Komisioneri Evropian për Ndihma Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, ka theksuar se rreth 350 mijë persona janë të rrezikuar në shtetin e Arakanit në Mianmar dhe se në rajon është e nevojshme të ketë qasje për ndihma humanitare.
BRUKSEL (AA) – Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Arakan që të ulin tensionet, të respektojnë ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe të ndalin dhunën ndaj civilëve, raporton Anadolu Agency (AA).
Christos Stylianides, Komisioneri Evropian për Ndihma Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, përmes një deklarate me shkrim ka theksuar se rreth 350 mijë persona janë të rrezikuar në shtetin e Arakanit në Mianmar dhe se në rajon është e nevojshme të ketë qasje për ndihma humanitare.
Stylianides ka nënvizuar se punonjësve humanitarë duhet t’u lejohet të kryejnë punën e tyre në mënyrë që gjendja të mos përkeqësohet tutje. Ai ka shtuar se BE-ja është duke bërë përpjekje që ndihmat humanitare të hyjnë në Arakan dhe se për këtë janë në kontakt me të gjitha palët relevante.
Ai ka përshëndetur hapjen e kufirit nga Bangladeshi për civilët e Arakanit, duke thënë se qeveria e Bangladeshit duhet t’i mbrojë refugjatët deri sa gjendja në Arakan të përmirësohet.
“U bëj thirrje të gjitha palëve që të ulin tensionet, të respektojnë ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe të ndalin dhunën ndaj civilëve. Shumë civilë të Arakanit kanë pësuar dëme serioze dhe po ikin drejt Bangladeshit në mënyrë që t’i shpëtojnë dhunës. Këta njerëz nuk duhet të deportohen dhe të kthehen në Arakan”, ka thënë Stylianides.
Ndërkohë, Catherine Ray, zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Marrëdhënie të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, refuzoi të përgjigjet në pyetjen e gazetarit të AA-së nëse BE e vlerëson si spastrim etnik gjendjen në Arakan. Ajo tha se BE-ja është duke i vazhduar bisedimet për dërgimin e ndihmave humanitare në rajon.
E pyetur pse BE-ja përdor shprehjen “forcë joproporcionale” kur merret parasysh se sipas OKB-së mbi 120 mijë muslimanë të Arakanit kanë ikur në Bangladesh nga tirania dhe shtypjet e ushtrisë së Mianmarit, Ray tha: “Deklaratat tona janë mjaft të qarta. Gjendja është serioze dhe BE-ja e merr me seriozitet atë. Për këtë arsye ne kemi bërë deklaratë të fuqishme”.
Ndryshe, një numër i madh i muslimanëve të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur.
Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.
Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. Organizatat e shoqërisë civile në Arakan bëjnë të ditur se numri i civilëve që kanë humbur jetën ka kaluar mbi një mijë, ndërsa disa të tjera pohojnë se bilanci është disa mijëra.
Po ashtu, qeveria e Mianmarit nuk është duke lejuar shpërndarjen e ndihmave humanitare për muslimanët e Arakanit që kanë marrë rrugën e migrimit ose kanë mbetur pa shtëpi.