-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Besa e Muslimanit – Ngjarje Historike

Më të lexuarat

Dy të rinj vajtën tek kalifi Umer ibnul Hattab, Zoti qoftë i kënaqur me të. Për krahësh mbanin një burrë të panjohur nga shkretëtira. Me të dalë para Umerit, ky i fundit i pyeti:”Kush është ky? Pse e mbani për krahësh?”

Ata u përgjigjën:”Ky ka vrarë babanë tonë o Prijës i Besimtarëve.”

Umeri e pyeti burrin:”A është e vërtetë që u ke vrarë babanë?!”

Burri u përgjigj:”Po, e kam vrarë.”

Umeri e pyeti:”Si e ke vrarë?”

Burri:”Kishte hyrë me devenë e tij në parcelën time. I kërkova të dalë, por ai refuzoi. Kështu, e gjuajta me një gurë, i cili e goditi në kokë, e për rrjedhojë ra i vdekur përtokë.”

Umeri tha:”Dënohesh me vdekje.”

Ishte një ligj që nuk mund të tolerohej dhe të vihej në diskutim. Umeri, Zoti qoftë i kënaqur me të, nuk e pyeti mbi familjen e tij, as nga cili fis rridhte, as nëse i përkiste një familjeje të fisme dhe të fuqishme, as cili ishte statusi i tij në shoqëri. Të gjitha këto nuk i interesonin aspak Umerit, i cili nuk merrte parasysh askënd kur flitej për ligjet e Zotit. Askush s’qëndronte mbi forcën e ligjeve hyjnore, edhe sikur vrasësi të ishte vetë djali i Umerit.

I zënë ngushtë nga ajo që i dëgjuan veshët, burri i tha:”O Prijës i Besimtarëve! Të kërkoj që për hatër të Atij që ka krijuar qiej e tokë, të më japësh leje vetëm një natë. Dua të shkoj tek ime shoqe dhe tek fëmijët në shkretëtirë dhe tu tregoj se do të dënohem me vdekje për shkak të vrasjes. Pasha Zotin ata s’kanë njeri tjetër që kujdeset për ta përveç meje.”

Umeri e pyeti:”E kush del garant për ty që do të kthehesh nga shkretëtira?!”

Burri uli kokën, sakaq të gjithë të pranishmit mbajtën frymën. Askush nuk e njihte atë person, as emrin, as ku e ka ngritur çadrën në shkretëtirë, as shtëpinë dhe as farefisin. Si mund të dilnin garant për të? Këtu nuk bëhej fjalë për garanci për një grusht parash, as për një rrip toke, as për një deve, por garanci për jetën. Nga ana tjetër, askujt nuk ia mbante ti kërkojë Umerit ta tolerojë, aq më tepër që bëhej fjalë për dispozitat hyjnore. Kush ishte ai burrë që të ndërhyjë në një rast si ky?

Askush nuk fliste. Umeri dukej i prekur nga ajo që po ndodhte, por nuk e lëshonte veten. Ai uli kokën dhe më pas iu kthye dy të rinjve, bijve të viktimës:”A pranoni ta falni vrasësin e babait tuaj?”

Njëzëri u përgjigjën:”Jo. Kush ka vrarë babanë tonë, duhet të vritet para syve tanë o Prijës i Besimtarëve.”

Mandej, Umeri iu kthye të pranishmëve:”Kush del garant për këtë të mjerë?”

Të gjithë ulën kokat dhe nuk folën, përveç Ebu Dher-it i cili, me kokën plot thinja e me trupin e ligsht tha:”Unë o Prijës i Besimtarëve. Unë dal garant për të.”

Umeri, si për t’ia kujtuar, i tha:”Por, a e di se është vrasës!”

Ebu Dher-i:”Edhe pse është vrasës.”

Umeri e pyeti:”Mos e njeh?”

Ebu Dher-i:”Jo, aspak.”

Umeri:”E si del garant për të atëherë?!”

Ebu Dher-i:”Pikasa tek ai cilësitë e një besimtari dhe besoj se nuk do të gënjejë. Në dashtë Zoti, ka për të ardhur dhe do e mbajë besën.”

Umeri i tha:”O Ebu Dher! Mos mendon se nëse vonohet mbi tri ditë, do të heqim dorë dhe do të shpëtosh?!”

