-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Mbreti i Malajzisë, Abdul Halim pret Jahjagën

Më të lexuarat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ndodhet në Malajzi, ku po merr pjesë në Samitin Global të Gruas, u prit sot në Pallatin Mbretëror të Malajzisë në Kuala Lumpur, nga mbreti Abdul Halim.

Mbreti i Malajzisë, Abdul Halim, në bisedë me Presidenten Jahjaga, u interesua për zhvillimet në Kosovë, proceset nëpër të cilat po kalon vendi, si dhe për kapacitetet zhvillimore të Republikës së Kosovës, bëhet e ditur në njoftimin e sapodërguar nga Presidenca kosovare.

Presidentja Jahjaga e falënderoi mbretin Abdul Halim për vendimin që qeveria e vendit të tij ka marrë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, pas shpalljes së saj në vitin 2008 dhe theksoi rëndësinë e konsolidimit ndërkombëtar të shtetësisë së saj dhe shtimit të njohjeve të reja.

Presidentja Jahjaga tha se ndihma e Malajzisë, në këtë rrafsh, në Azinë Juglindore, do të ishte e rëndësishme për Republikën e Kosovës, posaçërisht në mbështetjen për anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, në OKB dhe në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik.

Ajo tha se Kosova është një sukses i përbashkët i popullit të Kosovës dhe institucioneve të saj, si dhe i bashkësisë ndërkombëtare që e ka ndihmuar atë në të gjitha proceset e shtetndërtimit.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor kanë bërë hapa të rëndësishëm përpara në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik. Ajo tha se Kosova ka përmirësuar infrastrukturën e saj dhe marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me ndërmjetësim të BE-së e mbështetje të SHBA-së, kanë hapur rrugën e integrimeve evropiane.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova është një vend atraktiv për investime të huaja, me një infrastrukturë legjislative të rregulluar dhe që ofron mundësi të mëdha në fushën e bujqësisë dhe të energjisë.

Presidentja kosovare gjatë ditës së sotme ka mbajtur fjalën kryesore në hapjen e panelit ministror për fuqizimin ekonomik të gruas dhe rëndësinë e partneritetit publiko-privat. Presidentja Jahjaga do të mbajë edhe fjalën kryesore në hapjen e Samitit Global të Gruas dhe do të zhvillojë edhe takime të tjera me udhëheqës shtetëror të Malajzisë./trt/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit