Papa Françesku pas rikthimit në Vatikan, ka treguar se nuk ka mundur që të negociojë për të vërtetën në udhëtimin e tij në Mianmar. Madje ai theksoi se ka qarë për komunitetin mysliman atje, të njohur si Rohinga.
Pasi u kthye nga udhëtimi apostolik në Bangladesh, Papa Françesko ka dhënë detaje lidhur me prapaskenën dhe ndjenjat e tij në takimin me komunitetin mysliman137 “rohinga” dhe kreun e ushtrisë së Mianmarit.
“Fjalën rohinga e kisha thënë dhe në Romë, në udhëtim më interesonte që të kalonte mesazhi, dhe kaloi. Por unë nuk kam negociuar të vërtetën”, u shpreh ati i shenjtë. Në një tjetër tregim në takimin me gazetarët që ishin në bordin e avionit që e solli në Vatikan, Papa Françesko thotë: “autoritetet donin t’i hiqnin ata nga skena në fund të takimit ndërfetar në Daka dhe donin që ata të mos flisnin me mua. Nuk e lejova këtë. Kam qarë dhe jam përpjekur që të mos e shfaq atë”.
“Të thoshe fjalën rohinga ishte si t’i përplasje derën në fytyrë dikujt. Për këtë kam menduar se në fjalimin zyrtar ishte më mirë të flisja për të drejtat e minoriteteve, në mënyrë që të shkoja përtej saj në mbledhjet private”, nënvizon Papa duke bërë me dije se ka mbetur i kënaqur nga dialogu me autoritetet e Mianmarit. Ndërkohë, ati i shenjtë ka shprehur dëshirën e tij për të vizituar Kinën dhe Indinë në një të ardhme të afërt shkruan Express. Nuk dihet se si do pritet vizita e Papes në Kinë, ndërkohë që Kina nuk ka marrëdhënie diplomatike me Vatikanin. Vatikani mban marrëdhënie diplomatike me Tajvanin, ishullin përballë Kinës.