Ebu Dher-i:”Më ndihmoftë Zoti o Prijës i Besimtarëve!”

Kështu, burri vrasës u la i lirë, pasi i kishte dhënë leje Umeri vetëm tre ditë, gjatë të cilave do u jepte lamtumirën fëmijëve dhe familjes, si dhe do ua linte amanet dikujt nga të afërmit.

Tre ditë më pas, Umeri i rikthehet çështjes. S’bëhej fjalë që ai të toleronte në gjëra të tilla. Ai i numëronte ditët një e nga një.

Ditën e tretë, pas namazit të iqindisë, ai mblodhi burrat në xhami. Pasi kërkoi Ebu Dher-in dhe ai doli para njerëzve, i tha:”Ku e ke personin për të cilin dole garant o Ebu Dher?”

Ebu Dher-i u përgjigj:”Nuk e di o Prijës i Besimtarëve.” Mandej hodhi sytë nga dielli, i cili iu duk se e shtoi shpejtësinë e vet drejt perëndimit.

Të gjithë myslimanët dhe shokët e Profetit a.s kishin ulur kokat dhe askush s’pipëtinte. Veç Zoti e dinte sa të prekur ishin nga ajo që po ndodhte. Të gjithë e dinin dashurinë dhe respektin e Umerit për Ebu Dher-in, saqë ishte gati ti japë një organ të trupit të tij po ti nevojitej. Por këtu fjala bëhej për çështje të sheriatit dhe drejtësisë, ishin dispozita hyjnore dhe nuk i shkonte mendja ndokujt ti shkelë. Askush nuk i jepte të drejtë vetes të hapë një debat lidhur me vlefshmërinë e tyre, apo se duhen zbatuar në disa rrethana dhe nuk duhen zbatuar në rrethana të tjera, se duhen ekzekutuar me disa njerëz e jo me të tjerë.

Disa çaste para perëndimit të diellit, dallohet nga larg pluhuri që ngrinte galopi i një kali. Umerit i çeli fytyra dhe thirri:”Zoti është më i madhi!” gjë e cila u pasua edhe nga myslimanët e tjerë.

Me të mbërritur burri, Umeri e pyeti:”Pashë Zotin, më thuaj çfarë të solli të vritesh! Shumë mirë mund të kishe qëndruar në shkretëtirën tënde, e askush nuk do të gjente dot kurrë.”

Burri ia ktheu:”Pasha Zotin o Prijës i besimtarëve, nuk erdha as për ty dhe as për ndonjë tjetër. Erdha vetëm për hir të Atij që di çdo të fshehtë. Kisha frikë se do të thonë njerëzit pas meje:”Ka humbur besa mes myslimanëve. Pasha Zotin i kam lënë fëmijët si zogj të vegjël në shkretëtirë dhe erdha të marr dënimin që meritoj.”

Mandej, Umeri iu drejtua Ebu Dherit:”Po ti more i mjerë, ç’të bëri të pranosh e të hysh garant në një çështje kaq delikate dhe të rrezikshme?!”

Ebu Dheri ia ktheu:”Pata frikë se do të flitet anembanë për këtë ndodhi dhe do të thonë njerëzit:”Myslimanët nuk i zënë besë njëri-tjetrit.”

Umeri u drejtua nga dy djemtë të cilëve u ishte vrarë i ati. Me lot në sy, ata thirrën:”E kemi falë, e kemi falë o Prijës i Besimtarëve.”

Umeri i pyeti:”E keni falë?! Po pse pikërisht tani dhe jo më parë?!”

Dy djemtë i thanë:”Kemi frikë se do flasin njerëzit e do thonë se mes myslimanëve ka humbur morali i faljes dhe dhembshurisë.”

Me lotët që i lagnin mjekrën, Umeri u tha:”Zoti ua shpërbleftë me të mira për aktin!” Mandej iu drejtua Ebu Dherit:”Zoti ta shpërbleftë me të mira edhe ty o Ebu Dher! I hoqe një barrë të rëndë këtij burri.” Pastaj, iu drejtua burrit:”Edhe ty Zoti ta shpërbleftë me të mira, për besën dhe fjalën e mbajtur!”

Ne dhe çdo brez i kaluar e lusim Zotin që edhe ty o Prijës i Besimtarëve, të të shpërblejë me të mira për drejtësinë që vendose mes njerëzve./kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit