AH SIKUR TË ISHIN SUNDIMTARËT MUSLIMANË
MODEST DHE TË DEVOTSHËM SI OMERI R.A.
Imam Gazaliu në veprën e tij të famshme Ihjau ulumid-din (Ringjallja e shkencave fetare), ka përmendur një tregim të bukur mbi asketizmin dhe modestinë e halifit II të drejtë Omer ibn el-Hattabit, r.a.
Ai thotë se, gjatë kohës së halifatit të Omerit r.a. pasi që muslimanët çliruan shumë vende dhe qytete, vajza e Omerit dhe nëna e besimtarëve, Hafsa r.a i tha atij:
“O baba, veshi rrobat më të mira dhe më të bukura, sepse do të vijnë shumë delegacione nga të gjitha anët, si dhe porositi ushqimet më të mira dhe më të shijshme për veten dhe për të ftuarit tuaj që do të vijnë.”
Halifi Omer r.a. i tha:
“Oj Hafsa, a nuk e din ti se unë më së miri e di gjendjen time dhe gjendjen në shtëpinë time?”
Ajo u përgjigj: “Po, e di.”
Me atë rast, Omeri r.a. tha:
– “Pashë Allahun, a e din ti se Pejgamberi savs, gjatë misionit të tij pejgamberik çfarë rroba ka veshur, dhe nëse ai dhe familjarët kishim ushqim për mëngjes, nuk kishin për darkë, ose nëse kishim ushqim për darkë, nuk do të kishin për mëngjes apo për drekë?
– Pashë Allahun, a e din se as Pejgamberi savs dhe as familjarët e tij kurrë nuk janë ngopur me hurma derisa është çliruar Hajberi?
– Pashë Allahun, a e din se Pejgamberit savs, kur i sillnin ushqim në tryezë apo sofër nëse ishte i ngritur, ai ndjehej aq keq sa që fytyra i skuqej nga zemërimi dhe pastaj e merrte ushqimin dhe e lëshonte në tokë?
– Pashë Allahun, a e din se Pejgamberi savs, nuk ka fjetur në një shtrojë dy herë të palosur. Kështu që një natë kishte fjetur në një shtrojë të tillë dhe kur ishte zgjuar kishte thënë:
“Më keni penguar për tu zgjuar për namazin e natës. Më shtroni për të fjetur ashtu siç më keni shtruar gjer më tani!”
– Pashë Allahun, a e din se Pejgamberi savs, i lante rrobat e tij, pastaj kur vinte Bilali r.a. për ta thirrë ezanin për namaz, ai nuk kishte rroba të tjera që të veshte për të dalë në xhami për namaz, andaj i vishte rrobat ende pa u tharë dhe me to hynte në xhami?
– Pashë Allahun, a e din ti se një grua nga fisi Benu Dharf i kishte qepur Pejgamberit savs rroba (pallto) prej dy pjesëve, dhe njërën pjesë ia kishte dërguar pa e përfunduar të dytën. Pejgamberi savs i kishte lidhur skajet e asaj pjese të rrobes nën qafë dhe kishte shkuar në xhami dhe ashtu ishte falur?“
Omeri r.a. kishte vazhduar kështu duke numëruar detaje nga jeta e Pejgamberit savs, derisa Hafsa kishte filluar të qajë, pastaj edhe vetë Omeri r.a. kishte qarë aq shumë sa që menduam se do t’i del shpirti nga trupi.
Refrencë: Abdusamed Nasuf Bushatliq
Përshtati: Miftar Ajdini