0.9 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Zona e Biznesit Të Familjes së Shaip Mujës kundërshton Xhaminë

Më të lexuarat

Hapësira ku po ndërtohet xhamia njihet me emrin jozyrtar lagjja Ariu, siç quhet restoranti në pronësi të vëllait të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës Shaip Mujës. Në këtë zonë po ndërtohet një kompleks banesor, ku janë hisedarë familjarë të deputetit. Deputeti Muja që është kundër ndërtimit të xhamisë në atë zonë, thotë se pa miratimin e tyre ajo “nuk do të ndërtohet kurrë”.

Ministria e Mjedisit pezulloi ndërtimin e xhamisë, bazuar në peticionin kundërshtues të iniciuar nga një prej vëllezërve të deputetit të PDK-së, nën arsyetimin se nuk ishte mbajtur dëgjim publik i kërkuar sipas ligjit për ndërtim. Dy prej njerëzve që figurojnë si nënshkrues të peticionit, deklaruan për Gazetën Jeta në Kosovë se nuk kanë firmosur asnjëherë diçka të tillë. Pezullimi i ndërtimit të xhamisë nga Ministria e Mjedisit solli akuzat e Bashkësisë Islame se familja Muja po kundërshton ndërtimin për interesa biznesi.
Rruga në anën e djathtë të Veternikut në dalje të Prishtinës të çon në zonën e pagëzuar me emrin “Ariu”.
Emri zyrtar i lagjes ku përfshihet kjo zonë, është Kalabria. Por, një mbishkrim në një kompleks banesor që po ngrihet në këtë pjesë të Prishtinës, tregon se je futur në lagjen Ariu, përballë restorantit me të njëjtin emër.
Aksionar në restorant Ariu është Naim Muja, ndërsa në kompleksin banesor “Kervancan” Arsim Muja.
Të dytë, janë vëllezërit e deputetit të fuqishëm të Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet, Shaip Muja.
Në afërsi të këtyre bizneseve janë vënë themelet e një xhamie, që deputeti Shaip Muja bashkë me vëllezër po përpiqen të mos e lënë të ngrihet.
Një mini-kopsht zoologjik i përbërë prej patave, bibave, pulave, gjelave, e deri vonë edhe arinjve, ka mundësi që do të duhet të jetojë nën hijen e xhamisë që ka ngulitur themelet e ndërtimit vetëm dy-tri metra larg kopshtit që është pjesë e restoranit Ariu, lagje kjo rreth katër kilometra në dalje të Prishtinës, drejt Ferizajt.
Por, pronarët e Ariut u kanë shpallur luftë ndërtuesve të xhamisë me pretekstin që nuk ka pasur debat publik për këtë punë. Ndërtuesit e xhamisë në anën tjetër thonë që i kanë respektuar rregullat dhe kanë marrë leje ndërtimi.
Tensionet janë ngritur sidomos për shkak të faktit që të dy palët mund të konsiderohen se kanë përkrahje të fortë, njëra politike, e tjetra fetare të komunitetit islam.
Xhamia, e cila nisi të ndërtohej në muajin korrik, me leje të Komunës së Prishtinës, u ndërpre nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, MMPH, pas një peticioni që udhëhoqi i vëllai i deputetit Muja, Fatmiri.
Peticioni u dorëzua në ministri më 3 shtator të këtij viti.
Inspektorët komunalë të Prishtinës dhe inspektorët mjedisorë të qeverisë, ndërprenë punimet më 14 shtator me arsyetimin se procedura e dhënies së lejes për xhaminë është bërë pa u nxjerrë në diskutim publik.
Vendimi për pezullimin e ndërtimit, ishte marrë tri ditë më herët, më 11 shtator dhe shfuqizonte aktvendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien e lejes për ndërtim, të marrë më 1 korrik të këtij viti.
Këshilli i Bashkësisë Islame i Prishtinës kishte bërë kërkesë për leje më 27 qershor 2013.
Ndërkohë, në mesin e 22 vetave që figurojnë se kanë nënshkruar peticionin kundër ndërtimit të xhamisë, është edhe deputeti Shaip Muja bashkë me katër vëllezërit e tij.
Deputeti i PDK-së nuk pranoi të komentojë për arsyet që e shtynë të nënshkruajë peticionin, kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë, disa herë radhazi.
“Nuk jam i interesuar me fol për asnjë temë dhe mos më thirrni më”, deklaroi Muja.
