketë shtëpi të veçantë. Jeta u bë krejt ndryshe nga e kaluara. Më parë fëmijët luanin jashtë nëpër rrugë, ndërsa tash jo. Medoemos duhet që për ta të ofrohet edukata shëndetësore, kulturore dhe shoqërore, sidomos kur kemi parasysh se shumë nga nënat e sotme janë në marrëdhënie pune. Kjo bën që njerëzit të mjaftojnë me një numër logjik të fëmijëve. Ne nuk themi 2 apo 3, por themi: sipas kushteve dhe rrethanave. Me siguri se një gjë e tillë paraqet planifikim, i cili nënkupton se në një familje do të ketë mundësi të ketë 3 fëmijë, ndërsa në tjetrën 5. Nuk pengon asgjë që të dy bashkëshortët të rregullojnë dhe planifikojnë jetën e tyre, kuptohet sipas asaj që ata i bën të qetë dhe të sigurtë, si në aspektin fetar, ashtu edhe në atë jetësor.

Shikues nga Algjeri:

Cili është mendimi juaj mbi abortimin e grave të dhunuara, sidomos nga rebelët e rrugëve apo terroristët?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Një gjë të tillë e kam theksuar kur kam folur mbi çështjen e grave të dhunuara në Bosnje. Pa dyshim se ekzistojnë domosdoshmëri të cilat sjellin në abortimin e foshnjeve të cilat janë rezultat i dhunimeve. Një çështje të tillë e kam potencuar gjatë pyetjes që m’u parashtrua nga ana e motrave në Bosnje, të cilat përjetuan dhunime nga ana e ushtarëve të egër serb. Gratë e dhunuara refuzonin foshnjet si rezultat i dhunimit, e një gjë të tillë e refuzonin edhe familja edhe shoqëria. Kam thënë se në këtë rast lejohet aborti, duke u bazuar në thënien e atyre të cilët lejojnë abortin para plotësimit të 40 ditëve të embrionit, duke pasur parasysh se ekziston abort edhe para plotësimit të 120 ditëve të shtatzënisë. Unë gjithashtu kam theksuar se gruaja e dhunuar nuk posedon kurrfarë mëkati, ngase ajo ka qenë e detyruar për një veprim të tillë, kurse Islami e shlyen mëkatin nga i detyruari. Shoqëria islame nuk duhet të shikojë në gruan e dhunuar se ajo ka bërë krim apo mëkat; jo, sepse ajo ka qenë e detyruar. Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem thotë: “All-llahu i falë këtij ummeti: Gabimin, harresën dhe atë për të cilën detyrohen.”

Kur’ani famëlartë potencon bile edhe kufrin (se All-llahu do t’i falë atij i cili detyrohet të shpreh kufrin): “Pos atyreve të cilët detyrohen, ndërsa zemrën e kanë të qetë me besim (iman).”

Nu ka dyshim se gruaja e detyruar për një veprim të tillë nuk ka mëkat, ndërsa shoqëria është e detyruar ta pranojë atë si të tillë. Për çdo rast, nëse ndodh një gjë e tillë, ndërsa gruaja refuzon embrionin e saj, e një gjë të tillë e bëjnë edhe familja dhe shoqëria, atëherë na lejohet që të shfrytëzojmë lehtësimin e abortit, posaqërisht para kalimit të 40 ditëve, ndërkaq, në qoftë se gruaja shpreh dëshirë për mbajtjen e foshnjes së saj, duke shpresuar se një ditë ajo do të jetë pjesë e saj, pjesë e trupit dhe shpirtit të saj, e drejtë e saj është që të mbajë foshnjen e tillë dhe ta edukojë në mënyrë islame, ndërsa mëkati dhe krimi bie mbi egërsirat kriminele.

