Hudhejfe ka thënë: I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, na rrëfente neve ngjarje. E kam parë një prej tyre dhe jam duke pritur për tjetrën. Ai alejhi salatu ue selam na ka informuar: “Besnikëria ishte dërguar poshtë thellë në zemrat e njerëzve, pastaj ata e mësuan atë nga Kurani, pastaj e mësuan atë nga Suneti.”[1]
Hafidh Ibën Haxheri ka thënë: “Thënia e tij alejhi salatu ue selam: ‘atëherë ata e mësuan atë nga Kurani, pastaj e mësuan atë nga Sunneti’ përsëritet në këtë transmetim me fjalën përsëritëse ‘pastaj’, që tregon e kushtëzon, se ata duhet të mësojnë Kuranin para se të mësojnë hollësitë e Sunetit. Dhe me hollësitë e Sunetit ka si qëllim çdo gjë që ata do të mësojnë nga i Dërguari alejhi salatu ue selam, qoftë ajo e detyrueshme apo e pëlqyeshme.”[2]
Mejmuni thotë: E kam pyetur Ebu Abdullahun, (Imam Ahmedin): Cila gjë është më e dashur te ju, që unë të filloj t’i mësoj djalit tim Kuranin apo hadithin? Ai tha: “Jo! Kuranin.” Unë thashë: a t’ia mësoj të gjithë Kuranin? Ai u përgjigj: “Po, përveç nëse është shumë e vështirë, në atë rast mësoja atij një pjesë të Kuranit”. Pastaj ai më tha: “Nëse ai fillon së pari të lexojë, pastaj do të mësojë leximin korrekt dhe do të këmbëngulë në të.”
Ibën Tejmije thotë: “Sa i përket përpjekjes për të mësuar Kuranin përmendësh në fillim, atëherë kjo do të thotë t’i japësh përparësi mbi shumë gjëra që njerëzit mendojnë se janë dituri, por në të vërtetë ato janë plotësisht të kota, apo janë pak dobiprurëse. Gjithashtu ajo do të thotë t’i japësh përparësi në mësim veçanërisht nga ata që dëshirojnë të marrin dituri të Fesë, parimet e saj dhe hollësitë e saj. Kështu që ajo me çka e këshillojmë një person në këtë kohë është se duhet të fillojë me mësimin përmendësh të Kuranit, si bazë e burimeve të diturisë fetare. Kjo është e kundërt me atë çfarë kanë vepruar disa persona në risi: ata u preokupuan me pjesët e panevojshme të diturisë, sikurse janë Kelami (apologjetika) dhe diskutimi; apo çështje shumë të rralla të ndryshimeve; dhe pasimi i verbër, që është i panevojshëm; apo hadithe shumë të rralla dhe të çuditshme, të cilat nuk janë të përforcuara, pa asnjë dobi; apo shumë polemika që nuk ofrojnë prova. Dhe ai e braktis mësimin përmendësh të Kuranit, që është më i rëndësishëm se të gjitha këto që u përmendën”.[3]
Muhamed b. Fadël thotë: “E kam dëgjuar gjyshin tim duke thënë: “I kërkova leje babait tim që të studioj në filan vendin, ndërsa ai më tha: “Së pari, mëso Kuranin dhe pastaj unë do të jap leje”. Kështu që e mësova Kuranin përmendësh. Pastaj ai më tha: “Qëndro derisa t’i udhëheqësh njerëzit me të në namaz (p.sh. në taravi)”. Kështu veprova dhe pas udhëheqjes në namaz ai më dha leje dhe unë u largova për në Marv”.
Ibën AbdulBerri thotë: “Kërkimi i diturisë ka nivele dhe faza të ndryshme, të cilave nuk guxon t’iu shmangesh. Kushdo që i kalon ato në tërësi, atëherë ai ka kaluar rrugën e Sahabëve dhe të atyre që i kanë ndjekur ata. Kushdo që merr qëllimisht një rrugë tjetër përveç kësaj ka devijuar seriozisht. Sidoqoftë kushdo që kalon direkt në ixhtihad[4], atëherë ai person ka gabuar. Kështu që njohuria e parë është mësimi përmendësh i Librit të Allahut dhe përpjekja për ta kuptuar atë. Dhe është e detyrueshme kërkimi i çdo gjëje që të ndihmon në të kuptuarit e tij. Sido që të jetë, unë nuk them se është e detyrueshme që të mësohet krejt Kurani përmendësh, por them se është e detyrueshme dhe esenciale për këdo që dëshiron të bëhet dijetar – jo se një gjë e tillë është e detyrueshme në vetvete.”
Hatib Bagdadiu thotë: “Është e përshtatshme për një student, që ai të fillojë me mësimin përmendësh të Kuranit Fisnik, që është burimi më i madh i diturisë dhe të cilin duhet ta vendosim në vend të parë dhe t’i jepet përparësi”.
Hafëz Neveviu thotë: “Gjëja e parë me të cilën personi duhet të fillojë është memorizimi i Kuranit Fisnik, i cili është burimi më i rëndësishëm i diturisë. Sahabët dhe ata që i pasuan ata nuk ia mësonin hadithin apo fikhun përveç atij që e kishte memorizuar Kuranin. Kur e kishte memorizuar Kuranin, e paralajmëronin personin që të mos e preokuponte veten me hadith, fikh apo gjëra të tjera, deri në atë nivel, saqë të harronte çdo gjë nga Kurani apo diçka e tillë.”
Kërkimi i diturisë me bazat e duhura
Allahu xhele shanuhu thotë: “Dhe (ta shpallëm) Kuranin që Ne e ndamë pjesë – pjesë për t’ua lexuar njerëzve dalëngadalë dhe ashtu e shpallëm atë një pas një.” (Isra, 106).
I Dërguari, alejhi salatu ue selam, i tha Abdullah b. Amër b. Asit: “Lexoje Kuranin në çdo muaj.” Unë i thashë: mendoj se kam forcë për më shumë se kaq. Ai, alejhi salatu ue selam, i tha: “Lexoje atë çdo njëzet net”. Unë i thashë: mendoj se kam forcë për më shumë se kaq. Ai alejhi salatu ue selam tha: “Atëherë lexoje atë në çdo shtatë ditë dhe mos shko më shpejt se kaq.”[5]
Abdullah b. Amër b. Asi gjithashtu përcjell nga i Dërguari alejhi salatu ue selam se ka thënë: “Nuk e kupton Kuranin ai që e lexon atë në më pak se tri ditë”[6]
Omer b. Vahidi, shoqërues i Euzait thotë: E lexuam Muvetanë tek Imam Maliku për dyzet ditë dhe ai na tha: “Një libër që më mori dyzet vjet jetë për ta përpiluar, ju e merrni prej meje për dyzet ditë! Sa pak që kuptoni prej tij.”
Hatib Bagdadiu thotë: “Është më e përshtatshme për atë që kujdeset në kërkimin e diturisë të mos marrë shumë qysh në fillim. Më mirë të mësojë nga pak për çdo kohë, aq sa mund të mbartë, ta memorizojë dhe të jetë i aftë ta kuptojë atë, sepse Allahu thotë: “E ata që nuk besuan thanë: “Përse të mos i ketë zbritur atij (Muhamedit) Kurani menjëherë?” Ashtu e zbritëm pjesë-pjesë, që me të ta forcojmë zemrën tënde dhe Ne e sollëm atë ajet pas ajeti (dalëngadalë).” (Furkan, 32).
Hatibi gjithashtu thotë: “Dhe dije se zemra është njëri prej organeve. Është e aftë të mbartë diçka dhe e paaftë të mbartë diçka tjetër – ashtu sikurse edhe pjesët e tjera të trupit. Pra, disa njerëz janë të aftë të mbartin njëqind kilogramë, ndërsa të tjerët janë të paaftë të mbartin qoftë edhe njëzet. Disa njerëz janë të aftë të ecin shumë kilometra në ditë pa u lodhur, ndërsa të tjerët janë të paaftë të ecin qoftë edhe një kilometër në ditë para se të lodhen… kështu që çdo njeri le ta kufizojë veten në atë që ai është i aftë për të bërë, pa i shpenzuar të gjitha energjitë e tij, sepse do ta ndihmojë më shumë atë në mësim me një mendje të mirë, nga një mësues solid dhe kompetent.
Të lutesh për shtimin e diturisë
Allahu xhele shanuhu thotë: “Thuaj: Zoti im, më shto diturinë!” (Taha, 114)
Umu Seleme thotë: I Dërguari i Allahut, alejhi salatu ue selam, lutej në namazin e sabahut: “O Allah! Të lutem Ty për dituri të dobishme, furnizim të mirë dhe vepra të pranuara”. Enes b. Maliku thotë: e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, duke u lutur: “O Allah! Më furnizo me dituri. Më mëso atë që do të më bëjë dobi dhe më ruaj nga ajo dituri që nuk kam dobi”.[7]
Ebu Bekr Muhamed b. Xhaferi thotë: Unë e kam dëgjuar Ibën Huzejmen kur e kanë pyetur: Nga e ke marrë këtë dituri? Ai tha: “I Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam ka thënë: “Uji i Zemzemit është për atë që pihet”. Kështu që kur unë e kam pirë ujin e Zemzemit i jam lutur Allahut për dituri të dobishme.”
Shejhul Islam Ibën Tejmije thotë[8]: “Realiteti i kësaj çështjeje është se robi bën dallim në atë se çfarë kërkon nga dituria dhe udhëzimi dhe ajo se çfarë ai dëshiron të arrijë. Kështu që me përkujtimin e Allahut dhe kthimin tek Ai, Allahu e udhëzon njeriun, siç thotë Ai: “O Robërit e mi! Të gjithë ju jeni të humbur, përveç atyre që unë i udhëzoj. Pra, kërkoni udhëzim nga Unë.” [9]
Dhe siç thoshte i Dërguari i Allahut alejhi salatu ue selam: “O Allah! Zoti i Xhibrilit, Mikailit dhe Israfilit. Krijuesi i qiejve dhe i tokës. I Dijshmi i të fshehtës dhe të dukshmes. Ti gjykon ndërmjet robit Tënd në atë që ai dallon. Kështu që më udhëzo në atë që ata janë kundërshtuar nga e vërteta – me lejen Tënde. Me të vërtetë, Ti udhëzon atë që dëshiron në rrugën e drejtë.”[10]
SHEJH EBU ENES HAMAD EL UTHMAN
Përktheu dhe përshtati nga anglishtja:
Besnik ABRASHI/albislam
[1] Përcjellë nga Buhariu (nr. 7086)
[2] Fet’hul Bari (13/39)
[3] El Fetava elKubra (2/54-55).
[4] Ixhtihad quhet gjykimi i bazuar në dituri që merr një dijetar i kualifikuar në përpjekje për të arritur të vërtetën.
[5] Përcjellë nga Buhariu (nr. 5052) dhe Muslimi (nr. 1159) dhe teksti është nga Muslimi
[6] Sahih Sunen Ebi Davud nr. 1294
[7] Përcjellë nga Hakimi (1/510) dhe ai ka thënë: “Është i vërtetë sipas kushteve të Muslimit.” Dhehebiu pajtohet gjithashtu.
[8] Mexhmuul Fetava (4/39)
[9] Sahihu Muslim (nr. 2577)
[10] Sahihu Muslim (nr. 770)