Më 14 shtator, kur inspektorët komunalë dhe ata mjedisorë të MMPH-së ndërprenë punimet, Shaip Muja deklaroi për KTV-së se xhamia nuk do të ndërtohet, nëse nuk merret miratimi i banorëve.
“Nëse ajo [xhamia] po ndërtohet për myslimanë, duhet myslimanët me u vetë për të. E, nëse po ndërtohet që me ardhë prej Arabisë Saudite për me u fal aty, atëherë ajo nuk ka me u ndërtu kurrë”, deklaroi deputeti Muja.
Zyrtarët e Bashkësisë Islame të Prishtinës po e akuzojnë atë dhe vëllezërit e tij se po kundërshtojnë ndërtimin për shkak të interesave biznesore.
“Xhamia, sipas tyre ( Mujajve) mund të pengojë shitjen e banesave”, thotë Bahri Sejdiu kryetar i Bashkësisë Islame për Prishtinë. Ai i referohet kompleksit banesor që po ndërtohet në afërsi të xhamisë, ku kanë hise anëtarët e familjes Muja.
Deputeti i PDK-së është përmendur edhe më herët për fuqi politike dhe lidhje me biznesin.
Ishte këshilltar për shëndetësi i kryeministrit Thaçi në vitet 2008-2010 dhe emri i tij është përmendur në raportin e Këshillit të Europës në vitin 2012, të përpiluar nga Dick Marty. Politikani zviceran sugjeronte një lidhje të mundshme mes rastit me tregtinë e veshkave Medicus dhe tregtisë së pretenduar të organeve, të kryera nga UÇK-ja. Muja i ka mohuar akuzat se ka qenë i përfshirë në trafik organesh.
Gazeta britanike “The Independent”, raportoi në maj të këtij viti se Muja është përfshirë në valën e dytë të hetimeve për krimet e kryera në klinikën “Medicus”.
Muja ishte paraqitur në procesin gjyqësor të rastit Medicus dhe kishte konfirmuar se ishte interesuar për klinikën nga “obligimi moral”.
Bizneset në pronësi të vëllezërve të tij janë përmendur për uzurpime të pronës publike dhe për parregullsi gjatë ekzekutimit të kontratave publike.
Peticioni i kontestuar i Fatmir Mujës
Njëjtë si vëllai i tij, Shaipi, deklarohet edhe Fatmir Muja.
“Nëse nuk pyetemi ne, nuk e di ku do t’i marrë xhematlitë për xhami. Veç nëse i merr në Arabi Saudite”, thotë Fatmir Muja.
Sipas tij, leja për ndërtimin e xhamisë nga Komuna e Prishtinës është dhënë, pa e marrë miratimin e komunitetit.
“Peticionin e kemi bërë për të kërkuar zbatimin e ligjit në ndërtimin e kësaj xhamie dhe jo që ne si familje jemi kundër xhamisë. Ne kemi dhënë donacione për xhami të ndryshme kur na është kërkuar dhe kemi pasur mundësi për të dhënë”, thotë Fatmir Muja që dërgoi në Ministri të Mjedisit peticionin kundërshtues për ndërtimin e xhamisë.
MMPH-ja, në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, ka ofruar 22 emrat e nënshkruesve të peticionit që kundërshtojnë ndërtimin e xhamisë në lagjen Kalabria, ku përfshihet një pjesë e zonës së quajtur Veternik.
Pesë nënshkruesit e parë janë: Fatmir Muja, Arsim Muja, Shaban Muja, Shaip Muja dhe Naim Muja.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor konfirmoi se janë paraqitur dy ankesa kundër ndërtimit të xhamisë nga banorët e zonës.
“Të dyja janë nga person kontakti i komunitetit dhe iniciuesi i ankesës, z. Fatmir Muja. Në ankesën e parë, peticionin e kanë nënshkruar 18 familje, ndërkaq në ankesën e dytë është kërkuar ndërmarrja e hapave konkretë për të gjetur zgjidhje të pranueshme të këtij problemi”, thotë Gëzime Hasani, zëdhënëse e MMPH-së.
Gazeta Jeta në Kosovë ka intervistuar disa nga njerëzit që figurojnë si nënshkrues të peticionit, për të kuptuar arsyet e kundërshtimit të xhamisë në lagjen “Kalabria”.
Disa prej njerëzve që sipas ministrisë, kanë nënshkruar peticionin, mohojnë se e kanë bërë një gjë të tillë.
Sevdail Zahiri, pronari i kompanisë “Zahiri” që gjendet pranë restorantit “Ariu”, pjesë e listës së firmëtarëve, thotë se nuk e ka nënshkruar këtë peticion.
“Ka qenë një iniciativë e këtyre të Ariut [të bëjnë peticion për ndalimin e punimeve të xhamisë], mirëpo nuk e kemi nënshkruar”, thotë Zahiri.
Njëjtë është shprehur edhe Bajram Gashani, pronar i kompanisë “Al-Trade” dhe rrjetit të maketeve “BauMarket”.
“Unë nuk e kam nënshkruar asnjë peticion kundër xhamisë”, ka thënë Gashani për Gazetën Jeta në Kosovë.
Iniciuesi i peticionit Fatmir Muja, thotë se të gjithë që figurojnë në listë nënshkruan.
“…tash nuk e di çfarë thonë ata”, thotë Muja.
Ndërkohë një prej nënshkruesve thotë se po kundërshton ndërtimin e tempullit fetar, për shkak se i pengon ezani-zëri i thirrjes për falje në xhami.
“Kam disa nipa e mbesa që mund të frikësohen nga ezani pesë herë në ditë dhe për këtë unë e kam nënshkruar peticionin. Xhamia mund të na pengojë në këtë aspekt”, thotë Hidajet Bytyqi banor i kësaj lagjeje.
Bashkësia Islame akuzon familjen Muja për interesa biznesi
Bahri Sejdiu, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës për Prishtinë, thotë se leja e ndërtimit është marrë me miratimin e komunitetit.
Sipas tij BIK-u shpenzoi mbi 200 mijë euro për blerjen e hapësirës prej dhjetë arësh tokë.
“Ne kemi bërë një peticion ku mbi 90 për qind e banorëve janë deklaruar pro xhamisë”, thotë Sejdiu.
Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi që të shoh peticionin që Sejdiu përmend por ai tha se ishte i zënë.
“Familja Muja po e pengon ndërtimin e xhamisë për interesa personale të familjes, pasi që as shumica e biznesmenëve që ka futur në peticion nuk janë për ndërprerjen e punimeve të xhamisë”, thotë Sejdiu.
Ai nuk përmend se cilët janë biznesmenët që figurojnë si nënshkrues të peticionit, por që nuk kundërshtojnë ndërtimin e xhamisë.
Sejdiu si interes të familjes Muja përmend kompleksin banesor të kompanisë “Kervancan”.
Sipas tij, familja Muja po e pengon ndërtimin e xhamisë, pasi që “xhamia, sipas tyre [Mujajve] mund të pengojë shitjen e banesave”.
Kompania Kervancan në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK) është regjistruar më 9 mars 2011 në pronësi të biznesmenëve TamerYusuf Yazici dhe Muharrem Kervan.
Person i autorizuar i kësaj kompanie është Arsim Muja, vëllai tjetër i Shaip Mujës, deputetit të PDK-së dhe ish-këshilltarit për shëndetësi të kryeministrit Hashim Thaçi.
Kontaktet e kësaj kompanie të vëna në dispozicion në regjistrat online të biznesit nuk ishin të qasshme.
I autorizuari i kësaj kompanie Fatmir Muja thotë se në kompleksin “Kervancan”, kanë hise si familje, por nuk pranon të zbulojë përqindjen e aksioneve, pasi sipas tij kjo përbën shkelje të sekreteve afariste.
Ai thotë se kundërshtimi i ndërtimit të xhamisë nuk po bëhet për shkak të ndërtimit të kompleksit banesor.
“…duam që ndërtimi i xhamisë të bëhet duke respektuar ligjet në fuqi dhe duke konsultuar paraprakisht banorët, para dhënies së lejes”.
Ministria e Mjedisit: Duhet të mbahet diskutim publik
Aksionin e ndërmarrë të shtunën e 14 shtatorit e kundërshton drejtori i Inspektoratit Komunal të Prishtinës.
“Për neve si Inspektorat i Prishtinës kjo xhami ka leje ndërtimi”, thotë Muhamet Gashi.
Sipas tij, Bashkësia Islame mund të vazhdojë lirshëm ndërtimet e pezulluara të shtunën me vendim të autoriteteve qendrore.
“Komuna i ka dhënë leje kësaj xhamie duke respektuar krejt rregullat”, thotë Gashi.
Por në ndërprerjen e punimeve më 14 shtator ishin prezentë edhe inspektorët komunalë që janë vartës të drejtorit të Inspektoratit Muhamet Gashi.
Ai thotë se obligohej të përfillte kërkesën që erdhi nga Ministria e Mjedisit që është nivel më i lartë shtetëror sesa komuna e Prishtinës.
“Ishim aty sepse Ministria e Mjedisit ka kërkuar nga unë që t’ua dërgoj inspektorët në terren. Ne duhet t’i respektojmë kërkesat që vijnë nga niveli më i lartë”, thotë Gashi.
Punimet në këtë xhami mbeten ende të pezulluara.
Bahri Sjediu nga Bashkësia Islame e Kosovës thotë që ata po bëjnë përpjekje ligjore që të lejohen të ndërtojnë këtë xhami.
“Për të na lënë që të përmbushim një leje që kemi marrë nga Komuna e Prishtinës, ne kemi bërë kërkesë edhe në Komunën e Prishtinës edhe në Ministrinë e Mjedisit, por ende nuk na janë përgjigjur”, thotë Sejdiu.
Kërkesa drejtuar institucioneve, është bërë më 19 shtator të këtij viti.
Edhe kryeimami i Kosovës, Sabri Bajgora mendon që BIK-u ka të drejtë dhe jo MMPH-ja që pezulloi lejen e ndërtimit.
“Ne mendojmë se e drejta është në anën tonë, meqë jemi të pajisur që nga fillimi i procesit me të gjitha lejet e kërkuara nga Komuna e Prishtinës”, deklaroi Bajgora për Gazetën Jeta në Kosovë, pas takimit që pati të enjten me ministrin e Mjedisit, Dardan Gashin.
Bajgora deklaroi se ekziston vullneti i shumicës absolute të lagjes që xhamia të ndërtohet dhe se nuk përben problem organizimi i një debati publik me qytetarët.
“Ne as nuk kemi hequr e as nuk do te heqim dorë nga ndërtimi i xhamisë, por dëshirojmë që tërë kjo odiseadë të marrë një përfundim të kënaqshëm dhe të pranueshëm, pa ardhur në kundërshtim me ligjin”, thotë Bajgora.
Takimin mes ministrit Gashi dhe Bajgorës e konfirmoi edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Kur inspektorët ndërprenë punimet, MMPH-ja njoftoi përmes një kumtese shtypi se aksioni ishte ndërmarrë duke u bazuar në ankesën e qytetarëve për neglizhimin e mbajtjes së diskutimit publik.
Ministria thotë se Komuna e Prishtinës shkeli Ligjin për Planifikim Hapësinor, Ligjin për Ndryshimin e Ligjit Hapësinor si dhe Ligjin e Ndërtimit.
“Ndër dispozitat ligjore të shkelura me dhënien e lejes së ndërtimit, përfshihet promovimi i procesit demokratik të pjesëmarrjes, transparencës së plotë në planifikim, nënshtrimit të shqyrtimit publik, dështimit të njoftimit të publikut dhe mundësimit të dhënies së komenteve për kërkesën e dhënies së lejes së ndërtimit”, thuhet në kumtesën e MMPH-së.
MMPH-ja në kumtesë njoftonte se bazuar në Planin Rregullues për këtë lagje, miratuar në vitin 2005 nga Asambleja Komunale, nuk parashihej ndërtimi i xhamisë në këtë zonë.
“Ndërkaq, sipas pjesës grafike të planit të ri 2013-2023, përsëri nuk është paraparë ndërtimi i asnjë objekti fetar në këtë pjesë”, njoftonte ministria.
Por, plani rregullues në këtë lagje është në fazën fillestare të procesit të ndryshimit.
“…mbetet që në kuadër të revidimit, të mbahet debati publik dhe të veprohet sipas komenteve dhe dëshirës së banorëve të lagjes. Deri në atë kohë, vazhdimi i punës do të konsiderohet i jashtëligjshëm dhe i ndëshkueshëm sipas ligjeve të Kosovës”, thuhej në kumtesën e MMPH-së.
Në arsyetimin e vendimit të MMPH-së jepen edhe sqarimet e Komunës së Prishtinës.
Drejtoria për Urbanizëm, Ndërtim dhe Mbrojtje të Mjedisit e Komunës së Prishtinës sqaronte se në planin rregullues nuk përmendet saktësisht ndërtimi i xhamisë në zonë, por është specifikuar se lejohet ndërtimi i objekteve me interes të përgjithshëm.
Po ashtu Drejtoria për Urbanizëm sqaronte se xhamia në lagjen “Kalabria”, është prej të paktave objekte fetare që ka siguruar leje të ndërtimit./jnk/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit