-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Lidhja “e rrezikshme” mes problemeve tё dhёmbёve dhe tumoreve

Më të lexuarat

Kush vuan nga inflamacionet dhe periodontiti ka mё shumё rrezik pёr t’iu zhvilluar njё tumor, sidomos nё ezofag. Hipotezat: bakteret qё shkaktojnё pezmatim nё gojё migrojnё dhe “bёjnё fole” nё organet e tjera

Çёshtja mund tё duket shumё e çuditshme, por ka njё bazё tё fortё shkencore: ka njё lidhje mes infeksioneve kronike tё dhёmbёve dhe tipeve tё ndryshme tё kancereve. E thekson njё studim amerikan, qё sapo e ka publikuar revista “Cancer Epidemiology, Biomarkers&Prevention”, e cila ka analizuar tё dhёnat relative të mbi 65 mijё njerёzve tё ndjekur pёr rreth 15 vjet, duke zbuluar njё rrezik tё madh pёr t’u prekur nga tumori nё gojё, nё ezofag dhe nё gji tek gratё qё vuajnё nga sёmundja periodontale.

Pavarёsisht nga ata shkaqe ndikon edhe duhani. Konkluzionet e arritura nga kёrkimi i ri u shtohen atyre tashmё tё mbledhura nga sondazhet e mёparshme pёr lidhjen e mundshme mes sёmundjeve tё dhёmbёve e inflamacioneve dhe sёmundjeve tё tjera qё mund tё shkaktohen nga njё pezmatim kronik, ato kanceroze dhe shqetёsimet kardiovaskulare.

Studimi: njё lidhje mё e fortё me tumoret nё ezofag

Studiuesit e State University tё New York, tё udhёhequr nga profesori i Epidemiologjisё Jean Wactawski-Wende kanё shqyrtuar informacionet e mbledhura nga njё studio e madhe e shёndetit femёror (il Women’s Health Initiative Observational Study), tё bazuar nё pyetёsorёt e hartuar mes viteve 1999 dhe 2003. Pjesёmarrёsit me moshё mes 54 dhe 86 vjec, mё vonё janё mbajtur nёn kontroll deri nё 2013 dhe gjatё periudhёs sё plotё janё regjistruar mbi 7 mijё raste kanceresh.

Tё dhёnat tregojnё qё gratё qё vuajnё nga sёmundjet periodontale (nё praktikё infeksionet kronike tё kavitetit oral), kanё 14%mё shumё, nё krahasim me kolegёt pa probleme me dhёmbёt, mundёsi pёr t’u prekur nga tumori. Lidhja mё e fortё ёshtё ajo me neoplazmёn nё ezofag (nё tё cilin rreziku duket i trefishuar), por ёshtё identifikuar njё lidhje edhe me tumoret nё gojё, nё mushkёri, nё tёmth, nё gji dhe lёkurё. Pёr gjirin, mushkёritё dhe tёmthin, rreziku mё i madh duket tё jetё i lidhur edhe me tё qenit duhanpirёs ose jo, ndёrsa pёr neoplazmat e tjera rreziku duket qё rritet pavarёsisht nga duhani.

Shpjegimi i mundshёm: i gjithё faji i baktereve?

Me termin sёmundje periodontale i referohemi njё spektri tё gjerё tё çrregullimeve qё mund tё ndikojnё tek dhёmbёt, me origjinё infektive dhe pezmatuese, pёr shembull inflamacionet (tё shkaktuara nga akumulimi nga pllaka bakteriale) dhe periodontiti (qё pёrfshin jo vetёm indet por edhe ligamentet, kockat alveolare, domethёnё gjithё aparatin qё garanton fiksimin e dhёmbёve).

“Mekanizmat qё lidhin sёmundjet e dhёmbёve me kancerin nuk janё plotёsisht tё qarta – komenton Wactawski-Wende – por njё nga shpjegimet e mundshme ёshtё qё bakteret e kavitetit oral qё shkaktojnё shqetёsime tek dhёmbёt dhe mishrat janё nё gjendje tё migrojnё nё organe tё tjera (duke pёrdorur pёshtymёn dhe qarkullimin e gjakut) duke kolonizuar disa zona tё organizmit dhe duke prodhuar njё efekt negativ: mund tё rrisin pezmatimin, mbajnё tё frenuar sistemin imunitar dhe krijojnё kushte lokale qё rrisin rrezikun e sёmundjes nga tumori”.

Shembulli mё i qartё dhe i drejtёpёrdrejtё pёr autorin e studios do tё ishte kanceri nё ezofag, organ afёr gojёs dhe i lehtё pёr tё arritur tek bakteret dhe agjentё tё tjerё patogjenё qё mund tё infektojnё mukozёn dhe kёshtu kontribuojnё nё njё gjendje pezmatimi kronike qё favorizon fillimin e kancerit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit