Arabia Saudite ofron prej 5 deri në 30 milionë dollarë për ata të cilët tregojnë për vendin ku ndodhen 40 milicët dhe zyrtarët e Lëvizjes Husi, përgjegjës të akteve terroriste në Jemen
SANA (AA) – Arabia Saudite njoftoi se ofron prej 5 deri në 30 milionë dollarë për ata të cilët tregojnë për vendin ku ndodhen 40 milicët dhe zyrtarët e Lëvizjes Husi të cilët llogariten si përgjegjës për aktet terroriste në Jemen, transmeton Anadolu Agency (AA).
Arabia Saudite publikoi një listë e cila përfshin 40 persona përgjegjës për planifikim, realizim dhe mbështetje të akteve terroriste në Jemen.
Sipas agjencisë së lajmeve të Arabisë Saudite SPA, në krye të kësaj liste është lideri i Lëvizjes Husi, Abdulmelik el-Husi dhe se për ata të cilët e dorëzojnë në gjendje të gjallë atë, apo njoftojnë për vendin ku ndodhet do të dhurohen 30 milionë dollarë.
Në deklaratë thuhet se për ata të cilët njoftojnë për vendin e presidentit të Këshillit të Lartë Politik, të formuar nga mbështetësit e ish-presidentit Ali Abdullah Salih dhe anëtarëve të Lëvizjes Husi, Salih es-Samad, ministrit të Transportit në qeverinë Husi Zekeriyya esh-Shami, presidentit të Inteligjencës Ushtarake Abdullah Jahja Ebu’l Hakim, vëllait të Husit Abdulhalik el-Husi, ministrit të Mbrojtjes Muhammed Nasir el-Atifi, komandantit Jusuf el-Medani, presidentit të Inteligjencës së Brendshme Abdulkadir esh-Shami, presidentit të Inteligjencës së Jashtme Abdurrab Salih Xherefan dhe këshilltarit ushtarak Jahja Muhammed esh-Shami, do të dhurohen 20 milionë dollarë.
Për ata të cilët tregojnë për vendin e vëllait të Abdulmelik el-Husi’t, të ministrit të Arsimit Jahja Bedreddin el-Husi dhe ministrit të Rinisë dhe Sportit Hasan Muhammed Zejd do të dhurohen 10 milionë dollarë, kurse për ministrin e Informimit Ahmed Muhammed Hamid, ministrin e Shërbimeve Civile Talal Aklan dhe ministrin e Drejtësisë Ahmed Abdullah Akabat është vendosur të dhurohen 5 milionë dollarë.
Në listë nuk përfshihen emrat e mbështetësve të Salihut.