Bismilahi Rrahmani Rrahim
Disa vjet më parë pata shkruar për një revistë islame një material rreth teuhidit dhe shirkut. Në atë material flisja për njësimin e Zotit, element ky që ka përshkruar gjithë fatin e historisë së njerëzimit, se si teuhidi ka qenë shkaku për vazhdimësinë e jetës në tokë dhe se si e kundërta e tij, shirku, ka qenë shkak për rrënimin dhe zhdukjen e qytetërimeve të mëparshme. Aty jam shprehur ndër të tjera shkurt edhe për diçka që më ka munduar dhe vazhdon të më mundojë: përse nuk ka fakte arkeologjike që të vërtetojnë ekzistencën e besimit monoteist? Ose më saktë, a ka fakte të tilla? Patjetër që duhet të ketë, por nëse ka, cilat janë dhe ku gjenden?
Në të gjithë librat e historisë dhe arkeologjisë, që pushtojnë hapësirën e periudhës së antikitetit të hershëm dhe të jetës primitive njerëzore, na paraqiten fakte të cilat paraqesin ose interpretohen si shenja të idhujtarisë në jetën e këtyre popujve të hershëm. Duke mos qenë specialist në këtë fushë, madje as amator, por duke qenë besimtar në vërtetësinë e historisë që na përcjell Libri i Zotit, në mendje, për atë shkrim, më erdhi një interpretim që e dhashë në një fjali, por këtu po e them disi më të shtjelluar.
Besimi monoteist nuk i kushton Zotit imazhe, qofshin këto piktura apo skulptura, dhe adhurimi i Krijuesit të gjithësisë, historikisht nuk ka pasur objekte të dallueshme kulti, madje edhe ato që u ndërtuan më pas, duke filluar nga Qabeja si objekt i parë në këtë drejtim e të tjerat me radhë, mund të merren fare lehtë, nga thjeshtësia e tyre, si godina shtëpiake apo diçka tjetër, por jo si një objekt kulti. Ajo çka dihet me saktësi, është se i pari që ndërtoi një objekt kulti monoteist qe Ibrahimi, por para tij, ka pasur të tjerë Profetë dhe të tjerë njerëz monoteistë, por që nuk ndërtuan objekte kulti për Allahun. Idhujtarët pësuan ndëshkimin e Zotit dhe bashkë me ta u rrënuan edhe faltoret dhe idhujt që ata u përkushtoheshin, por shenjat dhe gjurmët e tyre i gjen në çdo vend. Ndërsa, besimtarët e hershëm të popujve që u shkatërruan, duke qenë edhe më të pakët gjithashtu, por edhe për arsyet që përmendëm deri këtu, nuk lanë mbrapa pothuaj asnjë gjurmë. Në fakt vetë jeta dhe shpëtimi i tyre ishte gjurmë, një gjurmë e gjallë dhe e rrallë dhe kjo derisa filloi cikli Ibrahimian, ku monoteistët do shtoheshin, do të ndërtonin qytetërimet e tyre dhe do të linin gjurmë në histori.
Megjithatë edhe tradita monoteiste ka gjurmë dhe ajo duhet të ketë lënë gishtat e saj në rrënojat që zbulohen. Por trashëgimia monoteiste është e një lloji tjetër.
Kulturat dhe qytetërimet pagane, ashtu si edhe sot, i japin një rëndësi të theksuar imazhit. Imazhi, simbolet e idhujve dhe të perëndive në këto kultura, ashtu si edhe në kohët moderne, dominonin ngado, sepse politeisti në çdo moment kërkon që të shoqërohet nga mbrojtja dhe përkujdesja e këtyre hyjnive të rreme, që ai i beson për të vërteta dhe që do t’i ndjejë gjithmonë pranë. Por jo vetëm kaq, ka njerëz, të cilët me të drejtë ndoshta, zhvillimin e arkitekturës dhe të qyteteve e interpretojnë si prirjen e idhujtarëve për të konkurruar veprën hyjnore të rendit qiellor dhe tokësor, me rendin e tyre artificial njerëzor, prirjen e këtyre paganëve për të sfiduar qiellin, gjithë krijimin e Zotit me kullën e tyre të babelit, rendin e Krijuesit me rendin e tyre të ndërtesave madhështore prej guri… Donin të sfidonin të Përjetshmin dhe botën e Tij me objekte që simbolizonin pushtetin dhe përjetësinë e pashuar…, një vesvese djallëzore e vjetër kjo…
“Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?”[1]
Dhe kështu paganët krijuan qytetërimin e tyre, duke u vetëmashtruar pas miteve, se ata ishin zotër, apo pjellë e drejtpërdrejtë e qenieve hyjnore, ku edhe këta hyj e kishin pasur një fillim. Ata krijuan qytetërimin e tyre dhe sajuan edhe hyjnitë e tyre, për t’u shkëputur nga vartësia e Zotit të Vërtetë. Ata jetonin me këta zota antropomorfë në mendje, me këta hyjë, që ishin si njerëzit dhe jetonin gjoja me ta…
Por si musliman, nuk mendoj se ata u besonin vërtet dhe plotësisht legjendave të tyre, siç mundohen të na i paraqesin ato sot. Ato ishin thjesht imagjinata joreale, për të mbajtur në jetë vesveset e djallit, për të mbajtur në jetë legjitimitetin e epsheve të tyre, për ta kthyer qenien hyjnore në një qenie moskokëçarëse, për ta shumëzuar Atë dhe zhdukur fare nga kujtesa, apo edhe për të sajuar lloj-lloj ndërmjetësish dhe që me pak adhurim, mund të vihen në shërbim të njeriut, apo edhe mund të sfidohen, nëse u rrëmbehet pushteti dhe fuqia e padukshme… Ata vetëm donin të besonin se ishte kështu…
52. Kur ai (Ibrahimi) i tha të atit dhe popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj, që ju po i adhuroni kaq shumë?”,
53. ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.”
54. (Ibrahimi) tha: “Me të vërtetë, ju dhe baballarët tuaj keni qenë në humbje të qartë.”…
“Ata e pyetën: “Ti i bëre kështu zotat tanë, o Ibrahim?”
63. Ai tha: “Jo! Këtë e ka bërë ky, i madhi i tyre. Pyesni ata, nëse flasin!”
64. Atëherë ata i thirrën mendjes dhe i thanë njëri-tjetrit: “Me të vërtetë, ju vetë jeni keqbërësit.” 65. Pastaj ulën kokat dhe i thanë: “Sigurisht që ti e di, se këta nuk flasin!”[2]
Kjo ndodhi me Ibrahimin dhe popullin e tij, trashëgimtarët e qytetërimit më të vjetër që njihet sot në botë, e ndërsa me Hudin dhe popullin e tij që jetonin në gadishullin arabik:
“Ai (Hudi) tha: “Tashmë, ju ka rënë dënimi dhe zemërimi i Zotit tuaj. A më kundërshtoni mua për emrat (e idhujve), të cilët ua keni vënë ju dhe prindërit tuaj, e për të cilët Allahu nuk ju ka sjellë kurrfarë diturie …”[3]
E ndërsa Jusufi në përballjen e tij me trashëgiminë pagane egjiptiane tha:
“O shokët e mi të burgut! A janë më mirë një mori zotash të ndryshëm apo Allahu, i Vetmi, Ngadhënjimtari? 40. Ata që ju i adhuroni në vend të Allahut, janë vetëm emra, të cilët i keni vënë ju dhe të parët tuaj, pa pasur prej Tij asnjë argument. Vendimi i përket vetëm Allahut: Ai ka urdhëruar që të adhuroni vetëm Atë. Kjo është e vetmja fe e vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e di.”[4]
Ndërsa përballë këtij realiteti, në antitezë të plotë me të, qëndron besimtari në një Zot të vetëm, të përtejshëm, pa imazh të perceptueshëm, por me cilësi dhe atribute të prekshme në jetën e një njeriu. Ai nuk ka nevojë për imazhe tokësore, për çka është përtej botës së krijimit, thjesht sepse është e pamundur, por edhe më shumë se kaq…
Gjithsesi i biri i Ademit, si një qenie njerëzore, që ka nevojë për imagjinatë dhe shembuj, duhet të ketë zhvilluar kulturën e fjalës. Fjala është sublime, ajo është udha e komunikimit ndërmjet dy botëve, ndërmjet transcendentes[5] dhe botës së krijesave. Zoti nëpërmjet fjalës e krijoi botën dhe nëpërmjet saj komunikoi me krijesën e Tij. Ajo i ngjan një rrezeje drite hyjnore të paperceptueshme, të padukshme, e cila përthyhet në rreze shumëngjyrëshe në prizmin e botës materiale…
Besimtarët në shekuj duhet të kenë zhvilluar kulturën e fjalës dhe fjala ruhet e shkruar, e shkrimi humbet shumë më lehtë sesa ndërtesat gjigante, gurët dhe statujat e hyjnive të rreme, ndaj edhe gjurmët e monoteizmit janë të pakta, shto këtu, edhe faktin që besimtarët e një Zoti, ishin të pakët. Lumturia e tyre dje, ashtu si edhe e jona sot, nuk qëndronte te konkurrimi i krijesës së Zotit dhe nënshtrimi i saj, pa ndihmën e Tij, por te bindja ndaj Zotit e që rrjedhimisht pasohej nga begatia e Tij.[6]
Nëse marrim në konsideratë edhe faktin se shkenca e arkeologjisë sot dominohet nga njerëz dhe mendësi ateisto-politeiste, është e natyrshme se faktet që më së shumti na paraqiten dhe na interpretohen, të jenë dëshmi vetëm për ekzistencën e politeizmit, si më i hershmi. Mbi këto dëshmi është ngritur një historiografi ku monoteizmi paraqitet si një zhvillim shumë i vonshëm, si një evoluim i mendimit njerëzor dhe jo si trashëgimia më e vjetër njerëzore dhe kulturore në botë.
Përballë kësaj sfide “të pakapërcyeshme”, sipas idhujtarëve të sotëm, qëndron pasiviteti dhe amatorizmi i monoteistëve, të cilët shumë pak ose aspak, paraqesin fakte bindëse se kultura dhe historia njerëzore i ka rrënjët në monoteizëm. Kjo gjendje mbytëse nga mitologjitë dhe legjendat pagane, që na bombardojnë sot si kulturë përditë e më shumë, [7] i ka shtyrë dashur padashur edhe disa monoteistë, madje edhe muslimanë, të hamendësojnë se janë legjendat dhe mitet pagane ato që kanë lënë gjurmë në literaturën islame, madje dhe në librat e shenjtë të monoteizmit! Kjo është pjesërisht e vërtetë, përsa i përket traditave joislame, por kurrsesi për Kur’anin dhe traditën autentike profetike.
Muslimanët si mbartësit e vetëm të monoteizmit të vërtetë, sot kanë nevojë më shumë se kurrë që të zhvillojnë arkeologjinë objektive të teuhidit, të zhvillojnë interpretimin dhe zbulimin e fakteve që tregojnë ekzistencën më të hershme të monoteizmit. Këtë shkencë e ka nisur Kur’ani dhe na takon ne që ta zhvillojmë.
“A nuk kanë dëgjuar ata për popujt që kanë qenë më përpara: për popullin e Nuhut, për fiset Ad dhe Themud, për popullin e Ibrahimit, për banorët e Medjenit dhe për qytetet e përmbysura (të popullit të Lutit)? Të dërguarit e tyre u sollën shenja të qarta. Allahu nuk u bëri padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.”[8]
“Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” Disa prej tyre Allahu i shpuri në rrugë të drejtë e disa e merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë të shihni se si ishte fundi i përgënjeshtruesve!”[9]
“Vallë, a nuk kanë udhëtuar ata nëpër botë, për të parë se si ka qenë fundi i atyre, që kanë jetuar më parë? Ata kanë qenë më të shumtë, më të fortë dhe kanë lënë më shumë gjurmë në Tokë, por nuk u ka bërë aspak dobi ajo që kishin fituar. 83. Kur të dërguarit e tyre iu sollën prova të qarta, ata u mburrën me diturinë që zotëronin vetë; por shumë shpejt i goditi ajo, me të cilën talleshin.”[10]
E kemi ne për detyrë t’iu tregojmë idhujtarëve të sotëm, me dëshmi bindëse, se kjo është e vërteta.
A nuk është Islami feja që predikon monoteizmin…?!
J.Topulli
1.12.1429 h./ 29.11.2008 e.s.
[1] Taha :120.
[2] Sure El-enbija.
[3] Sure El-araf: 71.
[4] Sure Jusuf.
[5] Transcendent, do të thotë e përtejshme. Në kuptimin metafizik, ajo i përket ekzistencës tjetër të pakrijuar, qenies së Zotit, që është përtej krijesave, i ndarë prej tyre. Kjo përtejshmëri nuk përfshin vetëm diçka fizike, por edhe ideore, ndaj dhe të parët e muslimanëve e kanë komentuar me të drejtë qëndrimin e Allahut mbi Arsh, si ndarjen në mes Tij dhe krijesave të Tij. Allahu qëndron mbi Arsh me të gjitha kuptimet që mbart kjo fjalë. Ai qëndron mbi botën materiale të krijesave, pra, në përtejsi, në transcendencë dhe nuk është aspak alegori, pasi kuptimi i pasaktë dhe i papranueshëm i qëndrimit mbi Arsh vjen nga përfytyrimi që nuk i vë kufi perceptimit dhe që krahason botën e krijuar me ekzistencën e Krijuesit, vjen nga një kozmologji e pasaktë, nga një kozmologji pagane, panteiste, ku hapësira tredimensionale shtrihet në pafundësi, ide kjo që sot është hedhur poshtë nga idetë shkencore të shekullit XX.
[6] Shih ajetin 10-12 sure Nuh, El-araf: 96, Ibrahim: 7.
[7] Në ditët e sotme gjen një përhapje masive të kësaj idhujtarie, të kamufluar nën petkun e atij që e quajnë art, si dhe të gjoja studimeve historike. Kështu, duke filluar që nga filmat vizatimorë për fëmijë, që paraqesin personazhe imagjinare, qofshin këto të marrë nga mitologjia apo edhe të sajuar, personazhe këto që kanë fuqi mbinatyrore, që me anë të magjisë apo mjeteve të tjera, fitojnë aftësi për të bërë gjëra, që në besimin politeist zotat mund t’i bënin dhe që në realitet, vetëm Krijuesi i ka të mundshme. Këto filma jo vetëm që japin një pamje të pasaktë të realitetit, por ato edukojnë brezin e ri me frymën se njeriu është Zoti i kësaj bote, pasi në to, kurrkund nuk duket roli i Zotit të vërtetë. Ky fenomen, shfaqet më i sofistikuar në filmat artistikë për të rritur, ku fantashkenca e producentëve të kinemasë, bën të duken si realitet i mundshëm njerëzor, gjëra që vetëm Zoti i ka në dorë… Ndërsa të ashtuquajturat studime, janë e gjithë ajo armatë librash bestseller, ku flitet për jashtëtokësorët si krijuesit e jetës në tokë, për teori konspiracioni, ku bota sundohet nga njerëz me mundësi dhe aftësi të pakonkurrueshme, ku gati e gjithë rrjedha e historisë së njerëzimit, ose më së paku ajo e këto shekujt e fundit, është produkt i makinacioneve të një grushti individësh…etj…etj! Në të gjitha këto materiale, vihet theksi te fuqitë mbinatyrore të njeriut, ndërsa roli apo edhe ekzistenca e Zotit, nuk duket asgjëkund. A nuk është kjo një rikthim i idhujtarisë?
[8] Sure Et-teube: 70.
[9] Sure En-nahl: 36.
[10] Sure El-gafir.