Krijuesi i Gjithësisë ka dërguar Profetët në tokë për të shpërndarë mesazhin hyjnor. Me zbritjet e shpalljeve hyjnore kanë ardhur edhe mrekullitë që njerëzve t’ju shtohej besimi. Nga librat e shenjtë kemi mësuar që Krijuesi i Gjithësisë profetit Musa alejhi selam (Mosiu) i dha një mrekulli që Beni Israilët ishin prezent dhe e panë me sytë e tyre. Zoti e urdhëroi Musain alejhi selam që me shkopin e tij ta drejtonte drejt detit dhe u nda deti në mes ku kaluan fiset e Beni Israileve. Ndersa profeti Isa alejhi selam ( Jezusi) me lejen e Zotit të Gjithësisë ka bërë mrekullira. Proefti i fundit ishte Muhammedi alejhi selam.
Mrekullitë e profetit tonë të dashur janë të shumta por mrekullia më e madhe është Kur’ani famëlartë, fjala e Sunduesit të Gjithësisë. Me lejën e Zotit do të përmendim një mrekulli që kanë qënë prezent vetë muslimanët. Profeti Muhammed alejhi selam kishte vendosur ta kryente ritualin e Umras, dhe së bashku më muslimanët ishte nisur nga Medina në drejtim të Mekës së nderuar. Gjatë rrugës u ndalën për të pushuar disa ditë në vendin e quajtur Hudebije. Profeti Muhammed alejhi selam u ngrit për të marr abdes, për të falur namazin e ikindisë. Në kohën kur Profeti Alejhi selam ishte duke marrë abdes, pa se njerëzit po nxitonin drejt tij.
– Çfarë keni?! Pyeti Profeti alejhi selam.
– Ata thanë: “O i Dërguar i All-llahut! Nuk kemi ujë as për të marr abdes e as për pije përveç ujit me të cilin ti po merr abdes.”
Profeti Muhammed alejhi selam e futi dorën e tij në enë, e mes gishtërinjve të tij filloj që të rrjedhe ujë sikurse nga burimi, derisa njerëzit pinë ujë që të gjithë dhe morën abdes. Numri i tyre ishte më shumë se një mijë. Një prej njerëzve të ndodhur aty ishte edhe Xhabiri r.a i cili thotë se: ” Uji do t’na mjaftonte sikur të ishim edhe njëqind mijë” .
Burimi i ujit nga gishtërinjtë e Profetit Muhammed alejhi selam ndodhi edhe disa herë të tjera. Kjo është një mrekulli prej mrekullive të tij. Diçka e tillë është e jashtëzakonshme dhe nuk ka mundësi ta bëjë dikush tjetër, pos All-llahut të Madhëruar. Këto dhe argumente të shumta vërtetojnë profecinë e Muhammedit alejhi selam.
Marrë nga faqja e hoxhë Elvis Naçi