“Thuhet se xhamia është ndërtuar nga një komandant musliman i cili ishte dërguar në zonën e Detit të Zi me flotën e tij për të thyer rezistencën e principatave”, thotë imami Özköse
SAMSUN (AA) – MUSTAFA ÇAVUŞ
Xhamia Göğceli në rajonin Çarşamba të qytetit Samsun të Turqisë e ndërtuar në vitin 1206 që prej 811 vitesh ende qëndron në këmbë, shkruan Anadolu Agency (AA).
Xhamia e cila ndodhet brenda varrezave Göğceli në lagjen Hasbahçe, përbën një nga shembujt më të bukur të arkitekturës së Anadollit.
E ndërtuar me teknikën e ndërthurjes “kurtboğazı” pa përdorur gozhda, ajo është një nga xhamitë më të vjetra nga druri në Turqi.
Në bazën e xhamisë është përdorur një teknikë me kunja druri për tërmetet dhe për këtë arsye theksohet se xhamia ka mbijetuar për tetë shekuj duke u bërë ballë tërmeteve.
Ndërsa edhe motivet e xhamisë ku janë përdorur bojëra natyrale ende ruajnë gjallërinë si në ditën e parë të saj.
“Edhe sikur të shembet ajo do të shembet në drejtim të Qabesë”
Ahmet Özköse, imami i xhamisë Göğceli në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se është krenar që shërben në xhaminë 811 vjeçare.
Ai tha se sipas një transmetimi xhamia është ndërtuar në periudhën e Sultanit Selçuk, Gıyaseddin Keyhüsrev dhe se ajo është një nga xhamitë e para të ndërtuara me hapjen e dyerve të Anadollit për Islamin pas luftës në Betejën e Malazgirt-it (Manzikert).
“Ndërsa sipas një transmetimi tjetër thuhet se në këtë rajon ka patur principata të vogla dhe të mëdha që kanë rezistuar në procesin e islamizimit. Thuhet se xhamia është ndërtuar nga një komandant musliman i cili ishte dërguar në zonën e Detit të Zi me flotën e tij për të thyer rezistencën e principatave”, thotë imami Özköse.
Sipas tij, shkencëtarët në inspektimet e kryera në vitin 1990 kanë marrë mostra nga xhamia e drurit.
“Ata kanë vërtetuar se xhamia është 8 shekuj e vjetër. Kjo xhami qëndron në këmbë që prej 8 shekujsh. Shpresojmë që pas kësaj do të vazhdojë të qëndrojë. Ndërsa thuhet se nëse do të shembet ajo do të shembet në drejtim të Kiblesë”, tha Özköse.
Më tej Özkese ka shpjeguar se kapaciteti i xhamisë është 300 persona dhe se ajo është në shërbim përgjatë 5 kohëve të faljes së namazit në ditë. Ai shtoi se për shkak të strukturës historike xhamia vizitohet nga një numër i madh personash.