Nis konkretizimi i partneritetit Shqipëri-Turqi.
Vetëm pak ditë nga deklaratat zyrtare të kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe vizitës së përbashkët Rama-Erdogan në Kosovë, nënshkruhen dy marrëveshje bashkëpunimi mes shteteve.
Kështu, qeveria, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama miratoi dje, në parim marrëveshjen e bashkëpu-nimit ushtarak financiar, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë e të protokollit të zbatimit të ndihmës financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë.
Marrëveshja e bashkëpunimit ushtarak financiar konsiston në dhurimin, nga pala turke, të një shume prej 2 275 000 Lirash turke, ekuivalente me 1 137 500 $, për blerje materiale e pajisje ushtarake, vizita, trajnime e kurse personeli, dhe si kontribut për projektin e modernizimit të Aeroportit të Kuçovës. Ndërkohë, një tjetër bashkëpunim dypalësh është fiksuar gjatë vizitës së ministrit të Bren-dshëm, Saimir Tahiri në Turqi. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të Ministrisë së Brendshme, Tahiri ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Turqi me ftesë të homologut të tij turk, Muammer Gyler. Bisedimet dypalëshe janë fokusuar te ndihma që Policia Turke do t’i japë asaj shqiptare, me synim rritjen e efikasitetit për rivendosjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Ministri Tahiri e ka siguruar homologun e tij për qëndrimin e vendosur të Qeverisë Shqiptare, për të zbatuar një strategji më efikase në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve, në veçanti atij të qenieve njerëzore dhe drogës. Ndërsa ministri Gyler ka theksuar gatishmërinë e qeverisë turke për të ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme policinë shqiptare.
Të dy ministrat kanë shprehur vullnetin e palëkundur për të forcuar edhe më tej bashkëpunimin dypalësh në interes reciprok. Vizita e ministrit të Punëve të Brend-shme, Saimir Tahiri dhe bisedimet me homologun turk janë përshkuar nga një frymë shumë miqësore. Ndërkohë pritet që qeveritë e dy vendeve të kenë një bashkëpunim edhe më të gjerë. Edi Rama ka lajmëruar se mes dy kabineteve do të ketë edhe takime dypalëshe, ashtu siç pritet në fakt të ketë në nëntor mes qeverisë shqiptare dhe asaj kosovare. Një plan i tillë edhe me qeverinë turke është lajmëruar qysh pas vizitës së parë, në shtator, të Ramës me disa ministra në Turqi. Kryeministri Edi Rama shkaktoi reagime sidomos në radhët e opozitës shqiptare, kur gjatë vizitës së parë në Turqi deklaroi se “së bashku me Italinë dhe Greqinë, Turqia u bë partner strategjik i yni. Ne Turqinë e shohim si një partner strategjik, duam që të forcojmë dhe ta zhvillojmë marrëdhënien që kemi me vendin tuaj. Ne duam që të përfitojmë nga procesi i transformimit verbues që ka përjetuar Turqia këto kohë, ne e shohim atë si shembull”.