-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Adhurimi, shkalla e fundit e dashurisë

Më të lexuarat

Rob quhet ai të cilin e nënshtron dhe e përul dashuria për të dashurin e tij. Dhe për këtë, gjendja më e nderuar e robit dhe pozicioni më i lartë i tij, është adhurimi, (ose robërimi ndaj Tij).

Kështu Allahu ka përmendur më të nderuarin e krijesave tek Ai dhe më te dashurin prej tyre për të, Muhamedin alejhi selam. Kështu, thuhet në hadithin e ndërmjetësimit, Ditën e Kiametit: “Shkoni tek Muhamedi, rob të cilit Allahu ia ka falur mëkatet e mëparshme dhe të mëvonshmet. Pra, ai e fitoi vendin e ndërmjetësimit me plotësimin e adhurimin të tij ndaj Krijuesit dhe në plotësimin e faljes që bëri Krijuesi ndaj atij. Allahu i ka krijuar krijesat për ta adhuruar atë pa i bërë shok, gjë e cila është dashuria më e përsosur me llojin më të përsosur të nënshtrimit dhe të përuljes. E ky në të vërtetë është Islami, feja e Ibrahimit, të cilin kush e kundërshton është tallur me veten e tij, siç thotë i Larti: “E kush largohet nga feja e Ibrahimit përveç atij që e poshtëron vetveten? Ne atë e bëmë të zgjedhur në këtë botë, kurse në botën tjetër ai është njëri prej të lartëve. Kur Zoti i tij i tha atij: “Dorëzohu!”, ai tha: “I jam dorëzuar Zotit të botëve”. E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë fe e edhe Jakubi (iu thanë): “O bijtë e mi, Allahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë”, “A ishit ju (ithtarë të librit), dëshmitarë kur Jakubit iu afrua vdekja e iu tha bijve të tij: “Çfarë do të adhuroni pas meje? Ata thanë: “Do të adhurojmë Zotin tënd dhe Zotin e prindërve tuaj: Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, një të vemin Zot dhe ne vetëm Atij i jemi dorëzuar.” (Bekare, 130-133).

Pra, për këtë shkak, shirku është mëkati më i madh tek Allahu dhe ai nuk e fal atë që t’i bëhet shok Atij. Origjina e shirkut është t’i bëhet shok Atij në dashuri, siç thotë i Larti: “E ka nga njerëzit që në vend të Allahut, besojnë idhujt, që i duan ata sikur duan edhe Allahun, por dashuria e atyre që besuan Allahun është më e fortë.” D.m.th.: dashuria e besimtarëve për Allahun është shumë më e fortë sesa dashuria e idhujtarëve për idhujt. Por ka edhe kuptimin tjetër se dashuria e besimtarëve është më e fortë për Allahun sesa dashuria e idhujtarëve për Allahun, sepse nëse ata duan njëkohësisht zota-idhujsh atëherë dashuria e tyre për Allahun është e dobët. Prandaj Allahu i Lartësuar e kundërshton në maksimum që të merret i dashur ose ndërmjetësues tjetër, përveç Atij, siç edhe thotë: “Vërtet Zoti juaj është Allahu, i cili krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh e pastaj qëndroi mbi Arshin. Ai drejton gjendjen. Ndërmjetësues nuk ka, vetëm po qe se e lejon Ai. Ky pra është Allahu, Zoti juaj pra adhurojeni atë. A nuk merrni mësim?” (Junus, 3). “Dhe tërhiqu vëmendjen me këtë (Kuran) atyre që i frikësohen tubimit para Zotit të tyre, në mënyrë që të ruhen, sepse përveç Tij nuk do të ketë as mbrojtës dhe as ndërmjetësues” (Enam, 51). “A kanë zgjedhur ndërmjetësues tjetër përveçse Allahut? Thuaj! A pse janë të tillë që nuk posedojnë asgjë e as nuk e kuptojnë? Thuaj! I tërë shefati (ndërmjetësimi) i takon vetëm Allahut. (Zumer, 43-44).

Pra, kur robi ia kushton dashurinë e tij vetëm Zotit të tij, nuk ka nevojë që të ketë ndërmjetësues. Adhurimi i vërtetë nuk arrihet duke i bërë shirk Allahut në dashurinë për të. Por, ndryshe ndodh kur krijohet dashuria për hir të Allahut, madje ajo është nga domosdoshmëria e adhurimit dhe nga detyrat e tij. Kështu imani nuk është i plotë pa dashurinë për Profetin alehi selam, pasi dashuria për të vjen nga dashuria për Allahun, madje kjo dashuri (për Profetin) duhet t’i paraprijë dashurisë për veten, prindërit dhe fëmijët. Transmetohet në të dy sahijhët hadithi i Profetit alejhi selam: “Nuk gjen askush ëmbëlsinë e imanit, përveçse atij që ka 3 veti: Të jetë Allahu dhe i dërguari i tij më i dashur për të se çdokush tjetër, ta dojë një njeri vetëm për hir të Allahut dhe të urrejë kthimin në kufër, ashtu siç urren të hidhet në zjarr.”

Ndërsa në një hadith tjetër thuhet se: “Ai që do për hir të Allahut, urren për hir të Allahut, jep për hir të Allahut dhe ndalon për hir të Tij, vërtet e ka plotësuar (imanin)” dhe “Nuk duhen dy veta për hir të Allahut, përveçse më i miri nga ata të jetë ai që e do më shumë shokun e tij.”

Pra, kjo dashuri është nga detyrat e dashurisë për Allahun dhe sa më e fortë të jetë ajo aq më e fortë është origjina e saj. /klubikulturor/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit