Nga disa njerëz kritikohet dhe mohohet të jetë e drejtë ndarja e teuhidit që është bërë nga disa dijetarë, në tre lloje; teuhid uluhije (njësimi i Allahu në adhurim), rububije (njësimi i Allahut në veprat e Tij) dhe esmau ue sifatu (njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij). Kritika dhe mohimi i kësaj bazohet në atë se ndarja e teuhidit kështu është risi (bidat), pasi është e vonshme dhe nuk ishte e njohur kjo formë ndarjeje te muslimanët e hershëm, me fjalë të tjera ndarja e teuhidit në këto tre lloje nuk përmendet as nga i Dërguari (salallahu alejhi ue selem) në hadithe e as nga sahabët pas tij, prandaj është e papranueshme që edhe ne ta bëjmë këtë.
Vërtet lexuesit në fillim, kur lexon mënyrën se si shtrohet kjo çështje dhe se si argumentohet për të, mund t`i lindë një dyshim se vallë sa qenka e drejtë kjo ndarje.
Është më se e vërtetë se kjo formë e ndarjes së teuhidit (njësimit të Allahut) në tre lloje, duke e emërtuar dhe detajuar secilin lloj, nuk është bërë në Kuran dhe as në ndonjë hadith nga Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), por duhet ta kemi parasysh se cili është qëllimi i kësaj ndarjeje. Ndarja e teuhidit, sipas disa dijetarëve të ehli sunetit në këto tre lloje, nuk ka për qëllim të përligjë ndonjë dispozitë, e cila nuk ka qenë e njohur në kohën e Muhamedit (salallahhu alejhi ue selem). Jo, kjo nuk merret në konsideratë në asnjë mënyrë, ashtu sikurse kjo ndarje nuk është esenciale në vetvete.
Për ta kuptuar më qartë, themi se kjo ndarje është bërë me qëllim që kërkuesi i dijes dhe muslimanët në përgjithësi ta kenë më të lehtë kuptimin e monoteizmit (teuhidit) dhe se çfarë kërkohet nga besimtari me këtë. Pra, është për qëllim që të thjeshtësohen gjërat, kështu që të kuptohen e perceptohen më lehtë nga muslimani, ashtu si bëhet ndarja e çështjeve dhe i gjërave në të gjitha lëmit e shkencat.
Për shembull, mund ta marrim ndarjen e El-Ahkam Et-Teklifije (dispozitat obliguese), të cilat ndahen në shtatë te dijetarët hanefi (farzi, vaxhibi, suneti, mubahi, mekruhi tahrimen, mekruhi tenzihen dhe harami) ose në pesë te disa dijetarë të tjerë. Është më se e qartë se kjo ndarje e dispozitave që ka ndodhur në shkencën e Usuli fikhut shekuj pas vdekjes së Muhamedit (lavdërimi dhe paqja qoftë mbi të) nuk ka për qëllim përligjjen e dispozitave të reja që nuk ishin të njohura më herët dhe po të pyetej dikush nga sahabët se si ndahen dispozitat apo si është definicioni i mekruhit tahrimen, nuk do të jepte përgjigje të cilën ne e kërkojmë. Madje këtë ndarje nuk e njihte as Imam Ebu Hanifja (Allahu e mëshiroftë), pasi ky klasifikim ka ndodhur më vonë. Por qëllimi i gjithë kësaj është që kërkuesit të dijes t`i thjeshtësohen gjërat duke i ndarë, klasifikuar njohuritë, që t`i kuptojë sa më lehtë ato.
Ose mund të marrim një shembull tjetër. Në shkencën e hadithit bëhet ndarja e haditheve të Muhamedit salallahu alejhi ue selem në tre lloje: Ehadith Kaulije, Filije (Amelije) dhe Takririje (hadithe që janë thënie, vepra dhe pëlqime të Muhamedit salallahu alejhi ue selem). Kjo ndarje dhe klasifikim në shkencën e hadithit ka ndodhur vonë dhe sahabët nuk e kanë njohur këtë ndarje. Por qëllimi është që studiuesit, dijetarët e hadithit, por edhe muslimanët e thjeshtë t`i kenë parasysh se çfarë konsiderohet sunet dhe cila është më fuqishme në argumentim.
Shembuj të këtij lloji kemi me qindra, madje nuk kemi lëmi, qofshin ato shkenca islame sikurse fikh, tefsir, akide, hadith, etj., ose edhe ato të fushave të tjera si fizikë, kimi, gramatikë, etj., dhe që nuk kemi ndarje, klasifikime, degëzime, etj. Prandaj është pa vend ky pretendim.
Pastaj, ashtu si e cekëm më lart, ndarja e teuhidit në tre lloje nuk është esenciale dhe objektive në vetvete, por qëllimi është thjeshtësim për muslimani, që ai ta kuptojë sa më drejt teuhidin dhe atë çfarë kërkohet nga ai duke e besuar Allahun e Lartësuar mbi bazën në të cilën ndërtohet besimi islam. Ky është monoteizmi i pastër, i cili largon nga besimi i muslimanit çdo formë të të shoqëruarit Allahut dikë në ato gjëra, me të cilat veçohet Ai dhe është i denjë vetëm Ai për to.
Prandaj disa dijetarë, gjithashtu të ehli sunetit, kur e kanë shtjelluar teuhidin dhe çështjet që kanë të bëjnë me të, kanë bërë ndarjen e tij në forma dhe pikëvështrime të tjera. Disa e kanë bërë ndarjen në katër lloje:
1. Teuhid uluhije (njësimi i Allahu në adhurim)
2. Rububije (njësimi i Allahut në veprat e Tij),
3. Esmai ue sifat (njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij)
4. Teuhid Hakemije (veçimi i Allahut në gjykimin ( në ligjin) e Tij).
Disa ulema të tjerë e kanë bërë ndarjen në vetëm dy lloje:
1. Teuhid Ilmi (teuhidi i njohjes ose në njohje)
2. Teuhid Ameli (teuhidi në vepra)
Disa të tjerë gjithashtu nga Ehli Suneti, e bëjnë ndarjen në dy lloje, por i emërtojnë ndryshe:
1. Teuhidu Marifeti ue Ithbat (teuhidi i njohjes dhe i vërtetimit)
2. Teuhidu Kasdi ue Taleb (tethidi i qëllimit dhe i kërkimit).
Dhe kështu me radhë kemi ndarje dhe klasifikime të ndryshme varësisht prej metodës së trajtimit të teuhidit nga dijetarët dhe mënyrës e terminologjisë që ata kanë zgjedhur. Prandaj ndarja e teuhidit në tre lloje nuk është gjë e shenjtë që nuk bën të preket dhe nuk ka të bëjë me përligjje të diçkaje, por ka të bëjë me terminologji ashtu si ndahen dhe klasifikohen, pastaj emërtohen gjërat në lëmi të ndryshme shkencore. Esenciale është kuptimi se çfarë u jepet atyre termave që përdorën, ndërsa emërtimi, vënia e nocioneve e i termave nuk është esenciale në asnjë fushë. Mekruhu te dijetarët e hershëm në terminologji është përdorur si sinonim i haramit, mirëpo më vonë është ndryshuar kuptimi i këtij termi dhe në fikh përdoret për gjërat që janë të urryera, nën gradën e haramit.
Nëse lexojmë përkufizim e teuhidit, të cilin e përcjell Shejh Ibrahim Baxhuri, i cili kishte postin e shejhul Ez`her, në librin “Tuhfetul Murid Sherh Xheuheretu Tevhid” f. 10, do të shohim se e ai e përkufizon teuhidin duke i përfshirë këto tre lloje të teuhidit në përkufizim.
Shumica e dijetarëve të Ehli Sunetit e kanë pranuar se ndarja e teuhidit në këto tre lloje si më të drejtë dhe më të qëlluar pasi është më gjithëpërfshirës dhe më i plotë, prandaj ata në librat e tyre dhe në sqarimin e teuhidit kanë zgjedhur këtë formë të ndarjes.
E papranuar është ndarja e teuhidit të cilën e kanë bërë disa sofistë në: teuhidu ameh (teuhidi i muslimanëve të thjeshtë), teuhidu has-seh (teuhidi i njerëzve të posaçëm apo të privilegjuar) dhe teuhidu has-seti has-seh (teuhidi i më të privilegjuarve nga të privilegjuarit), pasi me këtë ndarje sufistët bëjnë devijim të plotë të kuptimit të teuhidit në Islam.
Sido që të jetë, thënia e atyre se për shkak se kjo ndarje e teuhidit nuk gjendet në hadithe dhe se kjo ndarje është bidat, risi, është tendencë dhe papjekuri madje edhe naivitet, që të ndërlikojnë atë që është e thjeshtë dhe t’i hutojnë besimtarët në atë që janë të bindur, duke u munduar të fusin paqartësi tek ata. Ky pretendim i detyron ata që të mohojnë shumë gjëra dhe shumë ndarje që kanë ndodhur në të gjitha fushat dhe lëmit shkencore islame.
Alaudin Abazi
26.10.2008