Nëna siriane Abir Hamshun e cila i ishte nënshtruar gazit të përhapur nga bombardimet kur ishte shtatzënë dhe më pas dy nga foshnjat e saj lindën me aftësi të kufizuara fizike.
Nëna siriane Abir Hamshun nuk mund t’i fshijë nga kujtimet e saj ditët e dhimbshme që përjetoi. Ajo i ishte nënshtruar gazit të përhapur nga bombardimet e avionëve ushtarak kur ishte shtatzënë dhe më pas dy nga foshnjat e saj lindën me aftësi të kufizuara fizike. Ajo nga bombardimet po ashtu humbi 18 anëtarë të familjes.
Abir Hamshun ishte njëra prej atyre që ishin ndikuar nga bombat e hedhura nga avionët ushtarak para tre vitesh në Siri, kur Rakka ishte nën kontrollin e organizatës terroriste DEASH. Gjatë asaj kohe Hamshun ishte 3 muajsh shtatzënë.
Në bombardimet intensive 28 vjeçarja Hamshun humbi bashkëshortin dhe 18 anëtarë të familjes së saj. Pas një kohë të shkurtër ajo lindi trinjakë. Ahmed el-Muhammed dhe Adil el-Muhammed, dy foshnjat nga trineqët kishin hapur sytë në këtë botë me aftësi të kufizuara mentale dhe fizike.
Hamshun e cila para një muaj e gjysmë kishte ardhur në Spitalin Publik në Kilis, (qytet i cili ndodhet në jug të Turqisë) për shërimin e dy fëmijëve të saj, banon në një bujtinë për të sëmurë të Shoqatës Humanitare Selaheddin-i Eyyubi. Nevojat e nënës dhe të fëmijëve përmbushen nga kjo shoqatë.
“Vajza ime 10 vjeçare kujdeset për vëllezërit e saj”
Abir Hamshun në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) tha se gjatë kohës kur ajo jetonte në Rakka, avionët ushtarakë vazhdimisht i bombardonin rajonet ku jetonte popullata civile.
Ajo tha se në këto bombardime ka humbur jetën edhe bashkëshorti dhe 18 anëtarë të tjerë të familjes së saj.
“Pas çdo bombardimi ne iknim jashtë shtëpisë. Një herë bashkëshorti im nuk deshi të dalë nga shtëpia. Pas bombardimit u ktheva në shtëpi, ajo ishte shkatërruar. Në këtë bombardim humbi jetën bashkëshorti dhe 18 anëtarë të familjes sonë. Pas kësaj ne shkuam në një kamp ku jetonin 400 persona”, thotë Hamshun.
Sipas saj, avionët e bombardonin edhe kampin. “Vetëm 28 persona arritën të shpëtojnë nga ky vend. Pas kësaj ne shkuam në kampin Essaleme në Azez (qytet në Siri). Këtu linda. Kur e kuptuam se foshnjat kanë aftësi të kufizuara na dërguan në spitalin publik të Kilisit. Këtu mjekët më thanë se fëmijët kanë lindur me aftësi të kufizuara për shkak të nënshtrimit të substancave kimike në muajin e tretë të shtatzënisë. Pesë fëmijët e mi ende jetojnë në kampin në Siri. Vajza ime 10 vjeçare kujdeset për ta”, tregon Hamshun.
“Dëshira ime e vetme është që të m’i sjellin fëmijët”
Hamshun thotë se fëmijët e saj të cilët po trajtohen në spitalin e Kilisit, tërë kohën e përmendin emrin e vëllezërve dhe motrave të tyre. “Dalim në ballkon me fëmijët, ata i përmendin emrat e vëllezërve dhe motrave të tyre. Duke ua dhënë biskotat në dorë thonë: ‘Ejani n t’ua japim këto nëse jeni të uritur’. Më parë kur i kisha pranë fëmijët, vajza më ndihmonte. Tani nuk e di se çfarë bëjnë atje të vetmuar. Unë qaj këtu dhe fëmijët tërë kohën përmendin emrat e tyre”.
Duke theksuar se e vetmja kërkesë e saj është që t’i ketë pranë fëmijët, Hamshun thotë se arrin të mbijetojë nëpërmjet mbështetjes së Shoqatës Humanitare Selahaddin-i Eyyubi.
“Rritje serioze e numrit të foshnjave me aftësi të kufizuara
Shefi i Departamentit të Gjinekologjisë së Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Gaziantep (GAUN) në Turqi, Prof. i Asociuar Mete Gürol U?ur thotë se gratë shtatzëna duhet të jenë shumë të kujdesshme ndaj ndikimeve të jashtme.
Sipas tij, substancat e rrezikshme mund të shkaktojnë ndikime serioze për foshnjen në barkun e nënës, sidomos gjatë tre muajve të parë.
“Në kohën e luftës si pasojë e përdorimit të armëve në ajër lëshohet një masë shumë më e madhe nga ajo që nevojitet e substancave të shumta. Qëndrimi i grave shtatzëna në vende të tilla shkakton rritje serioze në lindjen e foshnjave me aftësi të kufizuara si rasti në fjalë. Po ashtu ndotja e ambientit e cila shkaktohet nga substanca të rrezikshme të përhapura si pasojë e luftës, për fat të keq në të ardhmen do të ndikojë negativisht në sëmundje hormonale dhe zhvillimore si dhe do ta rrisë mundësinë e kancerit”, thotë U?ur.
Ka ndryshime në lindjet në rajonet ku janë hedhur bomba
Specialisti i Kirurgjisë së Përgjithshme në Spitalin Alez, Dr. Hasan Ebu Ibrahim thotë se dy foshnjet janë ndikuar nga gazi i cili përhapet nga bombat.
“Personat të cilët marrin frymë në ajrin me gazin e përhapur të bombave preken nga sëmundje të ndryshme. Këto bomba janë shumë të rrezikshme dhe ndikojnë sidomos në gratë shtatzëne. Kjo shkakton lindjen e foshnjave me aftësi të kufizuara. Në rajonet ku u hodhën bombat ndodhën ndryshimet gjatë lindjeve. Disa foshnja filluan të lindin me aftësi të kufizuara sepse shumë gra në rajon iu nënshtruan gazrave të bombës. Ky gaz nuk ndikon tek të rriturit sepse ata kanë sistem të fuqishëm imunitar, por foshnjat në barkun e nënës ndikohen. Sipas analizave të bëra ne gjetëm se fëmijët e Abir Hamshun kanë lindur me aftësi të kufizuara për këtë arsye”, shpjegon Ibrahim.
Gjithashtu edhe kryetari i Shoqatës Humanitare Selahaddin-I, Muhammed Ferit Adin thotë se kjo organizatë ka filluar aktivitetet e saj në vitin 2011 dhe ofrojnë shërbime të ndryshme për ata të cilët trajtohen në spital por nuk kanë vend për të jetuar.
“Kemi hapur shkolla në rajone të ndryshme. Me ndihmën e bamirësve u ndihmojmë sirianëve të cilët jetojnë në Kilis. Ne i përmbushim të gjitha nevojat e tyre dhe i dërgojmë në spital. Ne duhet t’u ndihmojmë atyre në bazë të besimit tonë fetar. Këtë e bëjmë vetëm në emër të Zotit”, tha Adin.