Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) ka dënuar rrënimin në mënyrë sistematike të shtëpive që i përkasin muslimanëve në rajonin Arakan të Mianmarit
XHEDA (AA) – Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OBI) ka dënuar rrënimin në mënyrë sistematike të shtëpive që i përkasin muslimanëve në rajonin Arakan të Mianmarit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë me shkrim nga OBI dënohet përdorimi pa kriter i forcës ushtarake, përfshirë edhe artilerinë e rëndë kundër popullatës civile.
“Shumica e fshatrave dhe shtëpive në rajon janë rrënuar në mënyrë sistematike nga grupet e mbështetura nga policia dhe ushtarët. Si rezultat i kësaj mijëra persona janë larguar nga rajoni”, thuhet në deklaratë.
Në deklaratë vihet në dukje se këto ngjarje janë shkelje e të drejtave themelore të muslimanëve Rohingya dhe shkelje e përgjegjësive ndërkombëtare të qeverisë së Mianmarit në çëshjtejn e mbrojtjes së civilëve.
Më tej thuhet se i gjithë rajoni do të bie në një situatë të rrezikshme në rast se nuk zbatohen kriteret e drejtësisë dhe qytetare ndaj pakicës muslimane.
Gjithashtu edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dje shprehu shqetësime të thella për vrasjen e civilëve gjatë “operacionit të sigurisë” në rajonin Arakan të Mianmarit.
Sipas të dhënave lokale në operacionet e nisura që nga dita e premte e deri tani nga ushtarët e Mianmarit janë vrarë afërsisht 850 muslimanë Rohingya, ku shumica e tyre janë gra dhe fëmijë. Ndërsa janë plagosur më shumë se 1.000 persona të tjerë.
Pavarësisht se qeveria e Bangladeshit ka penguar hyrjen e refugjatëve bëhet e ditur se në ditët e fundit në këtë vend kanë hyrë ilegalisht më shumë se 20 mijë muslimanë Rohingya nga Arakani.
Ndërsa afërsisht 60 mijë të tjerë përpiqen të mbijetojnë në zonat malore pranë kufirit për shkak se nuk kanë mundur të hyjnë në Bangladesh.