Sipas një studimi të realizuar në emër të Microsoft-it nga Fraunhofer është arritur në përfundimin se Internet Explorer (IE) harxhon më pak energji se Chrome dhe Firefox të paktën për navigimin në top 10 uebfaqet më të vizituara në botë.
Ky reduktim është vlerësuar në rreth një watt për laptopët, ose rreth 2% më pak se shfletuesit e tjerë. Por, gjatë përdorimit të Flash-it, diferenca shihet më qartë. IE harxhon 18.6% energji më pak se Chrome, është shprehur Microsoft.
Çfarë do të thotë kjo në terma më realë? Sipas Microsoft-it, energjia e kursyer mund të furnizojë rreth 10 000 shtëpi në vit në SHBA, ose mund të sjellë reduktimin e karbonit të barabartë me rritjen e 2.2. milionë pemësh në 10 vite.
Fraunhofer nuk shpjegoi se përse ndodh që shfletues të ndryshëm konsumojnë energjinë në sasi të ndryshme, edhe pse kjo mund të lidhet pak a shumë me numrin e cikleve të procesorit.
Gjithsesi, sipas këtyre studimeve, IE është shfletuesi më eficent përsa i përket konsumit të energjisë, edhe pse nuk mund të themi të njëjtën gjë për shpejtësinë e navigimit. Në studimin e Fraunhofer doli në pah edhe një pikë tjetër mjaft interesante: energjia e kërkuar për përpunimin dhe shfaqjen e elementeve HTML5 e tejkalon atë që nevojitet për një uebfaqe të zakonshme. Në studim thuhet se elementët HTML5 kërkojnë shumë herë më tepër energji dhe e konsumojnë pothuajse dy herë më shpejt baterinë e laptopëve.
Fatkeqësisht, Fraunhofer nuk realizoi teste të mjaftueshme për të provuar plotësisht këtë fakt. Kompania u shpreh se për të arritur në një konkluzion të saktë, duhen kryer më tepër testime. (PCWorld Albanian)/kohaislame