5.8 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Hoxha Hasan Tahsini në mbrojtje të trojeve joshqiptare të Çamërisë nga aneksimi dhe kolonizimi grek

Më të lexuarat

Rilindasi Hoxha Hasan Tahsini në mbrojtje të trojeve joshqiptare të Çamërisë nga aneksimi dhe kolonizimi grek

Në këtë vit jubilar të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe të krijimit të shtetit shqiptar, nuk mund të mos kujtojmë një nga momentet kyçe të historisë shumëshekullore të popullit tonë për liri, pavarësi dhe demokraci, Lidhjen Shqiptare të themeluar në Prizren dhe patriotët tanë të mëdhenj të asaj kohe, ndërmjet të cilëve edhe rilindësin e shquar Hoxha Hasan Tahsini.

Hasan Tahsini ishte jo vetëm një dijetar i gjithanshëm dhe personalitet poliedrik por edhe një atdhetar e patriot i flakët, lëvrues i gjuhës shqipe dhe përhapës i diturive në gjuhën amtare, me një veprimtari politike të spikatur në mbrojtje të trojeve shqiptare nga rreziku i copëtimit nga shtetet shoviniste fqinje. Tek personaliteti i Hasan Tahsinit është shumë e vështirë të ndash atdhetarin nga shkencëtari, të ndash patriotin e penës nga luftëtari me pushkë në dorë, autorin e alfabetit nga propagandistin e zjarrtë i tij në popull, shkencëtarin e kabinetit nga përhapësi i zellshëm i dijeve në masat e gjera.
Në drejtim të formimit të tij atdhetar ndikuan ngjarjet mjaft të vrullshme të viteve 20-30 të shekullit XIX. Lufta e Ali Pashë Tepelenës dhe e Bushatllinjve kundër Portës së Lartë pati një jehonë të madhe në gjithë vendin. Tek Tahsini i ri, i cili i vogël u rrit në oborrin e Mustafa Pashës në Shkodër, kjo jehonë qe më e ndjeshme. Kryengritjet popullore të viteve ’30-50 e çuan më tej këtë proces dhe, në fillim të viteve ’60 Tahsinin e gjejmë midis organizatorëve më veprues të një kryengritje të re në veri të vendit. Veprimtaria patriotike e Hasan Tahsinit kulmon në prag dhe gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në prill 1877 shpërtheu lufta Ruso-Turke e cila kishte karakter të theksuar fetar. Dëshmi për këtë ishte proklamata që lëshoi Cari Rus më 24 prill 1877 me të cilin ai ftonte të gjitha kombësitë e krishtera të Gadishullit të Ballkanit të rrëmbenin armët në krah të ushtrisë ruse, pasi për ta tashmë kishte ardhur dita e çlirimit nga shtypesi musliman osman. Theksi i saj fetar tregonte se Rusia nuk kishte hequr dorë nga platforma e panortodoksisë dhe se në projektin e saj për rregullimin e ardhshëm të Ballkanit nuk kishte vend për shqiptarët muslimanë si subjekt “të së drejtës kombëtare”.

Në këto rrethana kur Shqipërinë e priste copëtimi i saj territorial qarqet atdhetare përparimtarë shqiptare vendosën ta kërkonin shpëtimin e tërësisë territoriale të atdheut tek organizimi i kryengritjes së armatosur çlirimtare kundër osmane që do të çonte në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Nismën për të vënë në jetë idenë e kryengritjes çlirimtare kundër osmane e mori Komiteti Shqiptar që u formua në Janinë në maj të vitit 1877. Por ngjarjet që ndodhën në frontin e luftës Ruso-Turke me thyerjen e qëndresës së Plevenit (Bullgari) ndikuan në orientimin e ri politik të lëvizjes kombëtare shqiptare.
Më 18 dhjetor 1877 u formua komiteti qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare apo siç u quajt shkurt “Komiteti i Stambollit”, në të cilin Hasan Tahsini ishte pjesëtar aktiv.
Në fund të dhjetorit të vitit 1877 kur trupa ruse po marshonin drejt Stambollit dhe po kërcënoheshin direkt tokat shqiptare nga pretendimet shoviniste greke mbi Çamërinë, Komiteti i Stambollit i kërkoi Portës së Lartë autorizimin për krijimin e reparteve vullnetare shqiptare për mbrojtjen lokale nga shovinistët fqinjë.
Gjatë muajit shkurt 1878 tensioni politik për shqiptarët u rrit edhe më shumë pasi qeveria greke organizoi ekspeditën ushtarake kundër trojeve kombëtare shqiptare. Më 12 shkurt 1878 një bandë e madhe greke me rreth 600 vullnetarë të ashtuquajtur epirotë të rekrutuar në Greqi, të pajisur me armë e topa të ushtrisë helene dhe të komanduar nga oficerë grekë zbarkuan nga ishulli i Korfuzit në fshatin Lëkurës, në afërsi të Sarandës. Pasi ngritën këtu flamurin e Greqisë, shpallën fillimin e kryengritjes “greke” në viset e Epirit.

Në këto rrethana në fund të janarit 1878 Hasan Tahsini shkon në vendlindjen e tij në Filat të Çamërisë ku gëzonte një autoritet dhe ndikim të madh dhe organizoi mbrojtjen vullnetare të krahinës. Në mbrojtje të Shqipërisë së Jugut u ngrit gjithë Çamëria dhe Labëria. Rreth 1000 dyfekë dolën vetëm nga zona e Filatit. Autori turk Ismail Habib lidhur me aktivitetin patriotik të Hasan Tahsimit shkruan “Hasan Tahsini ishte patriot i shquar. Në luftën me grekët në vitin 1878 në kundërshtim me moshën e tij të pleqërisë formoi një tabor vullnetar nga bashkatdhetarët e tij dhe u nis për në luftë”.

Duke parë rrezikun që kërcënonte trojet jugore shqiptare shkojnë në këto vise edhe rilindësi tjetër Abdyl Frashëri, Abedin Dino e tjerë. Në krye të Komitetit të Shpëtimit Publik ushtarak, i cili do të merrej me formimin e organizmin e reparteve ushtarake vullnetare u caktua Abedin Dino. Ndërsa Sami Frashëri u ngarkua me detyrën e Sekretarit të inspektimit të këtij komiteti ushtarak. Abedin Dino, Hasan Tahsini dhe krerë të tjerë lokalë i bënë thirrje popullsisë vendase për mbrojtjen nga agresioni grek.

Thirrjes ju përgjigjën me mijëra vullnetarë të cilët rrëmbyen armët për mbrojtjen e vendit. Për të ndihmuar në shpartallimin e vorioepirotëve, Abedin Dino duke shfrytëzuar postin e tij qeveritar thirri nga Janina (qendra e vilajetit) 1500 ushtarë dhe një kryqëzor turk që ndodhej në detin Jon. Nga jugu i thellë i Shqipërisë erdhën shumë vullnetar të udhëhequr nga atdhetarët Jakup Çaperi, Ibrahim Dalani, Tahir Mete Mazrreku, etj. Në mbrojtje të vendit luftuan edhe himarjotët të komanduar nga dy kapedanët e Bregut të Detit, Odise Kasneci dhe Sokrat Leka.
Edhe Mustafa Nuri Vlora dërgoi 1600 vullnetarë për të zmbrapsur trupat greke. Pas rezistencës së fuqishme shqiptare më 23 shkurt 1878 banda greke u shpartallua plotësisht duke u tërhequr gjatë bregdetit derisa u hodh në Korfuz.
Traktati i Shën Stefanit nuk e trajtoi çështjen shqiptare pasi për Rusinë Shqipëria nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike. Sipas traktatit të Shën Stefanit gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike, ndërsa pjesa tjetër i mbetej Turqisë. Në këto rrethana kur copëtimi i trojeve shqiptare filloi të vihej në jetë Komiteti i Stambollit adaptoi një platformë të re politike e cila kërkonte mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave kryesore:

1) Kundërshtimi me luftë të armatosur në emër të kombësisë shqiptare të çdo vendimi që do të merrnin Fuqitë e Mëdha në dëme të tërësisë tokësore territoriale të Shqipërisë.
2) Bashkimi i të gjithë trojeve të atdheut në një vilajet të vetëm shqiptar të pajisur me disa të drejta autonomiste. Siç dihet Traktati i Shën Stefanit u kundërshtua nga Fuqitë e Mëdha, veçanërisht nga Anglia dhe Austro-Hungaria të cilat kërkuan rishikimin e marrëveshjes së Shën Stefanit nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.
– Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën Stefanit, nuk ishin të prirur që të merrnin parasysh interesat kombëtare të Shqipërisë.

Në këto kushte Komiteti i Stambollit organizoi tre kuvende ndërkrahinore në Prizren, në Shkodër dhe në Frashër të Dangëllisë, të cilët shqyrtuan detyrat politike dhe përgatitën kushtet për thirrjen e një Kuvendi të Përgjithshëm në Prizren dhe formimin e Lidhjes Shqiptare.
Në Kuvendin e Frashërit dhe në mbledhjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka marrë pjesë si delegat i Çamërisë edhe Hasan Tahsini. Pjesëmarrja në këto kuvende dhe kontributi i tij në mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe formulimin e programit autonomist për bashkimin e gjithë trojeve shqiptare në një njësi të vetme politiko-administrative, dëshmon qartë e flet shumë për atdhetarinë e Tahsinit.
Programi autonomistë u diskutua në degën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për Dibrën dhe u miratua më 14 tetor nga të gjithë antarët e saj. Ndërkohë që një delegacion me intelektual shqiptare vendosi të paraqesë Portës së Lartë “Rezolutën e Dibrës” (programin autonomistë), lindi përsëri rreziku i aneksimit të pjesë jugore të Çamërisë nga ana e qeverisë greke. Ky rrezik i detyroi udhëheqësit e Lidhjes Shqiptare që të merreshin me mbrojtjen e saj.
Për mbrojtjen e trojeve jugore u organizua më 11 janar 1979 Kuvendi i Prevezës ku morën pjesë 400 delegatë. Ky kuvend kundërshtoi deri në fund dhënien e Çamërisë Mbretërisë greke deri në lumin Kalama. Për mbrojtjen e Çamërisë do të mobilizoheshin, siç thuhej në rezolutë, “të gjithë shqiptarët e aftë për luftë”.

Vetëm Çamëria u zotua që në rast nevoje të vinte në dispozicion të Lidhjes 10.000 burra.
Kuvendi i Prevezës formoi tre komisione me detyra të posaçme:
1) Komisioni politik që do të qëndronte në Prevezë për të ndjekur nga afër punimet e Konferencës turko-greke e cila do të shqyrtonte dhe caktonte kufirin në Epir dhe Thesali (Kongresi i Berlinit rekomandonte si vijë kufitare lumin Kalamas në Epir dhe lumin Selemvria në Thesali.
2) Komisioni ushtarak i cili do të shpërndahej në Shqipëri për të organizuar forcat luftarake të Lidhjes.
3) Komisioni diplomatik që do të shkonte në Stamboll për t’i bërë trysni Portës së Lartë që të mos pranonte lëshimin e trojeve shqiptare Greqisë. Në krye të këtij komisioni u vu Abdyl Frashëri.
Kur delegacioni turko-grek arriti në Prevezë delegatet e Kuvendit të Prevezës së bashku me popullsinë e qytetit shpërthyen në një demonstratë në rrugët e Prevezës. Presioni i fortë i shqiptarëve e detyroi delegacionin osman që të mos i nënshtrohej kërkesave greke.

Një rol të rëndësishëm në dështimin e punimeve turko-greke luajti personaliteti i njohur shqiptar, biri i Çamërisë, Abedin bej Dino, i cili ishte anëtar i delegacionit turk, por njëherazi anëtar i Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes Shqiptarë për Vilajetin e Janinës Delegacioni turke u tregua i gatshëm t’i lëshojë Greqisë Thesalinë por jo Epirin. Në maj 1881 Fuqitë e Mëdha i imponuar Portës së Lartë të lëshojë gjithë Thesalinë dhe një pjesë të Epirit, Krahinën e Artës. Me aneksimin e Artës fillon vënia në jetë e strategjisë e programit politik grek të Megaloidesë për pushtimin e Çamërisë.
Gjatë gjithë periudhës së Krizës Lindore të gërshetimit të luftës së popullit tonë në frontin antiosman me atë antishovinist, personaliteti i Hasan Tahsinit u ngrit deri në shkallën e organizatorit të luftës së armatosur të popullit, deri në shkallën e një prej udhëheqësve të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Ashtu si gjithë rilindësit e tjerë edhe ai aspironte një shtet të pavarur shqiptar.
Nga një dokument që është gjetur në arkivat e Londrës dëshmohet se në vitin 1874 Hasan Tahsini arrestohet në Delvinë sepse “predikonte lirinë kombëtare bashkëatdhetarëve dhe ka regjistruar cilido që përqafonte projektin e tij, të punojnë për lirinë e vendit të tyre dhe të ngrejnë një principatë ose një demokraci shqiptare. Pasuesit e tij mund të jenë në numër shumë të madh në Shqipërinë e Epërme dhe të Poshtme, madje edhe në Stamboll”.
Për një patriot të vendosur ashpërsia e përndjekjeve është treguesi më i mirë për vlerën e punës së tij.
Në këtë dokument mund të nënvizohen dy momente interesante:
Së pari: Hasan Tahsini ka regjistruar bashkëatdhetarët që ishin në një mendje me të, të gatshëm për t’u ngritur, dhe numri i tyre ka qenë i madh. Kjo do të thotë se disa vjet para Lidhjes së Prizrenit ka pasur rilindas që kanë kaluar në veprime të drejtpërdrejta për të organizuar luftën çlirimtare. Kjo është një dëshmi tjetër që tregon se Lidhja e Prizrenit nuk qe një përgjigje ndaj një momenti kritik, por kurorëzim i përpjekjeve të vazhdueshme të rilindasve me një synim të vetëm, pavarësinë.
Së dyti: Hasan Tahsini ka folur jo vetëm për lirinë, por edhe për rendin shtetëror, kur kjo liri kaq e ëndërruar më në fund, do të agonte. Mendimi për një alternativë tjetër kundrejt principatës, pra për një demokraci shqiptare është mjaft i guximshëm për kohën por i shpjegueshëm dhe i kuptueshëm në gojën e këtij rilindësi, të cilin Sami Frashëri e ka quajtur “më të lartin ndër të lartët”.
Nga radhët e pakta të këtij dokumenti na ndriçohet më mirë një çast nga jeta e Hasan Tahsinit, por sidomos del në pah figura e tij si veprimtar edhe mendimtar i lëvizjes kombëtare.
Veprimtaria më e gjerë patriotike e Hasan Tahsinit është zhvilluar në fushën e kulturës, shkrimit të gjuhës shqipe dhe përhapjes së diturive në këtë gjuhë, si një ndër fushat më të rëndësishme të luftës për çlirim dhe pavarësi. Për këtë qëllim që në vitet ’60 të shek. XIX, në bashkëpunim me atdhetarët e tjerë si Pashko Vasa, Jani Vreto, Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Ismail Qemali etj., filluan të mendojnë dhe të veprojnë për krijimin e shoqërisë që do të punonte për përhapjen e diturive, midis shqiptarëve dhe për hartimin e një alfabeti të ri të gjuhës shqipe.
Hasan Tahsini alfabetin e vet e hartoi qysh në vitin 1870. Gjatë viteve 1873-1874 ai shkoi në Ninat, Filat, Paramithi, Margëlliç, Konispol e Delvinë. Kudo shpërndau dhe u mësoi shqiptarëve alfabetin e vet.
Kurorëzimi i përpjekjeve të gjata të rilindësve në fushën e kulturës, ku spikat kontributi i Hasan Tahsinit është krijimi në vitin 1879 i Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja shqipe apo Shoqërisë së Stambollit. Hasan Tahsini ishte një nga autorët e shquar të saj dhe luajti një rol të rëndësishëm për sa ekzistoi ajo.
Me përpjekjet e pandërprera në dobi të popullit, të kombit e të atdheut, për zgjimin dhe për forcimin e ndërgjegjes kombëtare Hasan Tahsini vuri një gurë të shëndoshë në themelet e Pavarësisë së Shqipërisë.


Literatura
1) A. Naqellari, A. Pango – Hasan Tahsini, Tiranë 1980.
2) L. Bica – Profesor Hasan Tahsini, vëll. 1, 2, 3 – Tiranë 2009.
3) ASHSH – IH – Historia e Popullit Shqiptar II – Rilindja kombëtare – vitet ’30 të shek. XIX – 1912, Tiranë 2002.
4) Z. Xholi– Sami Frashëri, Tiranë 1978.
5) K. Prifti– Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane, Tiranë 1978.
6) S. Frashëri – Hoxha Hasan Tahsin Efendi – në Kamusul-Alan, vëll. 3.
7) ASSH – Fjalori enciklopedik shqiptar, vëll. III – Tiranë 2009.
8) G. Castelan – Historia e Ballkanit, Tiranë 1991
9) H. Myzyri – Shoqëri e të Shtypurit Shkronja Shqip, Tiranë 1979.
10) I. Rexhepi – Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet osmane (1887-1881), Prishtinë 1978.
11) K. Frashëri – Abdyl Frashëri, Tiranë 1984.
12) L. Mile – Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëll. I, Tiranë 1978.
13). G. Shpuza – Hasan Tahsini – Rilindas i shquar dhe shkencëtar i madh, ILP – Buletini Shkencor Shkodër 1987, nr. 1.
14) Xh. Lloshi – Një dokument mbi Hasan Tahsini, Revista “Ylli”, 1974, nr. 5.

/ardhmeriaonline

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit