-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Si të vdesësh?

Më të lexuarat

Dr. Selman Aude

 

Gjatë një ligjërate këtë javë, auditorit i drejtova këtë pyetje:”Si do të donit të vdisnit?”
Pothuaj një zëri, u përgjigjën:”Me kokën në sexhde!”
Nuk ishte një përgjigje surprizë, pasi është diçka që e ëndërroj dhe vetë. Thotë profeti Muhamed a.s:”Robi është më afër me Zotin kur është me ballin në sexhde.” (Muslim)
Ebu Thalebe ëndërronte për një vdekje të mirë, prandaj dhe vdiq me kokë në sexhde teksa falte namaz nate.
Nëse e merr mundin dhe pyet bacën Google rreth atyre që kanë vdekur në sexhde, të rendit një listë të gjatë me njerëz nga brezat e parë dhe ato më vonë, të vërteta, hamendësi dhe thashetheme!
Dëshmori gëzon gradat më të larta tek Zoti “Dëshmorët do të kenë te Zoti i vet shpërblimin dhe dritën e tyre.” (Hadid, 19)
Në rastin e vdekjes së hazreti Omerit, Zoti ia bashkoi martirizimin, vdekjen në namaz dhe në qytetin e profetit Muhamed a.s, Medinen.
E ku qëndron e keqja atëherë?
Ke të drejtë ti kërkosh gjurmët e adhurimit në jetën e shoqërisë islame që grumbullohen në xhami, rendin të vizitojnë Qaben herë pas here dhe kryejnë haxh pas haxhi. Nëse këto rituale nuk ndikojnë në jetën tonë të përditshme, çmund të themi veçse Zoti s’ka nevojë të na ndëshkojë!
Përse të mos kemi nga mesi ynë, njerëz të cilët duan të vdesin të zhytur në punë bamirësie, në ndihmë të njerëzve në hall dhe në nevojë, duke u shërbyer të sëmurëve dhe duke edukuar të vegjlit tanë? Ky është një akt dobia e të cilit përfshin dhe të tjerët dhe nuk kufizohet vetëm tek vetja.
Përse të mos kemi mes nesh njerëz të cilët duan të vdesin të thelluar në studime të cilat eksplorojnë enigmatiken, sqarojnë pështjelluesen dhe i japin shtysa shkencës për të ecur para? Dija dhe shkenca ishin tiparet kryesore të Ademit a.s, të cilat e bënë të aftë për ta mbajtur përgjegjësinë e mbarëvajtjes së jetës mbi tokë dhe e bënë të meritueshëm që engjëjt ti përulen në formë respekti.
Përse të mos ketë njerëz nga mesi ynë të cilët duan që vdekja ti gjejë në krye të një detyre, funksioni apo misioni të dobishëm për njerëzit, mision të cilit i ka kushtuar jetën? Përse të mos ketë njerëz që duan të vdesin duke u buzëqeshur njerëzve, duke bërë çmos që tu garantojë të drejtat e tyre dhe ti ruajë nga çdo e keqe? Kjo, edhe pse nëpërmjet kësaj fiton jetesën e vet dhe të familjes, por që mbetet sërish në rrugë të Zotit.
Përse të mos ketë në mesin tonë të tillë që duan që vdekja ti gjejë larg familjes për shkak të një misioni të fisëm, reforma dhe vepra të mira të sinqerta, me qëllim që tu qetësojë njerëzve zemrat e trazuara dhe tu bashkojë zemrat?
Përse të mos ketë njerëz që duan të jetojnë gjatë dhe duke e shijuar shëndetin e plotë, me qëllim që të shohë me sytë e tij ndihmën e Zotit për njerëzit dhe shtresat e dobëta? “Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë, t’i bënim prijës e trashëgimtarë, t’i forconim ata në Tokë dhe t’u tregonim Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së tyre atë prej së cilës ata frikësoheshin.” (Kasas, 5-6)
Përse të mos ëndërrojë dikush që Zoti ta ndihmojë të lërë gjurmë të thella në këtë jetë, që të shtojë pasuritë që ti shpenzojë pa hesap etj…?
Përse të mos ëndërrojë dikush që të mos largohet nga kjo jetë pa lënë gjurmë të sinqerta, të cilat ia përjetësojnë emrin dhe e bëjnë pjesë të falënderimeve dhe lutjeve të brezave të ardhshme? “Kur vdes njeriu, i ndërpriten punët e mira, përveç tre prej tyre: Një sadaka rrjedhëse, një dije dhe një fëmijë i ndershëm që lutet për të.” Profeti Muhamed a.s.
Përse të mos ëndërrojë dikush që të jetojë sa më gjatë, me qëllim që tu përcjellë brezave të reja përvojën e tij të gjallë, të përcjellë urtësinë e grumbulluar dhe dijen e fituar?
Përse të mos ketë besimtarë të tillë të cilët luten, përgjërohen dhe falen, në kërkim të rilindjes së umetit, apo qoftë dhe zgjimit të disa popujve nga gjumi letargjik i thellë? Por, lotët dhe përhumbja nuk do të jenë kurrë mjet suksesi nëse nuk shndërrohen në vullnet të çeliktë dhe të sinqertë, si dhe punë e pandërprerë që nuk njeh dekurajim.
Përse të mos kemi nga mesi ynë të tillë që imagjinata e tyre i kapërcen kufijtë e aktualitetit të mjerë, drejt të ardhmes plot shpresë dhe sihariqe? Kur thotë se ëndërron ta shohë Kudsin që i kthehet banorëve të vet autoktonë dhe çlirohet nga vargonjtë e diktaturës, ai nuk mashtron veten dhe nuk flet kodra pas bregut, por bazohet tek bindja dhe siguria në premtimin e Zotit.
Përse të mos jetë ëndrra ime që të jetoj i lumtur, i gëzuar, i ditur dhe mirënjohës për të mirat e Zotit? Përse të mos jenë lutjet e mia që të mos largohem nga kjo botë, veçse me bardhësinë me të cilën erdha? Përse të mos jenë lutjet e mia që të mos dal para Zotit duke insistuar në gjynahe dhe qëndrime që nuk e kënaqin? Përse të mos e lus Zotin që ta mbyll jetën me vepra të mira, me pendim të sinqertë dhe që të distancohem nga gjithçka që e cenon përkatësinë ndaj fesë time?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit