Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, deklaroi se të gjitha vendet duhet të njohin Palestinën në kufijtë e vitit 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet
STAMBOLL (AA) – Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, deklaroi se të gjitha vendet duhet të njohin Palestinën në kufijtë nga viti 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu foli në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), i cili po mbahet në Stamboll dhe me këtë rast deklaroi se sot janë mbledhur për ti thënë “stop” dhunës.
Ai konsideron se SHBA-të me vendimin që sollën më 6 dhjetor, për njohjen e Kudsit si kryeqytet të Izraelit, vazhdon të legjitimojë nismën izraelite për pushtimin e Kudsit.
Minsitri turk tha se disa presin që bota islame këto zhvillime t’i ndjekë me qetësi.
“Por, ne kurrë nuk do të heshtim. Kjo tirani shkatërroi mundësinë e paqes dhe bazën e bashkëjetesës. Vendimi të cilin e miratuan SHBA-të për ne është i pavlefshëm”, ka thënë Çavuşoğlu.
Ministri i Jashtëm turk përsëriti thirrjen e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, që të mbrohet Kudsi i cili është vend i shenjtë për të tre religjionet e mëdha.
Ai poashtu konstatoi se Palestinën duhet njohur të gjitha vendet.
“Duhet të gjithë të bëjmë përpjekje. Ne që kemi njohur Kudsin Lindor si kryeqytet të Palestinës, ne duhet të nxisim edhe vendet tjera të njohin Palestinën në kufijtë nga viti 1967 me Kudsin Lindor si kryeqytet”, ka thënë Çavuşoğlu.
Ai poashtu potencoi edhe domosdoshmërinë e unitetit të palestinezëve duke shtuar se kjo luftë nuk do të ndahet nga linja ligjore dhe as nuk do të lejojë provokime.
Gjithashtu theksoi edhe rëndësinë e mbështetjes së OBI-t dhe mekanizmave tjerë.
Çavuşoğlu tha se Samiti i sotëm do të dëshmojë vendosmërinë e botës islame për luftë.