Udhëheqësi:

Një shikuese nga Norvegjia pyet: Jam mjeke muslimane, e punësuar në një nga spitalet në Evropë. A më është e lejuar që ta abortoj gruan jomuslimane, edhe pse ligji në këtë vend e lejon abortin e vullnetshëm, kuptohet pa ndonjë sëmundje, por vetëm pse gruaja e kërkon një gjë të tillë?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Të them të vërtetën, unë nuk lejoj një gjë të tillë, kuptohet pa ndonjë arsye (që shkakton abortin), pos në prani të rrethanave të domosdoshme. Mirëpo nëse vendi i punës e detyron mjeken muslimane që të zbaton një gjë të tillë, ndërsa ajo nuk ka mundësi të thotë “Jo”, atëherë le ta bëjë atë; por, nëse ka mundësi të arsyetohet dhe këtë veprim ta len në duart e dikujt tjetër, atëherë le ta bëjë atë, e nëse jo, atëherë le ta dijë se kjo çështje bën pjesë në dispozitat e domosdoshme.

Udhëheqësi:

Një shikuese nga Suedia thotë se ka tre fëmijë dhe shpreh dëshirë të ketë edhe më tepër, mirëpo bashkëshorti i saj e refuzon një gjë të tillë. Ç’farë të bëjë kjo grua?

Gjithashtu, një shikuese tjetër nga Gjermania pyet: Burri im refuzon që unë të përdori mjete për kontrollimin e shtatzënisë. A më është e lejuar që t’i përdori ato pa dijen e burrit tim?

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Për sa i përket pyetjes së gruas nga Suedia, ajo duhet medoemos të pajtohet me urdhërin e bashkëshortit të saj, ndërkaq, për gruan e dytë nga Gjermania kisha theksuar se disa vëllezër janë të mendimit se çdo planifikim i familjes është i ndaluar (haram). Në realitet, një konstatim i tillë nuk është i saktë, e as që është i vërtetë. Disa për argument të mendimeve të tyre shërbehen me hadithin e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ku thotë se azli (ejakulimi jashtë organit gjenital femëror) paraqet mbytjen e fshehtë të foshnjes.

Nuk ka dyshim se një gjë të tillë e kundërshtuan dijetarët islam, dhe të parët e selefit qysh nga koha e sahabeve radijall-llahu anhum. Prej sahabeve pati të cilët e lejuan azlin, siç transmetohet nga Xhabiri radijall-llahu anhu, i cili thotë: “Ne e praktikonim azlin, ndërsa Kur’ani shpallej”. Hadith i transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi.

Edhe Aliu radijall-llahu anhu mohoi thënien e atyre të cilët thonin se azli paraqet mbytjen e fshehtë të foshnjes. Ai tha: “Mbytja e foshnjes nuk kryhet, pos pasi të kalojë kaq e kaq, shtatë faza”. Në librin “Sunen El-Kubra” të Bejhakiut thuhet se azlin e lejuan shumë nga sahabet, tabi-inët dhe imamët e ndershëm.

Kisha për të thënë se, vëllezërit e përpiktë nuk duhet të detyrojnë bashkëshortet e tyre në shtatzëni të pandërprera. Jeta moderne nuk ofron kushte dhe rrethana për një edukatë të shëndoshë të fëmijëve sipas kësaj mënyre (të lindurit e fëmijëve njëri pas tjetrit). Medoemos që mes fëmijëve të ekzistojë një periudhë kohore, gjatë së cilës nënat do të kishin mundësi për një edukim të shëndoshë të fëmijëve të tyre, si dhe që çdo fëmijë të merr të drejtën e tij të dashurisë së nënës dhe babait, si dhe mbikqyrjen shëndetësore.

Udhëheqësi:

Një shikuese thekson se medikamentet të cilat planifikojnë dhe rregullojnë ciklin e shtatzënisë nuk i bëjnë aspak dobi. Sipas saj, ekziston një metodë e re, injekcion që pengon menstruacionet plot tre muaj. A është e lejuar kjo? Shikuesja, gjithashtu, thekson se ka 6 fëmijë.

Dr. Jusuf El-Kardavi:

Po, kjo është e lejuar, bile kjo është më e mirë se ajo që është theksuar mbi çështjen e sterilizimit përfundimtar apo paaftësimit përfundimtar për lindje.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit