Princi Trashëgimtar Mohammed bin Salman duket se po prish fare kuptimin tonë lidhur me atë sesi sundohet Arabia Saudite. Duke kërkuar që të konsolidojë pushtetin e tij, ai flaku tej maturinë dhe kërkimin e konsensusit – teknikat tradicionale të lidershipit saudit – duke proceduar në fakt me shpejtësi pothuajse të papërgjegjshme dhe një shpërfillje të dukshme për fitimin e mbështetjes së xhaxhallarëve dhe kushërinjve të shumtë të tij. Arrestimi javën e kaluar i 11 princave me akuzën për korrupsion të lë të kuptosh se familja mbretërore, Shtëpia e Saudit, nuk është më mbi ligjin. Komentet rreth lëvizjeve të fundit të Mohammed bin Salman kanë qenë të ndara midis parashikimeve se ai po e çon vendin drejt një diktature apo drejt një revolte familjare. Por një këqyrje e vëmendshme e lëvizjeve dhe deklaratave të Mohammed bin Salman gjatë vitit të vitit të fundit të lë të kuptosh se ai është më shumë kalkulues sesa i ngutur. Prokurori i Përgjithshëm saudit tha javën e kaluar se hetimet për korrupsion po zhvilloheshin prej 3 vitesh, ndërsa Mohammed bin Salman e përmendi goditjen e gjerë ndaj korrupsionit në një intervistë në muajin maj. “Ju siguroj se çdo person i përfshirë në një rast korrupsioni, qoftë ai ministër, princ apo çfarëdo qoftë, nuk do të shpëtojë”, tha ai.
Ndërkohë, qysh nga prilli, Mohammed bin Salman, tani 32 vjeç, ka qenë duke orkestruar me qetësi emërimet e një numri princash mbi të 20-at apo të 30-ave në poste me pushtet. Ka gjasa që këta do të jenë vendimtarë për suksesin e rimodelimit të tij për mbretërinë dhe mund të shfaqen si arbitra për dekadat në vazhdim. Ata janë nipër ose stërnipër të themeluesit të Mbretërisë saudite, Ibn Saud, i cili vdiq në vitin 1953. Mohammed bin Salman është tërësisht i matur në promovimin e këtyre kushërinjve të rinj, duke i bërë apel ambicies dhe duke siguruar besnikërinë e tij. Është një mënyrë e mirë për të ndrydhur çdo konkurrencë midis linjave familjare: Ibn Saud kishte më shumë se 40 fëmijë dhe numri i stërnipave është në rendin e qindrave. Veprimet e Mohammed bin Salman deri më tani e kanë penguar një revolt kolektive familjare, duke provuar edhe një herë akoma dobinë e sentencës së vjetër “përça e sundo”. Si në të gjitha monarkitë, linja e gjakut është shpesh më e rëndësishme sesa kompetenca për liderë me perspektivë në Arabinë Saudite. Ndoshta Mohammed bin Salman dëshiron të promovojë talente, por gjithashtu do t’i kushtojë vëmendje edhe mënyrën sesi të shmangë mëritë apo shenja opozite. Promovimi i djemve mund t’u heqë një farë dhimbjeje baballarëve që po largohen. Shtepia e saudit ka përjetuar tranzicione të vështira më parë. Ajo çka është ndryshe kësaj radhe është se mosha nuk është më ekuivalente me moshën, por bile mund të bëhet një hendikap. Rinia domosodshmërisht nënkupton një mungesë të caktuar përvoje, por ky është një rrezik të cilin Mohammed bin Salman duket se ka vendosur që mund ta menaxhojë.
Kush duhet pasur parasysh
Princat e ri për t’u pasur parasysh janë (sipas renditjes alfabetike):
Abdulaziz bin Fahd është stërnip i Ibn Saud dhe Zëvendësguvernator i Rajonit Jaëf, në kufi me Jordaninë, qysh nga qershori i 2017. Babai i tij, një ish ushtar, u bë Komandant i Forcave Tokësore saudite në prillin e 2017.
Faisal bin Sattam u emërua ambasador në Itali në qershorin e 2017. Ai ka treguar simpati të hershme për ngjitjen e Mohammed bin Salman: Si anëtar i Allegiance Council (grupimit të anëtarëve të vjetër të familjes), ai votoi kundër Princit Prince Muqrin që të bëhej zëvendës Princ Trashëgimtar në 2014, një shenjë e hershme që i përkiste kampit të Salman. (Muqrin u bë Princ Trashëgimtar me vdekjen e Mbretit Abdullah në janarin e 2015, por u zëvendësua nga Mbreti Salman vetëm 3 muaj më vonë. I ndjeri Mbret Abdullah është raportuar se ka manovruar për zëvendësuar Muqrin me Salman, duke krijuar për pasojë një hapje si Princ Trashëgimtar për Princin Miteb, djalin e mbretit, i cili u shkarkua si Ministër i Gardës Kombëtare javën e kaluar dhe është një prej të arrestuarve).
Abdulaziz bin Saud është 30 vjeçari Ministër i Brendshëm, i emëruar në qershorin e 2017. Ai zëvendësoi xhaxhain e tij dhe Princin Trasjëgimtar të atëhershëm Muhammad bin Nayef, i cili u detyrua të dorëhiqet. Babai i Abdulaziz bin Saud është Guvernator i Provinës Lindore të pasur me naftë, ku shiitët sauditë formojnë një mazhorancë locale. Tagrat e tij të reja u kufizuar brenda pak ditësh nga emërimi nëpërmjet transferimit të tyre në një organizatë të re sigurie. Nëse ka qenë i zemëruar prej kësaj, nuk e ka treguar atë në publik.
Abdulaziz bin Turki, 34 vjeç, është Zëvendëspresident i General Sport Authority, i emëruar në qershorin e 2017. Babai i tij, Turki bin Faisal, ka shërbyer si ambasador në Uashington dhe London, si edhe ka qenë kreu i trupës së inteligjencës së jashtme të mbretërisë, General Intelligence Presidency. Kohët e fundit, Turki bin Faisal është angazhuar në diskutime publike me ish zyrtarë izraelianë.
Ahmed bin Fahd, stërnip i Ibn Saud, u emërua Zëvendësguvernator i Provincës Lindore në prillin e 2017. Babai i tij, i cili ka qenë Zëvendësguvernator i Provincës Lindore nga viti 1986 deri më 1993, vdiq në 2001.
Bandar bin Khalid, 52 vjeç, u emërua Këshilltar në oborrin mbretëror në qershorin e 2017. Babai i tij është Guvernator i Provincës së Mekës.
Khalid bin Bandar u emërua ambasador në Gjermani në qershorin e 2017. Ai është djali i edukuar në Oxford i Princit Bandar bin Sultan, ish ambasador në Shtetet e Bashkuara që kultivoi lidhje më shumë president amerikanë.
Khalid bin Salman, 29 vjeç, u emërua ambasador në Uashington këtë vit. Ai është pilot dhe vëlla i plotë i Mohammed bin Salman.
Saud bin Khalid u emërua Zëvendësguvernator i Medinës në prillin e 2017.
Turki bin Muhammad, 38 vjeç, u emërua Këshilltar në oborrin mbretëror në qershorin e 2017. Babai i tij, djalë i të ndjerit Mbret Fahd, ishte Guvernator i Provincës Lindore nga viti 1985 deri më 2013.
Një princ që vetëm pak ditë më parë do të kishte qenë në këtë listë ishte Mansour bin Muqrin, Zëvendësguvernatori i Provincës Asir, i cili u vra në një rrëzim helikopteri me 5 nëntor. Ai kishte shërbyer në këtë detyrë qysh nga viti 2013 dhe ishte bërë Këshilltar i Mbretit Salman në prillin e 2015, kur babai i tij u largua nga pozicioni i tij si Princ Trashëgimtar. Ka goxha spekulim se ai nuk e pëlqente Mohammed bin Salman, që është e besueshme sepse babai i tij u largua. Një fjalë që qarkullon është se vdekja e tij nuk qe e rastësishme, për të cilën, deri më tani, nuk ka asnjë dëshmi.
Kush mungon
Kjo listë princash është gjithashtu e njohur prej atyre që mungojnë. Ajo nuk përfshin djem apo nipër të të ndjerit Mbret Abdullah dhe vetëm një nip të Mbretit Fahd. Çdo i afërm i drejpërdrejtë i Princit Ahmed bin Abdulaziz, një prej të ashtuquajturëve Sudairi Seven, gjithashtu mungon. Mungesa është lehtësisht e shpjegueshme: Ahmed mendohet të ketë votuar në Allegiance Council kundër emërimit të Mohammed bin Salman si Princ Trashëgimtar në qershorin e këtij viti.
Mohammed bin Salman dukshëm që e shikon veten dhe shikohet njëlloj nga i ati si mbreti i ardhshëm i Arabisë Saudite. Thashethmja më e fundit është se ndryshimi mund të ndodhë shpejt. Tradicionalisht, suksesi i këtij tranzicioni do të varej më shumë se çdo gjë tjetër në pranimin dhe mbështetjen në familjen më të gjerë mbretërore, por padurimi dhe ambicia e Mohammed bin Salman të bëjnë të kuptosh se nuk do të jetë opsion. Në vend të kësaj, autoriteti i tij do të qëndronte tek mbështetja e atyre që ndodhen në këtë listë.
Një tjetër grup që mund të rezultonte vendimtar është ai i princave në forcat e armatosura. Këta është më e vështirë të identifikohen dhe thelbësisht janë në pozicionet e tyre për të ndaluar grushtet e shtetit.
Një kabllogram i vitit 1985 i Departamentit të Shtetit e nxjerrë nga ËikiLeaks është e vjetër, por na jep një koncentrat të mirë. “Thjesht prania e princave në forcat e armatosura siguron një farë stabiliteti për regjimin e Al Saud”, përfundon ajo.
Mbreti Salman mendohet se e shikon Mohammed bin Salman si Ibn Saud e kohëve moderne, një lider potancialisht të madh me një ambicie të jashtëzakonshme dhe shumë më premtues se çdo konkurrent tjetër më i moshuar për fronin. Por edhe Mohammed bin Salman duket kupton se, me qëllim që ta transformojë ekonominë e mbretërisë së tij dhe të përballet me sfidat e kaosit rajonal, ai duhet të jetë lideri i një ekipi mbretëror.
Nga Simon Henderson, përshtati Bota.al