Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sot në Kosovë organizoi ceremonitë e përurimit të pajisjeve mjekësore të dhuruara Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në komunat e Vitisë dhe Kaçanikut
VITI/KAÇANIK (AA) – Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) sot në Kosovë organizoi ceremonitë e përurimit të pajisjeve mjekësore të dhuruara Qendrave Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në komunat e Vitisë dhe Kaçanikut, raporton Anadolu Agency (AA).
TIKA dorëzoi një pajisje ultrazëri, dy karrige stomatologjike dhe një aspirator për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunës së Vitisë.
Gjatë ceremonisë në QKMF-në e Komunës së Vitisë, koordinatori i TIKA-s në Kosovë, Hasan Burak Ceran tha se TIKA me ndihma të tilla gjithmonë do të jetë në shërbim të popullit të Kosovës kur ata kanë nevojë. Ai tha se janë në dijeni që personeli shëndetësor gjithëmonë sakrifikon dhe duhet të mbështetet.
Ceran po ashtu tha se TIKA do të japë përkrahjen e saj për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë dhe potencoi veçanërisht rëndësinë e pajisjeve të dhuruara të cilat do të mund të përdorën jo vetëm nga pacientët në Viti por edhe nga ata që vijnë nga komunat afër Vitisë.
“Natyrisht TIKA, ashtu si në fushat tjera do të vazhdojë që të japë mbështetjen dhe përkrahjen e saj për zhvillimin e shëndetësisë në Kosovë. Ne jemi të vetëdijshëm që kjo ka rëndësi të madhe për pacientët të cilët jetojnë larg kryeqytetit që ta kenë infrastrukturën e zhvilluar në komunat e tyre dhe të udhëtojnë sa më pak në kryeqytet për të marrë shërbime shëndetësore”, tha Ceran.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti me këtë rast falënderoi TIKA-n për donacionet me pajisje dhe aparaturë duke shprehur dëshirën për bashkëpunim edhe në të ardhmen.
“Falënderojmë TIKA-n për gjithë këto donacione që na ka dhuruar jo vetëm për Vitinë por për të gjitha bashkëpunimet dhe donacionet në nivel të vendit, që po i dhuron Kosovës në të gjitha sferat sidomos në sferën e shëndetësisë që kemi vërtet nevojë për t’i shërbyer qytetarëve në mënyrë sa më të mirë”, tha Haliti.
TIKA po ashtu ka dhuruar një pajisje ultrazëri dhe një pajisje për zhvillimin e filmave të rentgenit QKMF-së të Komunës së Kaçanikut. Në ceremoninë e përurimit të organizuar në Kaçanik, koordinatori Ceran përgëzoi drejtorin, stafin e QKMF-së së Kaçanikut për një qendër shembullore në Kosovë duke theksuar se shteti dhe populli turk do të vazhdojë të mbështet Kosovën dhe qytetarët e saj.
Ceran po ashtu theksoi se meqë në Kosovë po zhvillohen fushatat zgjedhore për zgjedhjet lokale të 22 tetorit bëri të ditur se TIKA do të mbetet jashtë politikës por do të vazhdojë t’i mbështesë qytetarët në fusha të ndryshme në të gjitha komunat e Kosovës.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi në emër të qytetarëve dhe të drejtorisë së shëndetësisë së Komunës së Kaçanikut falënderoi TIKA-n për mbështetjen e shëndetësisë së këtij qyteti me anë të pajisjeve të dhuruara.